Gjiknuri: PD po shtyn reformën deri në zgjedhjen e Presidentit

Feb 21, 2012 | 12:53

Damian Gjiknuri

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

“Mosndryshimi i sistemit nuk rrezikon të majtën, fitorja do përcaktohet nga programi”

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, shprehet se PD kërkon të bashkojë fatin e reformës me zgjedhjen e Presidentit.
Në një intervistë për “Panorama”, Gjiknuri flet dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe marrëdhëniet me aleatët.
Zoti Gjiknuri, kohët e fundit duket sikur kompromisi i nisur me reformën zgjedhore ka filluar t’u lërë vend mosmarrëveshjeve, madje duke çuar edhe në rrezikim të afateve që ju i vendosët në nëntor 2011, vazhdoni të jeni optimist në këtë proces?
Në fakt, ajo që po ndodh, i afrohet realizmit politik dhe është e pritshme. Personalisht nuk kam pasur asnjë iluzion që ky proces do të shkonte “vaj” dhe që konsensusi do të gjendej me një ”të rënë të lapsit”. Përkundrazi, është një proces i vështirë, që kërkon durim, vullnet dhe mendje të hapur ndaj një maxhorance, që është mësuar të shpërfillë tërësisht opozitën dhe që ruajtjen e statuskuosë e konsideron vijën e fundit të mbrojtjes. Kjo qasje mund të duket paradoksale për këdo që sheh te kjo shumicë, sidomos tek Berisha, simbolin e qëndrueshmërisë së të keqes. Prandaj, propozimet tona përgjithësisht bazohen në zgjidhje racionale ndaj problemeve reale që kanë zgjedhjet në vend dhe që pakkush mund t’i mohojë se ekzistojnë. Për më tepër, ky nuk është më fiksioni ynë, por konkluzion i epikrizës së zgjedhjeve të kryer nga misioni i ODHIR, i cili arriti në përfundimin e saktë,  se në Shqipëri zgjedhjet janë të keqadministruara, duke cenuar besimin e publikut në procesin zgjedhor. Pikërisht adresimin e kësaj çështjeje synojnë dhe propozimet tona, bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e ODHIR, por edhe në ato praktika të mira ndërkombëtare për probleme të ngjashme. Kjo qasje është  principale dhe herët ose vonë do të nxjerrë zbuluar të vërtetën e vullnetit politik përpara opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar. Mendoj që ky i fundit e ka kuptuar qartë këtë ekuacion, duke e vendosur suksesin e reformës zgjedhore si prioritetin kyç për procesin e dhënies së statusit kandidat. Nëse Berisha vendos ta sakrifikojë dhe këtë prioritet kombëtar për të ruajtur patronazhin e tij ilegal mbi zgjedhjet, kjo do të jetë një e keqe e madhe për të gjithë shqiptarët. Çka pason është rruga e sigurt drejt krizës, që do të dojë edhe pak kohë të staturohet plotësisht. Por në fund, e keqja do të konsumojë vetveten.
Cilat janë këto propozime racionale për probleme reale që thoni ju dhe që maxhoranca po i kundërshton?
Disa janë bërë publike. Disa janë në negocim e sipër, sipas parimit le t’i konsumojmë një herë mes palëve në Komision, e më pas nëse nuk gjejmë zgjidhje, publiku duhet të njihet me to, për të kuptuar se cili është qëndrimi dhe vullneti i palëve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Siç po e kupton se pas rezistencës për të mos pranuar dorëheqjen e zyrtarëve të lartë përpara kandidimit si deputetë, paçka se Kushtetuta kërkon një gjë të tillë apo ODHIR kërkon kufizim të përdorimit të burimeve publike, qëndron plani i veprimit për të kandiduar shpurën e drejtorëve në listat e kandidatëve mbështetës, me synimin për të mobilizuar lloj-lloj ‘hordhish’ e burimesh në funksion të votës.
Siç po qartësohet, refuzimi për të kufizuar reklamat shtetërore me natyrë politike lidhet me garën elektorale, paçka se është një aktivitet shtetëror, i paguar me para publike deri në miliona euro, i parregulluar me ligj dhe që cenon rëndë parimin e Kopenhagës për neutralitetin e shtetit në çështje elektorale. Dhe të mendosh që ky është vetëm fillimi. Ndërkohë që një numër çështjesh janë duke u diskutuar, siç është hartimi i listës së zgjedhësve, e cila kërkon zgjidhje që sigurojnë integritet dhe transparencë, apo identifikimi i zgjedhësve në ditën e votimit në kohë reale e bazuar në teknologji të vlefshme, të aplikuara në vende të tjera dhe që bazohen tek një databazë dokumentesh biometrike, për të cilën shqiptarët kanë paguar miliona euro, por që akoma nuk po ia shohin vlerën. Për të vazhduar me numërimin elektronik të votës, që asgjëson njëherë e mirë problemin e tjetërsimit të votës dhe që shmang tensionet në numërim. Por në fund, që të gjitha këto masa të kenë sukses, kërkohet një administratë zgjedhore profesionale e neutrale, sidomos në majën e saj KQZ-në, pasi aty fillon dhe mbaron politizimi i zgjedhjeve me pasoja në çdo nivel, aq sa ODHIR me të drejtë e konsideroi si minuese të zgjedhjeve, që s’e ka për gjë të ndryshojë rregullat pasi mbaron gara. Këto janë problemet reale, të cilat PS kërkon të adresojë në këtë reformë, duke hulumtuar rrugët më të mira edhe me palën tjetër e duke i dhënë kohë të mjaftueshme debatit dhe konsultave në lidhje me të. Për këtë një ndihmë të çmuar mund të jetë dhe ekspertiza ndërkombëtare në Komision, e cila mund të shërbejë si katalizator i kompromisit, bazuar në ato standarde apo praktika nga të cilat udhëhiqet bota demokratike. Të paktën kështu kemi rënë dakord në vendimin e Kuvendit për reformën zgjedhore.
A mendoni se refuzimi për të ndryshuar sistemin zgjedhor apo korrektuar atë ka lidhje me daljen në skenë të partive të tjera nga e djathta, dhe a mund të sjellë kjo vështirësi për koalicionin opozitar, pasi duket se çimenton avantazhin e koalicionit qeverisës?
Sali Berisha nga ithtari publik për të pranuar çdo sistem zgjedhor të opozitës deri në shtator, ndryshoi radikalisht qëndrim pas deklarimeve të Bamir Topit për mundësinë e një partie të re. Ky është shkaku dhe shpjegimi i vetëm racional në refuzimin e tij dhe në hedhjen në kosh të një prej pikave të marrëveshjes që kishte me LSI, kur kjo e fundit hyri në koalicion. Nga ana tjetër, refuzimi për të korrektuar sistemin zgjedhor, sjell çimentimin e cenimit të parimit të barazisë së votës, kryesisht ndaj partive të vogla. Mbi të gjitha, ndaj partive të aleancës së djathtë, që kanë shërbyer si planktone të vërteta elektorale për të ushqyer PD. Nëse dëshirojnë ta mbajnë këtë status, kjo është zgjedhje e tyre. Në fakt, tani pritet të ushqejnë edhe një forcë tjetër politike në koalicion, LSI-në,  nëse kjo e fundit do të garojë me të njëjtin koalicion me PD.
Duke qenë se votat nuk janë blloqe inerte që nuk lëvizin pas 8 vitesh keqqeverisje, duke parë që disa nga aleatët e PD-së vështirë të mbijetojnë me ndonjë mandat nëse LSI garon me PD, duke shmangur votën e vjedhur, e cila në disa zona është vendimtare, mjafton të shikosh përqindjen e votimit në Kukës e Dibër dhe kupton fare thjesht këtë, si dhe duke konsideruar variabla të tjera të panjohura nga aktorët e rinj politikë të djathtë, të cilët priten t’i shkaktojnë dëm elektoral PD-së, mosndryshimi i sistemit elektoral nuk dobëson shanset e koalicionit të majtë për fitore. Ne si opozitë po punojmë për të akomoduar edhe interesat e partive tona aleate me qëllim konsolidimin e votës sonë si koalicion kudo. Por mbi të gjitha, fitorja do sigurohet nga modeli i sjelljes dhe programi qeverisës që e majta ka për popullin, i cili ka vite që pluskon në kënetën ku e ka zhytur kjo qeveri.
Sa ndikon afrimi i garës për zgjedhjen e Presidentit me suksesin e reformës zgjedhore dhe a ka lidhje zgjedhja e tij me procesin e reformës?
PS i shikon këto procese të shkëputura. PD duket se preferon shkrirje mes tyre, me qëllim fitimin e kohës, krijimin e amullisë, pasigurisë dhe shtyrjen e reformës në funksion të përfundimit të procesit zgjedhor presidencial. Kjo është fatale për fatin e reformës zgjedhore, por kalkulimet tinëzare e intranzigjenca në qëndrime mund të bëjë gjithçka për ta nxjerrë procesin e reformës zgjedhore nga shinat, së bashku me statusin e vendit kandidat. Ndërkohë, zgjedhja e Presidentit është një provë tjetër e madhe se sa e hapur është kjo qeveri për kompromis në emër të Kushtetutës dhe integrimit të vendit. Nëse Berisha do të preferojë instalimin e Presidentit kukull, duke shkelmuar frymën e Kushtetutës, duke shpërfillur hapur këshillat e Perëndimit për një dialog për figurën e unitetit të vendit, duke u nxitur nga  instinktet e hakmarrjes mbi ato të një shtetari të një vendi të NATO-s, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të skalisë përfundimisht rolin e kërcënuesit më të madh ndaj të ardhmes demokratike të këtij vendi. Në fakt, kjo do të shënojë dhe fundin e tij politik, pasi krediti i tij si me Perëndimin edhe me shqiptarët ka mbaruar, duke e bërë falimentimin e tij të sigurt, por që fatkeqësisht do të shoqërohet me kosto që pritet t’i paguajmë të gjithë.

Fino: Referendum në PS, për të reduktuar numrin e bashkive dhe komunave

Dje gjatë takimit për programin e PS

Partia Socialiste zhvilloi dje tryezën lidhur me autonominë vendore dhe problematikën që ka sot pushteti vendor. Grupi i punës së programit që merret me çështjet e pushtetit vendor, i kryesuar nga Bashkim Fino prezantoi gjendjen në të cilën ndodhet qeverisja vendore, pas ndërhyrjeve të herëpashershme nga qeveria qendrore. Fino u shpreh se një diskutim i gjerë që kërkon dhe votën e maxhorancës, është reforma administrative. “Kërkohet të zhvillohet një reformë e plotë administrative, pasi është luks për Shqipërinë që të ketë sot 384 njësi vendore. Por kjo kërkon konsensusin edhe të maxhorancës. Ne do të organizojmë referendum brenda PS, për të diskutuar nëse jemi dakord që të kemi kaq shumë komuna dhe bashki, nëse do të kemi dy nivele, komunë dhe bashki apo vetëm komunë”, u shpreh Fino. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, paraqiti me tabela situatën e rëndë në të cilën ndodhen financat dhe investimet e njësive vendore për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Sipas tij, 7 herë rrëzoi Gjykata Kushtetuese ligjet e qeverisë që cenonin pavarësinë e pushtetit vendor. Ndërsa kreu i PS, Edi Rama, në fjalën e tij ka përsëritur disa herë togfjalëshin “degradim i pushtetit vendor”. Ky degradim, sipas Ramës, u vu re edhe me situatën e krijuar nga reshjet e dëborës. “Kjo krizë e fortë, sigurisht e shkaktuar nga tërbimi i motit, por edhe e nënvizuar nga fakti se strukturat e qeverisë që duhet të parashikonin, parandalonin dhe planifikonin përballjen me krizën, nënvizoi domosdoshmërinë e një ndryshimi që çdo shqiptar e ndien të nevojshëm përditë e më shumë”, deklaroi Rama.

PS: INSTAT të kalojë në varësi të Parlamentit
Komisioni i Integrimit ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për statistikat zyrtare”. Drafti ka të bëjë me kalimin e institucionit të Institutit të Statistikave nga Këshilli i Ministrave, në varësi të Kryeministrit. Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, deklaroi dje se INSTAT-i duhet të shkëputet nga kontrolli i ekzekutivit dhe t’i kalojë në varësi Parlamentit. Bushati evidentoi dhe disa nga kritikat e progres-raportit të vitit 2011, sipas të cilit theksoi se “kuadri ligjor që rregullon punësimin dhe shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave, nuk garanton mjaftueshëm pavarësinë profesionale të INSTAT-it”. “Nevojiten amendime ne ligj, thuhet në progres-raportin e vitit 2011. Çështja e emërimit të drejtorit, jo suazës së Këshillit të Ministrave, dhe ju me këtë projektligj po e çoni tek Kryeministri, është një çështje shumë esenciale. Do të ishte momenti i artë që nga Këshilli i Ministrave, INSTAT t’u delegohej strukturave të tjera më kontrolluese, jashtë ekzekutivit, siç e kanë vendet e BE-së dhe që ia kanë deleguar Parlamentit. Kjo deklaratë e kryetarit të Komisionit ka ngjallur reagimin e anëtarëve të maxhorancës, të cilët kanë vënë në pah se ligji për funksionimin e INSTAT-it është hartuar që nga viti 2003 nga qeverisja e Partisë Socialiste. “Nuk po ngarkojmë Kryeministrin, ai është i ngarkuar, sepse INSTAT-i është në varësi të Këshillit të Ministrave, pra të Kryeministrit. Kështu që mos u shqetësoni që të funksionojnë institucionet”, theksoi deputeti Sherefedin Shehu. Ndërkaq, përfaqësuesit e maxhorancës kërkuan nga deputetët e opozitës që të paraqesin çdo amendim në ligjin e INSTAT-it. Kalimi i kompetencave është shoqëruar dhe me batuta në Komision. “Meqenëse Kryeministri po shkon 70 vjeç, a nuk ju duket se po e ngarkoni shumë me gjithë këtë ngarkesë? Ka moshë të merret dhe me statistikat ai!”, theksoi deputeti Marko Bello. Kjo deklaratë gjeti kundërpërgjigjen e deputetes Mesila Dodaj, e cila tha se: “74 vjeç mori detyrën Presidenti i Gjermanisë, mos e kini aq merak Kryeministrin Berisha”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura