Gjermania: Kufijtë nuk kanë për të ndryshuar më

Aug 12, 2011 | 11:27
Hashim Thaçi dhe Guido Vestervelle

Deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman në Kosovë, Guido Vestervelle, la mesazh të fortë gjatë vizitës së tij në Kosovë për serbët dhe pretendimet e tyre mbi Veriun: Kufijtë nuk ndryshojnë më!Kryediplomati gjerman, i cili vizitoi Kosovën pas Kroacisë e Malit të Zi, u takua dje me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Vestervelle ritheksoi pozicionin e vendit të tij, se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan dhe, sipas tij, për Gjermaninë kjo është e qartë. “Nuk do të diskutohet asnjëherë ndarja e Kosovës dhe për ne kjo është punë e kryer”, tha ai pas takimit me Thaçin. I pyetur në konferencën për shtyp nëse Serbia do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës për anëtarësim në BE, Vestervelle tha se secili vend duhet të negociojë për anëtarësim, duke shtuar se një nga pikat që duhet të diskutohet për anëtarësim është edhe çështja e kufijve. “Për Gjermaninë, integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm dhe harta e Ballkanit është realizuar përfundimisht”, tha ai. Sipas diplomatit të lartë gjerman, konfliktet dhe përleshjet në baza etnike nuk përkojnë me Europën. Ai theksoi se është e rëndësishme që procesi i dialogut të rifillojë sa më parë. “Të gjitha çështjet e mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në kuadër të zgjidhjeve politike e ekonomike”, theksoi ai duke u bërë thirrje edhe 5 vendeve të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa kryeministri Thaçi theksoi se zhvillimet e fundit në Veri kanë qenë të domosdoshme dhe të ligjshme.

“Krimineli”

Në një dokument konfidencial të forcave të NATO-s mbi biografinë dhe veprimtarinë e mbi 400 personave në Kosovën Veriore, kryesisht serbë, flitet edhe për biografinë prej kapobande të të ashtuquajturit lider i serbëve të veriut, Milan Ivanoviç. “Ivanoviç është karakter ksenofobik, që kontrollon të gjitha karburantet në veri, kontrabandën me ilaçe etj”, shkruan në dokument.

© Panorama.al

Te lidhura