Gjermani, “lindin” pilulat për të mundur homoseksualitetin

Jun 5, 2011 | 10:34

Në Gjermani, një shoqatë mjekësh kristianë ka nisur një mision: të mundë homoseksualitetin.Kura homeopatike për të luftuar homoseksualitetin përmban një pilulë, përbërja e së cilës është shumica sheqer, psikoterapi dhe këshilla fetare. Ideja e këtij “pastrimi” ka shkaktuar zemërim dhe polemika. Gjithccka nisi me botimin e artikullit të titulluar “Me homeopati kundër homoseksualitetit”, i publikuar në revistën “Telepolis”, e cila tregon për lançimin nga ana e shoqatës së mjekëve katolikë gjermanë (BKA) për një terapi drejtuar gay-ve dhe lesbikeve që dëshirojnë të mundin homoseksualitetin e tyre. Federata e lesbikeve dhe gay-ve gjermanë (LSVD) ka reaguar me zemërim, duke e quajtur iniciativën “një fyerje” dhe ka afirmuar edhe një herë se anëtarët e shoqatës së mjekëve katolikë tregohen homofobikë e konfirmojnë se nuk kanë asnjë respekt për homoseksualët. BKA, e cila vetëpërkufizohet si “zëri i komunitetit mjekësor katolik”, afirmon se kura homeopatike mund të blihet në adresën në ueb të kësaj shoqate, pa asnjë vështirësi. Homoseksualiteti lexohet në faqen zyrtare, nuk është një sëmundje, por një seri trajtimesh janë të disponueshme për të frenuar këtë anim. Një nga pikat më të forta të kësaj terapie është marrja e “globulave”, pilula të vogla që përmbajnë më shumë sheqer. “E dimë se numri i personave me anim homoseksual që ndeshen në vështirësi dhe vuajnë shumë është i madh”, tha Gero Uinkelman, drejtor i shoqatës, në një prononcim për të përjavshmen gjermane, “Der Spiegel”. “Nëse dikush është jo i lumtur, i sëmurë apo ndihet në vështirësi,  duhet ta dijë se mund ta ndihmojmë”, ka shtuar ai për prestigjiozen gjermane. Sipas Uinkelman, iniciativa nuk ka si qëllim as të lëndojë dhe as të bëjë presion te komuniteti gay, sepse “ekziston një qartësi dhe literaturë e afirmuar mjekësore e shkencore që konfirmon tezën se homoseksualiteti mund të kurohet”. Në faqen e uebit të shoqatës së mjekëve katolikë tregohet edhe dëshmia e një homoseksuali gjerman që falënderon BKA-në, sepse kura mund të jetë një shpresë për të gjithë ata gay që vuajnë nga animet e tyre seksuale.

Reagimi

Anëtarët e shoqatës gjermane të gay-ve dhe lesbikeve nuk e kanë pritur mirë ofertën e mjekëve katolikë. Pasi kanë saktësuar se studimet më të rëndësishme shkencore tregojnë se orientimi seksual manifestohet që në foshnjëri, anëtarët e LSVD-ve deklarojnë se nuk është e mundur të ndryshosh me ilaçe false animet seksuale. “Kjo iniciativë është vërtet e rrezikshme”, tha Renate Rampf, zëdhënëse e shoqatës gay. “Ata përdorin pasiguritë e të rinjve homoseksualë dhe biseksualë e mbi të gjitha ato të prindërve të tyre. Këto zgjidhje qesharake terapeutike janë të rrezikshme, sepse mund të jenë destabilizuese”, tha ajo. Pasi kujtoi se Organizata Botërore e Shëndetit e ka hequr homoseksualitetin nga kodi i sëmundjeve ndërkombëtare që nga viti 1993, tha me zemërim se “Shekulli XIX për homoseksualët ka përfunduar”.

© Panorama.al

Te lidhura