Kjo mund të konsiderohet një humbje e vërtetë klientele për secilin restorant, qoftë edhe më i miri në botë. Pronarja e një restoranti në Ladenburg, Gjermani, ka përzënë mbretin e Suedisë, Karl Gustavin dhe bashkëshorten e tij Silvia kur ata kanë hyrë për të drekuar aty dhe e ka kuptuar vetëm më vonë gafën që ka bërë. “Në restorant ishte rrëmujë, kishim organizuar një drekë dasme dhe unë nuk i njoha mbretin dhe mbretëreshën. Punoj gjithë ditën dhe nuk kam kohë që të lexoj revistat”, tha Nadin Shelenberger. Kështu, pronarja e “Yllit të artë” i ka rekomanduar një tjetër restorant çiftit mbretëror. Bashkëshorti i saj, krye-kuzhinieri, tha se kanë humbur një rast shumë të mirë për ta reklamuar restorantin e tyre. Ai tha se bashkë me bashkëshorten do t’i kërkojnë falje shtëpisë mbretërore në Suedi. Ai pranoi se ky incident ishte një humbje e reputacionit të tyre.











