AGRON LOCI
E krijuar 11 vite më parë, pikërisht në shkurt të 2013, partia populiste e ekstremit të djathtë në Gjermani AfD (Allianz fuer Deutschland, shqip Aleanca për Gjermaninë), ka arritur me kalimin e viteve të rrisë ndjeshëm numrin e mbështetësve të saj. Në sondazhet e muajit shkurt 2024, AfD renditet si forcë e dytë politike, pas konservatorëve të CDU dhe shumë më përpara se të gjitha partitë e qeverisjes aktuale, përfshi SPD e kancelarit Scholz. Ajo kryeson gjithashtu me një mbështetje deri në 37% në tri Lande në Lindje të vendit, duke qenë forca e parë politike. Sot, 1 në 3 qytetarë në Lindje dhe 1 në 5 në rang vendi preferojnë AfD si parti qeverisëse. Historiku i saj tregon se qysh në vitin e parë kur merr pjesë në zgjedhjet për Bundestagun (Parlamentin Federal) nuk arrin të kalojë pragun minimal të 5% vetëm me 0.3%.
Katër vite më vonë arrin një rezultat spektakolar, duke shkuar në dy shifra në 12.6% dhe u renditur si forca e tretë politike pas dy partive të mëdha popullore. Në 2021 pëson një rënie të lehtë, por qëndron sërish në nivelin dyshifror në 10.4%. Ndërkohë, në fund të janarit 2024, të dhënat tregojnë një nivel rekord mbështetjeje, që shkon në 22% në nivel kombëtar, duke lënë prapa me diferencë, të tria partitë e koalicionit qeverisës të quajtur dhe “koalicioni semafor” (për shkak të ngjyrave identifikuese të tyre kuq, verdhë dhe jeshil) SPD, Liberalët dhe të Gjelbërit. Analistët theksojnë se shkaqet për këtë rritje të vazhdueshme të saj duhen kërkuar në faktorë të rëndësishëm si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Po t’i referohesh realitetit mbi atë që po ndodh në vendin me ekonominë dhe popullsinë më të madhe europiane dhe të tretën në botë, të dhënat tregojnë se Gjermania nuk po kalon prej kohësh një moment të mirë. Inflacioni i lartë i shoqëruar me recension, rënia e konsumit, pasojat e pandemisë, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë si një ndër tregjet kryesore për ekonominë gjermane, mungesa e zgjidhjes së çështjes së azilit dhe emigracionit, forcimi i populizmit dhe ekstremizmit të djathtë në shumë vende të zhvilluara europiane janë disa faktorë që kanë rritur mbështetjen ndaj AfD dhe çuar në nivelet më të ulëta mbështetjen për qeverinë aktuale. Të dhënat e fundit të një sondazhi që vlerëson punën e kancelarit Olaf Scholz tregojnë se vetëm 30% janë të kënaqur me punën e tij, ndërkohë që 66% e vlerësojnë atë të keqe. Sipas AfD, Gjermania po keqqeveriset dhe ka nevojë për politikanë që ta duan vendin. Alice Weidel, një ndër dy bashkëkryetarët e AfD, në një diskutim të para pak ditëve në Parlament për buxhetin federal do të deklaronte: “ … kjo qeveri e urren Gjermaninë…”. Gjermania sipas tyre ndodhet në gjendje të vështirë dhe vendi ka nevojë për një forcë politike si AfD, pasi ajo përfaqëson “zërin e popullsisë së heshtur”, që sipas tyre është zëri i shumicës së popullit gjerman.
POLITIKA E JASHTME NË VIZIONIN E AFD
E rrezikshme, e papranueshme dhe në dëm të interesave kombëtare konsiderohet nga shumë politikanë, analistë e gazetarë, vizioni që AfD ka për politikën e jashtme. Ajo ka një qëndrim të qartë dhe të vendosur kundër BE. Sipas bashkëdrejtuesit tjetër të partisë, Tino Chrupalla, AfD është për një “shpërbërje të kontrolluar të BE”, “…për një fillim të ri për Europën, që të mund të përdorim potencialin e kombit tonë dhe të rindërtojmë urat drejt Lindjes…”, “…BE është e pareformueshme dhe një projekt i dështuar…”. Ndërkohë që Weidel shkon dhe më tutje teksa deklaron se sa kohë që “…BE është e pareformueshme”, atëherë qytetarët duhet të vendosin ashtu si në Britaninë e Madhe nëse duan të jenë pjesë e BE ose jo. Ajo kërkon një “Dexit” për Gjermaninë. AfD është kundër sanksioneve të vendosura nga BE ndaj Rusisë, nuk e konsideron Putin kriminel lufte, mbështet Pekinin në politikën e tij ndaj Taivanit, është për një qasje tjetër për marrëdhëniet me SHBA, është kundër marrëveshjeve për mbrojtjen klimaterike etj.. Si model për ndërtimin e shtetit nëse vijnë në pushtet, ata marrin atë të Hungarisë së Viktor Orban. Pra, modelin qeverisës së një politikani autoritarist që jo vetëm ka kapur të gjitha institucionet e pavarura në vend, por kohët e fundit ka dalë hapur në mbështetje të një “Hungarie të madhe”, që përfshin territore edhe të vendeve fqinje në lindje.
REMIGRACIONI SI ZGJIDHJE PËR EMIGRACIONIN
Në politikën e brendshme në programin e tyre, një fokus të rëndësishëm zë alternativa që ata ofrojnë për të zgjidhur problemin e emigracionit. Në fakt, problemi i emigracionit mund të konsiderohet si një çështje “relativisht e re” për vendet perëndimore, përfshi edhe Gjermaninë. Filloi të zërë vend në debatin politik pas viteve ’90, kur Gjermania u kthye në vendin e preferuar të shumë emigrantëve të ardhur kryesisht nga ish-vendet e kampit socialist, pasi ai u shpërbë. Me stabilizimin e situatës politike dhe ekonomike, shumë prej emigrantëve të ardhur nga Lindja u rikthyen në vendet e origjinës. Vendin e tyre filluan ta zinin nga fillimi i mijëvjeçarit të ri azilantë të ardhur nga kontinenti aziatik dhe afrikan, për shkak të konflikteve për motive etnike dhe politike. Por nëse para viteve ‘90 emigrantët ishin ekonomikë, ata punonin duke mbajtur familjet e tyre, por edhe kontribuonin për buxhetin federal, emigrantët e ardhur pas ‘90 e më vonë shpesh me shumë fëmijë, të paspecializuar profesionalisht, në shumë raste nuk punonin (kjo edhe për shkak të ligjit federal të azilit) shteti gjerman mbulonte shpenzimet e tyre si për strehim, arsim, shëndetësi, asistencë familjare, vlerë kjo që kalonte çdo vit miliarda DM e më vonë Euro. Një pjesë e popullsisë gjermane filluan ta konsiderojnë këtë politikë të azilit si jo të drejtë derisa taksat që ata paguanin shkonin jo për të përmirësuar jetët e tyre, por për emigrantë “parazitë”, që i përfitonin ato të ardhura në kurriz të tyre dhe pa të drejtë. Këtu i kanë fillesat qëndrimet antiemigracion fillimisht në nivel lokal dhe me kalimin e viteve në nivel kombëtar, për të arritur kulmin e saj tashmë me background të qartë ideologjik dhe politik, AfD. Qysh në fillim ajo e vendosi shumë lart, madje mund të thuhet në çështjen identifikuese të saj axhendën dhe narrativën politike lidhur me çështjen e emigracionit dhe zgjidhjen e tij. Baza ideologjike për qasjen e saj nuk është e vështirë të gjendet në shembujt e shumtë gjatë shekullit të kaluar, por edhe në kohën tonë. Në thelb, ajo ka “frikën ndaj të huajit”, “frika se tjetri përmes numrit më të lartë të popullsisë e bashkë me të së kulturës së tij paraqet rrezik asimilimi” për “popullsinë autoktone”. Ky pozicion i tyre bazohet në teori konspirative, ku aludohet se ky “spastrim etnik”, “ky largim i banorëve autoktonë nga vendi i tyre dhe zëvendësimi me të huaj kryesisht të besimit islam” është një projekt real dhe drejtohet nga njerëz të fuqishëm dhe një elitë e fuqishme globale. AfD këtë “rrezik për ekzistencën e popullit gjerman” sugjeron ta zgjidhë përmes aplikimit në praktikë të politikës së “remigracionit”. Në thelb ajo nënkupton largimin me forcë e të gjithë emigrantëve dhe azilantëve drejt vendeve të tyre të origjinës. Por e veçanta është se ata shkojnë edhe më tej teksa brenda politikës së remigracionit përfshijnë edhe shtetas gjermanë me origjinë të huaj, si dhe të gjithë ata që pavarësisht se kanë nënshtetësinë gjermane, nuk janë asimiluar. Këto qëndrime bënë që jo vetëm në Berlin, por edhe në shumë qytete të tjera gjermane të ketë protesta masive, madje edhe me kërkesën deri në fillimin e procedurave për nxjerderi në fillimin e procedurave për nxjerrjen jashtë ligjit të kësaj partie.
UNIKULTI VS MULTIKULTI
Islamofobia, racizmi, urrejtja ndaj tjetrit që është “ndryshe” kanë qenë qysh në fillim ndër shtyllat kryesore të programit të AfD. Në një fjalim në Parlament të para disa kohëve, Weidel do të deklaronte se “burka, shamia e kokës, meshkujt me thika nuk garantojnë mirëqenien tonë, rritjen tonë ekonomike dhe para së gjithash shtetin social”. Për ta, prania e tyre në realitetin gjerman, në qytetet dhe rrugët e Gjermanisë, përbën një rrezik permanent dhe duhet qëndrim i vendosur dhe radikal për të shmangur rrezikun që i kanoset popullit dhe kulturës gjermane. Për AfD, “Multikulti” është një koncept dhe praktikë e papranueshme, këtë e deklaron edhe vetë kandidati i tyre kryesor për Parlamentin Europian, Maximilian Krach, i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste dhe radikale. Madje, kjo linjë radikale është jetësuar në sloganin e tyre të përzgjedhur për zgjedhjet e parlamentit europian që është: “Pro Dexit, Kundër Multikulti”.
MEDIAT TRADICIONALE ARMIKE, RRJETET SOCIALE ALTERNATIVA E PARË
Gati të gjitha mediat gjermane janë shprehur hapur kundër qëndrimeve të AfD. E ndodhur përpara kësaj trysnie mediatike, AfD shumë prej tyre i ka deklaruar si të padëshiruara dhe nuk i lejon të marrin pjesë në aktivitetet e tyre politike. Madje për ARD dhe ZDF, dy nga TV më të mëdha publike në vend, premton se në rast se vjen në pushtet, këto do të shkrihen për t’i reformatuar sipas idesë së tyre. Gjithsesi, ata janë përpjekur që hapësirën “e munguar” në media ta zëvendësojnë përmes një strategjie agresive në rrjetet sociale. Dhe nuk kanë zhgënjyer, se në realitetin virtual ata duket se nuk kanë konkurrentë. Ja se çfarë shkruan “Deutschlandfunk” më 21 janar 2024: “Për të pasur kontroll të plotë mbi mesazhet e veta dhe për të qenë e pavarur, AfD tani ka krijuar një rrjet të kanaleve të veta në mediat sociale: ‘Instagram’, ‘Tiktok’, ‘Twitter’, ‘YouTube’, ‘Facebook’. Grupi parlamentar i AfD në ‘YouTube’ ka 391,000 abonentë. Për krahasim, fraksioni SPD ka më pak se 4,000, fraksioni i Unionit ka më pak se 5,000″. Synimi është i qartë, përmes rrjeteve sociale ata shpërndajnë më lehtësisht mesazhet e tyre, kanë më shumë audiencë dhe synojnë që të arrijnë të kenë sa më shumë mbështetje nga të rinjtë, që janë edhe përdoruesit më të shumtë të këtyre kanaleve masive të komunikimit.
EPILOGU
Viti 2024 ka pak që ka hyrë dhe AfD është në një sprovë të dyfishtë për të parë deri ku do të arrijë, teksa do marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe në zgjedhjet lokale në tri Lande në shtator. Të dhënat e deritanishme tregojnë se në zgjedhjet lokale, ata kanë mundësi të qeverisin për shkak të dobësisë së qeverisë aktuale, ose mund të jenë një opsion për një qeverisje të pakicës por edhe mund të bashkëqeverisin me konservatorët e CDU. Pra, AfD një forcë e ekstremit të djathtë, është sot një realitet dhe alternativë politike qeverisje në Gjermani. Në thelb, ajo duhet kuptuar e shpjeguar si krijesë e një realiteti të ri që ecën më shpejt se politika tradicionale, e cila si një mekanizëm i ngadaltë burokratik kërkon një kohë më të gjatë të pasqyrojë në politika adekuate ndryshimet e sociale, ekonomike dhe politike. Por kjo ngadalësi shpesh përkthehet në rritjen e pakënaqësisë nga popullata dhe bën që forcat politike të përpiqen ta shfrytëzojnë për realizimin e qëllimeve dhe axhendave të tyre. Historia na ka mësuar se në kohë të tilla krizash, luftërash, vështirësish ekonomike, përplasjesh politike e ideologjike, që mund të shoqërohen me polarizime të thella sociale, mundet që alternativat radikale të forcave ekstreme majtas apo djathtas të gjejnë mbështetje popullore qoftë edhe të përkohshme tek elektorati. Por, historia na ka mësuar gjithashtu se, qeverisje të dala nga situata të tilla dhe që ofrojnë zgjidhje radikale deri në përmbysje të establishmenteve tradicionale, shpesh kanë rezultuar fatale për fatet e vendeve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al