Plagoset me armë dhe grabitet biznesmeni

Feb 16, 2012 | 16:56
Pistoleta dhe maskat e sekuestruara nga policia

GJIROKASTER- Shpëton mrekullisht nga vdekja, një biznesmen gjirokastrit, pasi është qëlluar me armë zjarri nga dy grabitës në pronën e tij. Et’hem Kërpaci, 48 vjeç, është plagosur në orët e mbrëmjes së të mërkurës në magazinën e tij të shumicë, ku tregtonte mish dhe bulmet.

Magazina e tij ndodhet në zonën industriale të qytetit. Agresioni me armë ndaj Kërpacit, ka ndodhur gjatë momentit kur ai ngarkonte furgonin e tij me produkte mishi dhe zarzavate e bulmeti. Personat me maska, i patën kërkuar qetësisht Kërpacit sasinë e të hollave që kishte në sirtarin e tavolinës, mirëpo kjo nuk i ka pëlqyer të zotit të magazinës së ushqimeve, i cili ka reaguar duke u konfrontuar fizikisht me ta.

Njëri prej grabitësve në pamundësi për t’a detyruar të dorëzojë të hollat, ka përdorur armën e zjarrit duke qëlluar në drejtim të pjesës së sipërme të këmbëve të biznesmenit. Dy të rinjtë me maska, kanë marrë 100 mijë lekët që gjendeshin në sirtar dhe janë larguar me shpejtësi me furgonin e të dëmtuarit të ngarkuar me mall brenda.

Pas marrjes së të dhënave konkrete, dhjetra forca policie të drejtuara nga kreu i Policisë së Qarkut, rrethuan gjithë zonën ku gjendeshin dy të rinjtë grabitës përfshirë edhe ngritjen e disa pikave të kontrollit dhe ato të padukshme në një rreze territoriale mjaft të gjerë duke vënë në përdorim edhe qenin gjurmues.

Duke përfituar nga errësira dhe moti i keq, grabitësit kanë mundur të zhduken ndërkohë që kërkimi i tyre ende po vijon. Dy grabitësit mendohet se i përkasin moshës 23 dhe 25 vjeç,  nga Gjirokastra dhe Tepelena me inicilat L.D dhe S.Ç. Ndërkohë, biznesmeni Et’hem Kërpaçi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura