Gjirokastër, fishekë në plehra, 20 minuta ankth mes banorëve

Jul 20, 2012 | 13:54

GJIROKASTER – Një zjarr i rënë në një tog mbeturinash në përroin e lagjes “Dunavati II” në qytetin e Gjirokastrës, ka alarmuar për rreth 20 minuta banorët e kësaj lagjeje për shkak të shpërthimeve të municioneve të gjendura në rrjedhën e zjarrit. Plumbat e kalibrave të pistoletës dhe pushkëve automatike kanë shpërthyer duke krijuar panik te banorët, të cilët kërkuan ndihmën e policisë sapo kanë parë me sytë e tyre se jeta për ta rrezikohej, ndërkohë që dhe banesat mund të binin pre e rrezikut fizik në rastin më kritik nëse shpërthimet misterioze do të vijonin. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke evakuuar fillimisht dhjetë familjet që gjendeshin më afër zonës së ekspozimit të ndonjë vale të mundshme shpërthimi, aty ku ndahen dy lagjet, “Dunavat I” e “Dunavat II” dhe më pas është ndërhyrë në terren për shuarjen e flakëve. Para se të verifikohej zjarri nga banorët, dëshmitarët thonë se në zonën e përroit, në afërsi të mbeturinave, janë parë dy fëmijë mbi 10-vjeçarë, të cilët mund të kenë qenë ata zjarrvënësit dhe, pse jo, edhe personat që kanë hedhur municionet në togun e mbeturinave urbane. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e PMNZSH së Gjirokastrës për të lokalizuar flakët, të cilat, ndonëse me vështirësi, kanë mundur të shuhen. Terreni i vështirë nuk ka qenë fort favorizues për mjetet zjarrfikëse. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të së enjtes dhe gjithçka është finalizuar me sukses brenda një afati të shkurtër kohor. Policia ndërkohë ka marrë dëshmitë e disa banorëve për të identifikuar minorenët që janë dukur në vendin e ngjarjes, pak para zjarrit dhe shpërthimeve të plumbave.             p.n

© Panorama.al

Te lidhura