GJKKO ka lënë në qeli ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri. Ish-zyrtari i policisë dhe avokati i tij nuk dhanë sqarime në gjykatë pasi kërkuan të njihen me dosjen. Mësohet se ata do të ankimojnë vendimin në Apelin e GJKKO-së.
Henerigert Mitri, i cili ishte në kërkim nga SPAK për dosjen “Revanshi”, u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës më 11 shtator. Dhe ditën e sotme (14 Shator) doli para togave të zeza ku ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”.
Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.
Akuzat për përfshirje në grupe kriminale
Një nga efektivët me të njohur të policisë sonë u gjend i përfshirë sipas SPAK në një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vendin tonë.
Madje Prokuroria e Posaçme në dosjen, pjesë të së cilës i bëri edhe publike, jepte fakte konkrete të përfshirjes së këtij efektivi në kohën kur drejtonte Policinë e Lezhës. Por në momentin kur kolegët e tij hynë në operacion për ta vënë në pranga ai nuk u gjend në banesë dhe deri ditën e djeshme nuk është bërë e mundur të dihej vendndodhja e tij. Dje pasdite policia e Tiranës tha se është vetëdorëzuar ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen ‘Revanshi’.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë DVP Tiranë që me dy rreshta informacion tregoi dorëzimin. Emri i Henerigert Mitrit u zbulua gjatë zhvillimit të operacionit ‘Revanshi’ nga SPAK në maj të këtij viti dhe doli që Mitri në cilësinë e drejtorit të policisë së Lezhës zhvillonte aktivitete të paligjshme si të kultivimit të kanabisit dhe lojërave të fatit. Mitrit iu caktua masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
IMPLIKIMI SIPAS SPAK
Mitri u tha se kishte i pari akses si drejtor policie për koordinatat që Guardia di Finanzia do të bënte për kontrollet nga ajri dhe më pas nxirrte urdhrat për kryerjen e tyre. Por, para se t’i firmosë këto urdhra për kontrolle, Mitri komunikonte me vartësin e tij, shefin e anti trafiqeve Klodian Shahinin për ta pyetur se ku janë vendet që kanë mbjellë kanabis dhe para se Guardia Di Finanza të fluturonte mbi to, hiqen bimët narkotike dhe trafikantët largohen. Në këtë skemë trafiku, Mitri ishte bashkë më Klodian Shahini e antitrafikut, ndërsa një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë ishte edhe Elson Reçi, i fisit të Reçëve në Rrëshen. Shahini bashkëpunon me persona të tjerë për kultivimin e kanabis sativa, siç është rasti i një parcele në Livadhas në Mirditë. Operacioni ‘Revanshi’ falë hetimeve të SPAK dhe Policisë së Shtetit u firmosën 50 urdhër-arreste për bosë të krimit brenda dhe jashtë vendit ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u zbardhën disa ngjarje të rëndë të viteve të fundit.
LIDHJA ME PËLLUMB GJOKËN
Biznesmeni Pëllumb Gjoka që është arrestuar gjatë aksionit të parë të SPAK në bazë të përgjimeve të SKY ECC rikthehet në skenë edhe në dosjen e dytë falë aftësive të tij për të rekrutuar policët në punët e tij. I tillë është rasti i Drejtori i Lezhës, Henerigert Mitri. Ky i fundit nuk i ka rezistuar ofertës për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh në lidhje me një kazino të vogël, me rreth 20 kompjutera që Pëllumb Gjoka e kishte përshtatur në Lezhë. Por kur një oficer i Drejtorisë Hetimore, i quajtur Gentian Ndoji i futet në kazino, arreston menaxherin dhe sekuestron kompjuterët, për Henerigert Mitrin, që kishte dalë garant mbi ecurinë e biznesit, dalin probleme. “Drejtor tjetri” habitet Oltion Bistri ish-shef i operacionales, kur e njoftojnë çfarë kishte ndodhur me biznesin fitimprurës të Pëllumb Gjokës në Lezhë. Vetë Bistri ishte garant për kazino të tjera të Gjokës dhe para se të merrte përsipër një punë, gjithnjë konsultohej paraprakisht me shefat e tij. “Pajisjet janë kapur dhe “Gerti” nuk duhet t’i kishte dhënë siguri Pëllumbit në zhvillimin e këtij aktiviteti nëse nuk ka pasur dakordësinë e eprorëve” shkruhet në dosjen e SPAK, një përmbledhje e këshillave që jep Oltion Bistri.
Henerigert Mitri përveç të tjerash përshkruhet në mesazhet e SKY ECC edhe si “I madhi” falë rolit që kishte ai si drejtues i policisë së Lezhës. Sigurisht që garancia për vetëm një kazino ishte shumë pak për një drejtor. Mitri ka bërë çmos bashkë me Klodian Shahinin, drejtorin e antitrafiqeve në Lezhë për të shpëtuar parcelat me kanabis. Por me gjithë përpjekjet që bëjnë për të shmangur kontrollet në zonat e mbjella me kanabis, në fund duket se Henerigert Mitri dështon dhe nuk arrin të sigurojë punët që ka marrë përsipër pasi policët “nga Tirana” vinin dhe u prishnin punë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al