
VLORE – Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi dje pas shumë debatesh ndërmjet këshilltarëve buxhetin e vitit 2012. Para se të nisnin diskutimet për rendin e ditës, kryebashkiaku Gjika i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë investime në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë. Pas tij, edhe këshilltarët e majtë deklaruan se qeveria duhet të kthejë sytë nga qyteti i Vlorës dhe të kujtohet se festa është e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e vlonjatëve. “Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, qyteti ka nevojë për investime të cilat buxheti i Bashkisë nuk mund t’i mbulojë”, pohuan ata. Gjika iu kërkoi edhe këshilltarëve të djathtë që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin projektet e Bashkisë për këtë festë. Sipas Gjikës, bashkia që prej një viti i ka dorëzuar qeverisë projektin për investimet, të cilat kërkojnë ndihmë të menjëhershme për t’i dhënë qytetit historik një fytyrë të re dhe një pamje festive për vizitorët vendës dhe ata të huaj. Kryebashkiaku tha se fondet e qeverisë duhen për Unazën e Re, nga Xhamia deri te Akademia, për bulevardin kryesor nga hyrja e qytetit deri në zonën e Skelës, si dhe për zonën e Skelës e më tej buzë detit. Ndërsa Bashkia do të financojë për rikonstruksionin e dy shesheve kryesore, atë të Pavarësisë dhe të Sheshit të Flamurit. Pas apelit që iu bë qeverisë për fonde, mbledhja e këshillit vijoi me rendin e ditës. Ndër pikat kryesore ishin miratimi i buxhetit të vitit 2012, dhënia e ndihmës ekonomike për muajin janar, vendimi për rregulloren e organizimit të detyrave dhe kompetencave të administratës së Bashkisë së Vlorës, vlera e privatizimi i banesave shtetërore të paprivatizuara. Miratimi i buxhetit të Bashkisë për vitin 2012 ka qenë edhe pika që ka sjellë debate dhe replikat më të shumta. Ilir Banushi, nënkryetari Ekonomik i Bashkisë, bëri të ditura prioritetet e projekt buxhetit të vitit 2012, prioritete këto të cilat konsistojnë në drejtim të përmirësimit të detyrimeve fiskale ndërmjet kategorive dhe grupeve të biznesit, shërbimet në ndihmën sociale etj. Kryetari Gjika pranoi se ky buxhet nuk është buxheti më i mirë, por sipas tij, ky është më i miri i mundshëm, duke pasur parasysh krizën ekonomike që ka mbërthyer jo vetëm vendin tonë, por edhe rajonin. Sipas tij, ky buxhet ka synuar uljen e shpenzimeve deri në vlerën 30%, por jo nivelin e investimeve. Këshilltarët e djathtë nuk kanë qenë dakord me projektet e paraqitura, por në fund, me shumicë kartonësh, buxheti u miratua. q.b











