Gjiknuri: Rinumërim i plotë ose përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë

Jun 27, 2011 | 19:05

Deputeti socialist komenton vendimin e Kolegjit

Gjiknuri: Rinumërim i plotë ose përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë

“Kur shkeljet e ligjit ndikojnë mbi një garë të ngushtë, pavlefshmëria e zgjedhjeve mbetet opsioni i vetëm i korrigjimit”

Aristir Lumezi

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, personi që është angazhuar më shumë se kushdo me çështjet juridike, duke analizuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe veprimtarinë e KQZ-së, del në përfundimin se vetëm përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë mund të rivendosë vlefshmërinë e tyre.

Zoti Gjiknuri, Kolegji Zgjedhor urdhëroi KQZ që të hapë të gjitha kutitë për të rinumëruar dhe rivlerësuar fletët e kontestuara. Sipas këtij vendimi, do të ketë vlerësim të votave të hedhura gabim jo vetëm për kryetarin e Bashkisë Tiranë, por për të gjitha rezultatet e tjera,  si për Këshillin Bashkiak, kryetarin e minibashkisë, por edhe këshillin e minibashkisë?

Vendimi urdhëron vetëm numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar, kudo që ato potencialisht ndodhen. Por, për efekt të rezultatit, ato do të mund të pasqyrohen vetëm për Bashkinë e Tiranës, pra tabelën përfundimtare të rezultatit, dhe jo të njësive të tjera të Bashkisë, pasi këto rezultate nuk mund të ndryshojnë nga ana e KQZ-së kryesisht, pra jashtë procesit ankimor dhe pa minimalisht 5 vota të anëtarëve të KQZ-së, siç përcakton Kodi Zgjedhor. Nga kjo pikëpamje, nuk di se ç’do të bëjë KQZ me fletët e njësive të minibashkisë, pasi këto nuk mund të përfshihen në rezultat në këtë fazë që jemi. Në mos “Ristanokracia” do të prodhojë ndonjë shpikje tjetër ekstraligjore për të kontribuar më shumë në një proces tejsisht të dërrmuar ligjërisht. Kjo madje në pikëpamjen time nxjerr në pah problematikën që krijoi vendimmarrja e KQZ me vendimin 709, i ashtuquajtur numërimi i çdo vote të hedhur gabim. Pasi një instrument i tillë i paparashikuar nga ligji dhe në një fazë që kurrë nuk mund të aplikohet, do të sjellë në vazhdimësi deformim. Fatkeqësisht, vendimi i datës 3 qershor të  Kolegjit Zgjedhor që la në fuqi këtë vendim, duke legalizuar një lloj “monstre” juridike që vetëm prodhon paligjshmëri, ka hapur një precedent që do të rrezikojë zgjedhjet në vazhdimësi, nëse mbetet i tillë. Pasi parimi i stabilitetit, integritetit dhe autonomisë vendimmarrëse në çdo nivel – që e ka çdo sistem demokratik i administrimit zgjedhor – me këtë vendimmarrje u hodh në erë duke e ekspozuar sistemin e administrimit në çdo kohë ndaj dirigjimit politik e duke e përqendruar atë në KQZ. Nëse ky organ do të vazhdojë të kontrollohet politikisht, procesi i numërimit dhe rezultatit do të varet nga oreksi politik i forcës që do të kontrollojë këtë organ. E them me bindje se kjo vendimmarrje është e pashoqe për një vend demokratik dhe si e tillë ka thithur të gjitha kritikat e ndërkombëtarëve, duke e konsideruar procesin zgjedhor të 8 majit të cënuar pas datës 14 maj.

Në fund të këtij procesi do të jetë e mundur të bëhet rakordimi i tabelave të rezultatit, një nga kërkesat tuaja në Kolegj, ku numri i fletëve të votimit në një kuti të përputhet me numrin e zgjedhësve që kanë votuar?

Nuk e di nëse hetimi nga organi përgjegjës për paligjshmërinë e prodhuar do të mund të prodhojë një produkt të ligjshëm. Por, disa nga shifrat janë të frikshme dhe problematike për një tabelë me integritet ligjor. Vetëm 117 kuti kanë prodhuar një deformim prej 380 votash, ndërkohë që edhe pa to, ka mbi 500 fletë më shumë se sa votues, duke përbërë edhe kjo një deformim serioz në raport me diferencën e kandidatëve. Një gjë është për t’u shënuar nga vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, që parregullsia e shifrave u konsiderua një shkelje serioze, madje kushtetuese, duke përbërë një shkak për pavlefshmëri të vendimit përfundimtar. Partia Demokratike këmbënguli që këto janë të papërfillshme dhe gabime njerëzore, të cila Gjykata s’duhet t’i konsideronte. Në fakt ndodhi e kundërta, duke e bërë problemin e shifrave, që nuk rakordojnë, një mangësi të vërtetë ligjore që ka pak gjasa të rregullohet nga KQZ.

Nëse nuk arrihet kjo përputhje, çfarë pritet të ndodhë? Ka ende hapësira ankimi për këtë çështje, pasi zoti Ristani është shprehur se ankimimet në vazhdim do të jenë vetëm për vendimmarrjen që do të ketë KQZ për procesin që po kryen?

E thashë dhe pak më lart, nëse diferenca e shifrave tejkalon diferencën e kandidatëve, ky është një devijim serioz. Këtë e konfirmoi edhe Kolegji, qëndrim që e ka mbajtur edhe më parë. Këtë në fakt na mëson edhe eksperienca e vendeve demokratike apo praktikat e mira zgjedhore botërore, të cilat diferencat mes zgjedhësve që kanë votuar dhe votave të numëruara i konsiderojnë shkelje serioze dhe, nëse gara është e ngushtë, të çojnë në dy rrugë. E para, rinumërim total për të parë shkaqet e mospërputhjes dhe, nëse nuk gjenden këto shkaqe, në përsëritje zgjedhjesh. Nga ky parim nuk shmanget dot as Ristani, as ndonjë tjetër, pasi nëse shkaku ligjor i faktit për prishjen e vendimit nuk korrigjohet, si mundet një gjykatë të rrëzojë vetveten dhe të miratojë të njëjtin vendim me mangësi? Nëse ndodh kjo, do të jetë kapitullimi i Kolegjit Zgjedhor, pasi do të kundërshtojë vendimmarrjen e tij për shkaqe që lidhen jo më me ligjin, por me palët e përfshira në procesin e Bashkisë Tiranë. “Ristanokracia” duhet të mos harrojë që nuk kemi akoma një rezultat dhe procesi i numërimit sipas Kolegjit nuk ka mbaruar, gjë që dikton nxjerrjen e një tabele dhe vendimi të ri për të, duke bërë që ligjshmëria për këtë proces të përfshijë edhe këtë fazë, por edhe vetë produktin e të gjithë procesit në tërësi. Pra, ankimi për këtë tabelë të re nuk është shteruar. Cili do të jetë ai? Për këtë le të presim fundin e farsës.

Është përmendur ditët e fundit edhe opsioni i përsëritjes së zgjedhjeve për Tiranën, një opsion që PS pas 16 majit e ka përjashtuar. Sa është e mundshme një gjë e tillë dhe në ç’kushte mund të ndodhte kjo?

Ky s’ka qenë opsioni ynë i dëshiruar, pasi përpara se të ndërhyhej në proces nga KQZ më datën 18 maj dhe pasi numërimi kishte përfunduar, procesi shkonte në rregull dhe nuk kishte asnjë kundërshti. ”Orgjia” e rinumërimit në KQZ dhe deformimi që pasoi e cënuan ligjërisht procesin, në atë masë që mua më duket e vështirë të risillet në gjendjen që parashikon ligji. Dhe kur një proces nuk vjen në përputhje me atë që parashikon ligji dhe kur këto shkelje të ligjit potencialisht ndikojnë mbi një garë të ngushtë, pavlefshmëria e zgjedhjeve mbetet opsioni i vetëm i korrigjimit dhe garuesit hyjnë në një garë të re. Kjo është praktika e ndjekur edhe në vendin tonë, kjo është ajo çka na mëson edhe praktika më e mirë e zgjedhjeve në botë. Ata që i tremben kësaj, t’i kishin menduar më parë pasojat që sjell veprimtaria e tyre ekstraligjore.

Zoti Gjiknuri, Gjykata Kushtetuese, përmes një vendimi të marrë pak ditë më parë, i hoqi mandatin deputetit Ilir Beqja, ndërkohë që ka pushuar kërkesën e PS të mbrojtur nga ju vetë në këtë Gjykatë, lidhur me mandatet e rreth 15 deputetëve që gjatë zgjedhjeve të 2009 dhe pas tyre nuk dhanë dorëheqjet nga funksionet e tyre si kryetarë bashkish, komunash apo funksionarë të lartë të administratës publike. Si e gjykoni këtë vendim?

Nuk e kam parë vendimin të zbardhur, pasi akoma nuk ka një të tillë, por ndjehem i trishtuar për atë çka vendosi Gjykata. Fatkeqësisht, edhe kështjella e fundit deri pak kohë më parë e pavarësisë në këtë shtet po jep shenja dorëzimi. Një nga këto shenja është edhe rasti i Ilir Beqes. Pasi Gjykata në këtë vendim rrëzoi precedentin e vendosur më parë po prej saj, për kuorumin e vendimmarrjes në Kuvend, por edhe për përdorimin e taktikës procedurale që përdori për të trajtuar  vetëm çështjen e mandatit të Ilir Beqes, ndërkohë që rrëzoi kërkesën tjetër për interpretim të Kushtetutës, që prekte shumë deputetë të tjerë të maxhorancës. Sepse në këtë kërkesë të fundit prekeshin një sërë çështjesh të mprehta që nuk gjetën përgjigje, megjithëse ndodheshin në kushte të njëjta, madje edhe më të renda se rasti i zotit Beqja. Përfundimi i drejtësisë Kushtetuese rezulton me mbarimin e mandatit të një deputeti të opozitës, shembullor për sa i përket jetës dhe veprimtarisë parlamentare, për veprime të kryera përpara betimit të tij si deputetët. Ndërkohë që disa deputetë aktual të maxhorancës apo dhe bashkëshortë të tyre përfitojnë para publike, kontrata publike, madje në gjendje të përhershme, siç janë kontratat koncesionare, por që Gjykata Kushtetuese nuk u dha përgjigje. Ashtu siç nuk dha përgjigje edhe për pazgjedhshmërinë e 5 deputetëve të PD-së që kanë qenë të zgjedhur vendor dhe që kandiduan për deputet. Dhe a e dini përse? Sepse për këtë nuk ka vendim Kuvendi dhe si rezultat nuk ka çështje. Pra, edhe respekti i Kushtetutës dhe etikes që lidhet me mandatin në Shqipëri, varet nga vendimi i shumicës së Kuvendit. Ky është paradoksi që kërkuam të interpretojmë në Gjykatë, pasi respektimi i Kushtetutës nuk mund t’i lihet “policimit” që do t’i bëjë vetë maxhoranca anëtarëve të saj, ndërkohë në çdo vend tjetër europian këtë të drejtë e ka çdo zgjedhës apo pakicë kuvendore.

Në Asamblenë e fundit të PS u diskutua për hapat që do të ndërmarrë PS për të ardhmen dhe ku u duk edhe si një qëndrim i ri ndaj Parlamentit. Ndërkohë zoti Brace ka paraqitur një platforme të re, e cila nuk u miratua nga Asambleja dhe ku behej fjalë për rikthim në Kuvend, reforme kushtetuese dhe opozite të fortë? A i shihni këto qëndrime si një rishikim të rrugës së ndjekur deri tani apo konsulta me bazën do të përcaktoje qëndrimin e ardhshëm?

Mendoj se kushdo që e dëgjoi fjalën e zotit Rama dalloi qartë opsionin që ai hodhi për të ardhmen politike të PS. Mes të tjerave ai foli për një Parti Socialiste me një projekt alternativ europian për Shqipërinë. Në fakt, kjo është ajo çka kërkon pjesa më e madhe e shqiptarëve, të cilët shohin te PS të vetmen shpresë për të ndalur avancimin autokratik të pushtetit të Berishës dhe degradimin e gjendjes politike dhe ekonomike të vendit. Rrënimi i zgjedhjeve të fundit konfirmoi përfundimisht shkaktarin e vërtetë të krizave në vend, i cili po thith dita ditës kritikat e partnerëve ndërkombëtar për fatin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Përpara se Europa të na mbyllë dyert përfundimisht, gjë që do të vinte në pikëpyetje të ardhmen e demokracisë në këtë vend, i duhet forcave politike të vendit, por edhe vetë qytetarëve në tërësi, të mbrojnë këtë vlerë të patjetërsueshme. Dhe zgjidhja këtu mbetet përsëri politika, pasi çdo rrugë tjetër mund të çojë në shtigje pa kthim. Mendoj se shumica e njerëzve e kanë kuptuar që vetëm një forcë opozitare me alternativë idesh, modelesh dhe sjelljesh do të mund të rikthejë besimin te politika në këtë vend dhe do të mund të ngjizë atë nevojë të madhe që ka shoqëria për ndryshim dhe integrim europian. Projekti europian i Shqipërisë nuk mund të sabotohet nga taktika që provokojnë opozitën në ekstrem, me qëllim marzhinalizmin e saj dhe daljen e saj jashtë sistemit politik e më pas krijimin e alibisë se po na pengon opozita apo është faji i saj për falimentimin e projektit europian, i cili në fakt si shkak kryesor ka modelin Berishian. Pasi është ky model që provokon krizë si në zgjedhje, ashtu edhe në Parlament e më pas akuzon opozitën. Mendoj se ka ardhur koha të kuptojmë se personi më i interesuar që ta mbajë opozitën jashtë sistemit politik dhe institucioneve është Berisha, me qëllim që koston e falimentimit politik dhe ekonomik e frenimin e procesit të integrimit, të mundohet ta ndajë me opozitën. Prandaj opozita duhet të marrë në dorë situatën si forca më e madhe e këtij vendi dhe të ofrojë shembullin dhe propozimet e saj për çdo reformë të nevojshme kushtetuese, parlamentare, zgjedhore apo edhe më gjerë, me qëllim adresimin e krizës së gjithanshme në këtë vend dhe ekspozimin e vërtetë të modelit Berishian, si pengesën e vetme të integrimit europian të Shqipërisë. Berisha edhe mund të mos pranojë, por koha do ta bëj të sajën dhe një parti me model dhe orientim të ri do të mund të zgjerojë rrethin e mbështetësve dhe aleancat e saj drejt një të ardhme që sa vjen e më shumë do të identifikojë pengesën e fundit në këtë rrugë, Berishën, e më pas të arrijë atë masë kritike ndryshimi që nuk ka Ristan apo hile që ta ndalë drejt së ardhmes së saj europiane, që natyrisht nuk përfshin pengesën e fundit në këtë rrugë, Berishën.

Nëse diferenca e shifrave tejkalon diferencën e kandidatëve, ky është një devijim serioz. Këtë e konfirmoi edhe Kolegji, qëndrim që e ka mbajtur edhe më parë. Këtë në fakt na mëson edhe eksperienca e vendeve demokratike apo praktikat e mira zgjedhore botërore, të cilat diferencat mes zgjedhësve që kanë votuar dhe votave të numëruara i konsiderojnë shkelje serioze dhe, nëse gara është e ngushtë, të çojnë në dy rrugë. E para, rinumërim total për të parë shkaqet e mospërputhjes dhe, nëse nuk gjenden këto shkaqe, në përsëritje zgjedhjesh.

“Ristanokracia” duhet të mos harrojë që nuk kemi akoma një rezultat dhe procesi i numërimit sipas Kolegjit nuk ka mbaruar, gjë që dikton nxjerrjen e një tabele dhe vendimi të ri për të, duke bërë që ligjshmëria për këtë proces të përfshijë edhe këtë fazë, por edhe vetë produktin e të gjithë procesit në tërësi. Pra, ankimi për këtë tabelë të re nuk është shteruar. Cili do të jetë ai? Për këtë le të presim fundin e farsës.

 

© Panorama.al

Te lidhura