Gjinushi, kundër Ramës: Jo dialog me Berishën

Jul 16, 2011 | 11:30

Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, u shpreh dje kundër dialogut me qeverinë duke kërkuar largimin e saj. “PSD vlerëson se është koha për një qëndrim të qartë dhe të vendosur opozitar. Shqipërisë i duhet një zgjidhje e plotë politike dhe një veprim real opozitar. Nuk është veprim opozitar fakti që sa herë ka një skandal qeveritar, flitet për reformim të PS-së dhe jo të PD-së. Kërkohet dorëheqje e gjithkujt në Partinë Socialiste, por jo e qeverisë dhe Sali Berishës, që sa herë dështon qeveria apo bën skandalin e radhës, siç ishte masakra e Tiranës, opozita ofron reforma për të shpëtuar qeverinë, por jo Shqipërinë. Reforma e vetme me një qeveri të dështuar është largimi i saj. PSD vlerëson se çdo bashkëpunim me një shtet të korruptuar dhe të kapur thellon krizën, mashtron shqiptarët dhe komprometon vetë rolin dhe misionin e opozitës”, tha Skënder Gjinushi. Sipas tij, zgjidhja e krizave që po kalon vendi duhet të fillojë me largimin e kësaj qeverie. “Zgjidhja e krizave kudo fillon me largimin e shkaktarëve, dhe jo duke bashkëpunuar me ta. Krizat kudo janë përgjegjësi e qeverisë, dhe jo e opozitës. Ne s’mund të pranojmë si PSD që qeveria vjedh, vret dhe dështon për faj të opozitës. Nuk garantohet vota e lirë me dhunuesit e saj. Çdo reformë zgjedhore apo në Drejtësi fillon me vendosjen e një qeverie që nuk dhunon Gjyqësorin apo Drejtësinë. Çdo manovër tjetër është vetëm mashtrim për shqiptarët”, u shpreh kreu socialdemokrat.

© Panorama.al

Te lidhura