Gjermani, Lëvi do lejojë alkoolin, cigaret e seksin

Jun 7, 2012 | 15:03

Cigaret, alkooli dhe seksi do të jenë garnitura e futbollistëve të Gjermanisë në aventurën e tyre në këtë Europian në Poloni e Ukrainë. Trajneri Joakim Lëv u ka lënë dorë të lirë nevojave personale të futbollistëve të tij, por edhe pse cigaret, birrat, vera dhe shoqëria e të dashurave të lojtarëve do të lejohen, ato natyrisht që do të jenë të limituara, sepse veset e mësipërme rrezikojnë që të dërgojnë ndonjërin prej “pancerave” në shthurje totale. 23 të grumbulluarit gjermanë do të kenë luksin, ndryshe nga disa kolegë të tyre pjesëmarrës, që nevojat e mësipërme do t’i kenë të ndaluara, që lodhjen e stërvitjeve dhe ndeshjeve ta shuajnë nën shoqërinë e të dashurave, bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre. Trajneri Lëv kërkon të ketë besim të plotë te lojtarët e tij, aq sa ka lejuar milibaret në dhomat e secilit prej kampionëve që ka marrë me vete në Poloni dhe Ukrainë. Por nga ana tjetër, sasia e birrave dhe verës gjatë drekave dhe mbrëmjeve do të jetë e limituar, edhe akoma më pak do ketë përpara ndeshjeve. Duhanxhi i deklaruar zyrtarisht është vetëm portieri Tim Vize, por Joakim Lëv nuk do t’i tërheqë veshin askujt që ka dëshirë të pijë cigare të llojeve të ndryshme. Ato do të jenë të ndaluara vetëm gjatë qëndrimit në mensë dhe gjatë mbledhjeve.

Italia
Kombëtarja italiane ka vizituar kampin e përqendrimit të Aushvicit në Poloni. Lojtarët kanë vendosur kurora lulesh në vendin ku kryheshin ekzekutimet e personave të dënuar me vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu ekipi ka mbajtur disa minuta heshtje në nder të personave që humbën jetën në këtë kamp. Italianët nuk ishin të vetmit që patën programuar vizitë në një ndër kampet më famëkeqe, pasi pas tyre në Aushvic ka qenë edhe përfaqësuesja holandeze. Italia ndeshjen e parë në Euro 2012 do ta ketë kundër Spanjës më 10 qershor.

Ibrahimoviç
Zlatan Ibrahimoviç është më kombësi suedeze, por mjafton të shohësh emrin e tij dhe natyrisht që ai nuk përfaqëson emrat karakteristikë nordikë. Por të jesh me origjinë boshnjake dhe të shënosh ndaj Serbisë, me siguri që askujt prej tifozëve serbë nuk mund t’i pëlqejë, duke kujtuar tragjeditë dhe masakrat që kanë ndodhur mes këtyre dy vendeve. Këtë nervozizëm dhe agresivitet të sëmurë e ka treguar të martën në mbrëmje një prej tifozëve serbë, i cili në përfundim të ndeshjes ka tentuar të sulmojë Ibrahimoviçin.

© Panorama.al

Te lidhura