Gjinushi: Jo përsëritje votimi, por shpallje e Ramës fitues me 10 vota

Jun 28, 2011 | 11:24

“Qëndrimi ynë është ky: patjetër që procesi është i pavlefshëm tashmë. Ky proces është i pavlefshëm dhe pavlefshmëria e tij nuk çon në pavlefshmërinë e Tiranës, sepse kemi një proces të ligjshëm në Tiranë deri më datë 14 maj, të gjithëpranuar, me firmat e të gjitha palëve, madje me breshëri të të dyja palëve. PD shtiu më shumë fishekë gëzimi më 14 maj, me mbylljen e këtij procesi”, tha Gjinushi. Sipas kreut socialdemokrat, procesi i KQZ-së për numërimin e votave të hedhura gabim, që ai e quan një proces ekstra të paparashikuar në Kod, është i pavlefshëm. Por, sipas tij, ky proces i pavlefshëm nuk çon në pavlefshmërinë e procesit për Tiranën deri më 14 maj. “Kemi edhe një proces ekstra, dhuratë nga KQZ-ja me urdhër të Saliut për Lulin, por që degradoi me gjithë bazën e tij ilegjitime. Pavlefshmëria e procesit ekstra nuk çon në pavlefshmëri të procesit ligjor, sepse ky është një proces që Kodi nuk e parashikon, detyrimisht edhe pavlefshmëria e tij, ndryshe nga pavlefshmëria e një apo dy qendrave të votimit që çojnë, detyrimisht, në përsëritje, pavlefshmëria e votave të gabuara, të numëruara po aq gabim në mënyrë manipulative, nuk çojnë në pavlefshmërinë e Tiranës, por në fitoren e Ramës me plus 10”, u shpreh Gjinushi.

© Panorama.al

Te lidhura