Gjirokastër, arrestohet grabitësi i kishave

Feb 23, 2012 | 16:41

Vjedhja e 10 eurove nga kasafortat e dy kishave në Dropull, i ka kushtuar arrestimin një 30- vjeçari. Soli Ciga, nga Fieri është arrestuar mesditën e të enjtes nga Policia e Gjirokastrës, pasi rezulton si autor i grabitjes së dy kishave në zonën e Dropullit në rrethin e Gjirokastrës. Ndalimi i Cigës i dënuar edhe më parë për vjedhje, ka ardhur pasi u vërtetua se ai është autor i grabitjes së kishës ortodokse në fshatin Vodhinë në Dropull.

Gjatë natës së 28 janarit të këtij viti, 30- vjeçari, ka vjedhë me thyerje, arkën ku mbaheshin të hollat që linin besimtarët dhe po në të njëjtën datë, grabiti edhe të hollat e arkës që gjendeshin në brendësi të kishës së fshatit Bularat dhe atë të Bodrishtës. Në të tria kishat ky shtetas ka vjedhur shuma të papërfillshme të hollash deri në 10 euro ndërsa nuk ka prekur dhe nuk ka marrë asnjë send tjetër që ndodhej brenda objekteve të kultit.

Sipas Policisë, 30- vjeçari fierak endej në zonën e Dropullit i papunë pasi fshatarët e kësaj zone, e kishin përzënë si ruajtës të bagëtive pas disa parregullsive që ai kishte shfaqur me trajtimin e të imtave. Në fshatin Vodhinë, ai ndodhej prej disa ditësh dhe mbante nën ruajtje, një tufë gomerësh që i trajtonte me ushqim. Duke parë se dy thundrakët i keqtrajtonte, fshatarët e zonës e dëbuan dhe si hakmarrje, Ciga, grabiti arkat e kishave të cilat rezultuan bosh në momentin e aktit.  Nga hetimet, Coga ka rezultuar edhe si autor i dy grabitjeve të tjera.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura