Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i bëri thirrje dje Kolegjit Zgjedhor që të dorëhiqet në mënyrë që të tregojë se vendi nuk vuan nga mungesa e zbatimit të ligjeve dhe garantëve të tyre. “Kolegji Zgjedhor duhet të dorëhiqet për të treguar se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, por vuan nga zbatimi i tyre dhe garantët e zbatimit të ligjit, që janë gjykatat. Kolegji Zgjedhor me këtë akt duhet t’i hapë rrugën pastrimit të politikës dhe shoqërisë prej manipulatorëve të votës, që janë qeveria, KQZ dhe vetë Kolegji Zgjedhor që i vuri vulën, nëse nuk e dinë ende nëse kanë shkelur ligjin apo jo, lë të pyesin familjarët e tyre mbi 18-vjeç se si ka qenë rregulli i votimit në Shqipëri”, u shpreh Gjinushi në një konferencë për shtyp. Gjinushi theksoi se partia që ai drejton nuk do të pranojë një reformë zgjedhore sipërfaqësore që legjitimon, sipas tij, vjedhjen e votës.
“Partia Social Demokrate vlerëson se reformë zgjedhore ‘hajt të ndryshojmë ligjin’, meqenëse vjedh qeveria, KQZ dhe legjitimon Kolegji, është vetëm mashtrim radhe dhe nuk ka asnjë efekt”, u shpreh kreu socialdemokrat.











