Gjobat fiktive, zbulohen gafat e policëve rrugorë

Jun 11, 2012 | 13:23

Pas ankesave të shumta nga qytetarët, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është hapur një zyrë apelimesh për gjobat e Policisë Rrugore. Zyrat qendrore të Policisë lusin gjithë drejtuesit e mjeteve që të drejtohen dhe të ankohen në rast se pretendojnë se janë ndëshkuar fiktivisht me gjoba nga Policia Rrugore. Një grup specialistësh të Qarkullimit do të verifikojnë një për një ankesat e drejtuesve nga të gjitha qytetet e vendit, për të zbuluar rastet kur ka pasur veprime arbitrare nga ana e Policisë, apo edhe falsifikim të fletës së gjobës. Burime nga zyra e ankesave thanë se janë zbuluar shkeljet e para të kryera nga ana e disa punonjësve të Policisë Rrugore, pas verifikimeve të disa fletëve të gjobave që ata kanë vendosur. Të njëjtat burime thanë se janë zbuluar modifikime shifrash dhe germash, që lidhen me targën e automjeteve. Por ka edhe gabime që ndodhin për shkak të komunikimit të numrit të targave nëpërmjet radiove.
FALSIFIKIMET
Këto modifikime janë kryer sidomos në rastet kur numrat janë lehtësisht të ndryshueshëm, si për shembull ndryshimi i numrit “3” dhe kthimi i tij në numrin “8”. Apo shifra “1” që në disa raste është shndërruar në numrin “7”. Por ka dhe modifikime shkronjash që sërish u përkasin targave të automjeteve, siç ndodh me ndryshimin e germës “P”, e cila lehtësisht mund të kthehet në “R”, apo germa “F”, në germën “E” etj. Të gjitha këto raste sipas Policisë do të verifikohen me imtësi, madje do të merren edhe masa për punonjësin e Policisë që ka bërë falsifikimin. Sipas burimeve, të tilla modifikime ndryshojnë pronësinë e automjetit dhe bëjnë që të ndëshkohet me gjobë një drejtues mjeti që mund të mos ketë kryer shkelje, madje edhe mund të mos ketë qenë asnjëherë në një qytet ku rezulton të jetë ndëshkuar me masë administrative. Këto janë raste të qëllimshme, që kryhen nga punonjës policie të cilët edhe mund të jenë të korruptuar. Apo pas ndonjë ndërhyrje, njohje apo ndonjë “urdhri” për të hequr gjobën e vënë ndaj një personi, arrijnë të falsifikojnë atë duke modifikuar një nga numrat apo germat e targës, duke ia faturuar atë dikujt tjetër.
GABIMET
Sipas disa prej ekspertëve rrugorë që verifikojnë ankesat e qytetarëve, përveç rasteve të qëllimshme që kryhen nga punonjës të Policisë Rrugore, gjobat fiktive vijnë edhe nga gabime gjatë shqipërimit të targës së një mjeti. Gabime të tilla ndodhin kryesisht kur gjobat vendosen për raste tejkalime shpejtësie apo mosbindje ndaj urdhrit të policit për të ndaluar. Komunikimi me radio mes policëve të një pike kontrolli me ata të një pike tjetër, në disa raste sjell ngatërresa numrash dhe germash, që ndryshe janë parë nga një punonjës Policie dhe ndryshe kuptohen gjatë shqiptimit nga polici që i komunikohet targa me radio.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura