Gjermania fiton derbin, vuajnë Spanja e Italia

Sep 12, 2012 | 13:15

“Axurrët” kursehen ndaj Maltës, Kampionët e Botës i shpëton Soldado.

Shënon Rojs e Ozil, por dështon sërish sulmi i “pancerave”

Gjermania fiton në derbi me Austrinë, Italia vuan shumë ndaj modestëve maltezë, ndërsa Kampionët e Botës dhe të Europës në fuqi mezi ia dalin në fushën e vështirë të Tbilisit. Spanja ka arritur një fitore minimale dhe ruajtëse në transfertën që rezultoi shumë e vështirë ndaj Gjeorgjisë. Ai që shpëtoi të besuarit e trajnerit Vinsente del Boske, ka qenë sulmuesi i Valencias, Roberto Soldado, i cili shënoi në portën e gjeorgjianëve në minutën e 86-të. Kampionët e Spanjës janë munduar gjatë gjithë kohës të çajnë një superskuadër mbrojtëse si Gjeorgjia, që pa shumë alternativa të tjera kishte zgjedhur pikërisht këtë mënyrë për të ndalur ofensivën e iberikëve, madje ishin shumë pranë realizimit. Ai që i prishi llogaritë e lindorëve ishte Soldado, i cili shënoi golin e tij të parë në një ndeshje zyrtare me Spanjën, pasi kishte shënuar një tregolësh në një miqësore ndaj Venezuelës. Për momentin skuadra e Spanjës është e pozicionuar në vendin e dytë në grup pas Francës, që ka kryer një ndeshje më shumë. Ndërkohë Gjermania e Joakim Lëvit mundi Austrinë falë golave të Rojs dhe penalltisë së kthyer në gol nga Ozil. Gjithsesi, edhe në këtë ndeshje nuk shënoi një sulmues, që vërtetoi edhe një herë shqetësimin e teknikut për ekipin që ka në dispozicion. Nuk kaloi pa vuajtje edhe Italia e Prandelit. Edhe pse “axurrët” kaluan në avantazh që në minutën e pestë të pjesës së parë me Destron, përsëri nuk treguan shumë në aspektin e lojës përballë një skuadre tejet modeste, sikundër ishte Malta. Ndërsa në minutën e fundit ka kohë edhe për golin e parë të Pelusos me kombëtaren. Fitore ka rritur edhe Holanda në fushën e Hungarisë, duke u konfirmuar si skuadra kryesuese e grupit, pasi të besuarit e trajnerit Van Gal kanë shënuar 4 herë me anë të 2 golave të Lens, 1 të Huntelar dhe 1 të të riut 20-vjeçar Bruno Martins Indi. Për vendësit golin e vetëm e shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit Balash Dzhudxhak.

“Austria përfitoi nga gabimet tona”
Me këtë rezultat, Gjermania arrin fitoren e 501-të në histori, si dhe ndëshkon tetë herë radhazi fqinjët e Austrisë, duke çuar bilancin e fitoreve ndaj tyre në 12 në 38 ndeshje. “Zhvilluam një ndeshje me shumë rreziqe. Bëmë shumë gabime dhe vendësit na rrezikuan nga gafat tona. Kemi bërë shumë përmirësime në disa pjesë të lojës, por tani nuk na mbetet tjetër veçse të hedhim hapin e radhës, të jemi konsekuentë në mbrojtje dhe të nervozojmë kundërshtarin që në fillim. Kur jemi në avantazh 2-1, duhet të jemi në gjendje të mbajmë rezultatin duke qarkulluar topin”.

Lampard shpëton Anglinë
Kundër Ukrainës përfundoi dhe muaji i mjaltit për Roi Hoxhsonin. Ajo penallti në minutën e 86-të vërtet që shmangu humbjen e parë të trajnerit të Anglisë, por i zbriti “Tre Luanët” me këmbë në tokë, pas shuplakës që i dhanë Moldavisë në ndeshjen e parë. Që të kuptosh se Ukraina i vuri me të vërtetë në vështirësi, është dhe dalja me karton të kuq e kapitenit Xherrard pas së verdhit të dytë, apo Kleverlej që humbi dy gola të sigurt, apo goli i anuluar i Defosë, që tërboi Hoxhsonin në stol.

Norvegjia “përmbys” Slloveninë, fiton Qipro
Pas humbjes shokuese në Islandë, për djemtë e trajnerit Olsen fitorja ishte një detyrim në shtëpi, ku prisnin Slloveninë. Gjithsesi, ndeshja nisi keq, sepse pas 17 minutash lojë miqtë kaluan në avantazh. Ishte Shuler ai që gjeti rrugën e rrjetës. Gjithsesi “vikingët” nuk vonuan për të reaguar dhe në të 27-ën, Henriksen barazoi rezultatin. Kur u duk sikur ndeshja po mbyllej në barazim, erdhi dhe e papritura për miqtë. Soderlund u rrëzua brenda zonës në minutën e 94-t dhe arbitri turk, Firat Ajdinus, akordoi 11-metërsh. Gjuan Rise dhe vendësit marrin fitoren e parë. Në ndeshjen tjetër të grupit tonë, Qipro arriti të marrë tri pikë me shumë vështirësi ndaj Islandës, falë një goli të shënuar në pjesën e dytë nga Makridis në minutën e 57-të.

Kualifikimet europiane
GRUPI A
Serbia-Uells            6-1
Shënues: Kolarov 16’, Tosiç 24’, Djuriçiç 39’, Tadiç 55’, Ivanoviç 80’, Sulejmani 90’/ Bejl 31’
Belgjikë-Kroaci            1-1
Shënues: Zhille 45’/ Perisiç 6’
Skoci-Maqedoni        1-1
Shënues: Miller 43’/ Noveski 11’

GRUPI B

Bullgari-Armeni            1-0
Shënues: Manolev 43’
Itali-Maltë            2-0
Shënues: Destro 5’, Peluso 90’

GRUPI C

Suedi-Kazakistan        2-0
Shënues: Elm 37’, Berg 90’
Austri-Gjermani            1-2
Shënues: Jonuzoviç 57’/ Rojs 44’, Ozil 52’ (p)

GRUPI D

Rumani-Andorë            4-0
Shënues: Torje 29’, Lazar 44’, Gaman 90’, Maksim 90+2’
Turqi-Estoni            3-0
Shënues: Emre 44’, Bulut 60’, Inan 75’
Hungari-Holandë        1-4
Shënues: Dzhudxhak 7’/ Lens 4’, 53’, Indi 19’, Huntelar 74’

GRUPI F

Izrael-Rusi            0-4
Shënues: Kerzhakov 7’, 64’, Kokorin 18’, Fajzulin 76’
Ir.Veriut-Luksemburg        1-0
Shënues: Shiels 14’
Portugali-Azerbajxhan        3-0
Shënues: Varela 63’, Postiga 85’, B.Alves 88’

GRUPI G

Bosnjë-Letoni            4-1
Shënues: Misimoviç 12’ (p), 54’, Pjaniç 44’, Dzeko 90’/Gorks 5’
Sllovaki-Litenshtejn        2-0
Shënues: Sapara 36’, Jakubko 78’
Greqi-Lituani            2-0
Shënues: Ninis 55’, Mitroglou 72’

GRUPI H

San Marino-Mal i Zi        0-6
Shënues: Djordjeviç 24’, Beqiraj 26’, 51’, Zverotiç 69’, Delibasiç 78’, 82’
Poloni-Moldavi            2-0
Shënues: Blaszcikovski 33’ (p), Vavrzjniak 81’
Angli-Ukrainë            1-1
Shënues: Lampard 87’ (p)/ Konopjanka 38’

GRUPI I

Gjeorgji-Spanjë            0-1
Shënues: Soldado 86’
Francë-Bjellorusi        3-1
Shënues: Kapue 49’, Zhalet 68’, Riberi 80’/ Putsila 72’

© Panorama.al

Te lidhura