GJKKO kërkon pushimin e çështjes për kryebashkiakun e Kuçovës, Maliqi: Do ta ankimojmë, pati ndikim politik! Provat janë të pakundërshtueshme

Jun 9, 2026 | 11:51

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kërkuar pushimin e çështjes në lidhje me denoncimin e PD-së për kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari për pretendimet se ka blerë vota.

lefter maliqi

Lajmi u bë i ditur nga ish-kandidati i opozitës për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, i cili tha se vendimi u ndikua nga politika dhe se do të ankimojë vendimin. Sipas tij, provat kundër kryebashkiakut socialist janë të pakundërshtueshme.

“Dje kam marrë njoftimin nga GJKKO, ku zonja Dorina Bejko kërkon pushimin e hetimit në gjykatë për krimin elektoral në KZAZ 64 në Kuçovë, denoncim i bërë nga zonja Albana Vokshi. Mora materialet. Do e kundërshtoj kthimin prapa të hetimit. Ky hetim është bërë nën ndikimin e oligarkisë dhe politik.

Provat janë të pakundërshtueshme. Kemi kapur administratorë të komunave në Kuçovë dhe punonjës të bashkisë, duke ndarë ndihma një javë para. U kap çakull elektoral. Janë thirrur nga SPAK vetëm njerëzit e mi e shtabit tim elektoral, dhe iu janë bllokuar celularët. Ndërkohë atyre të PS nuk u është bllokuar gjë. U bë cirk në KAS me këtë çështje. Nuk kam besim te ky hetim.

Çdo gjë është e kapur. Kam dyshime të rënda korruptive. Do të vazhdoj betejën time për qytetarët e thjesht. Mbështes hapur protestën e qytetarëve për të rrëzuar këtë narkoshtet dhe institucionet e kapura.”, tha Maliqi.

Kujtojmë që Maliqi ka një tjetër betejë kundër kryebashkiakut socialist. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) riktheu një ditë më parë në KQZ çështjen për mandatin e Hajdarit, i cili nuk deklaroi një dënim në Greqi dhe për këtë u dënua edhe nga GJKKO.

Hajdari u dënua me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove. Kryebashkiaku i PS nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës, vetëm 17 vjeç.

Ky mosdeklarimi në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati.

© Panorama.al

Te lidhura