
I përndjekuri politik Gjergj Ndreca alarmoi mbrëmë për disa orë Policinë e Tiranës, pasi fillimisht kërcënoi se do të hidhej nga monumenti i Skënderbeut në qendër të kryeqytetit e më pas kërkoi të hynte në grevë urie. Ndreca në disa momente kërcënoi se do të vetëvritej duke u hedhur nga monumenti. Ka qenë ora 21:40 kur disa qytetarë që kanë kaluar në qendër të Tiranës, kanë parë dy persona që kishin hipur në bordurën e monumentit të Heroit Kombëtar. Policia, e cila mbërriti pas pak minutash në vendngjarje, konstatoi se personat që kishin hipur në monument ishin të përndjekurit politikë Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko. Policia hyri në komunikim me ta dhe pas disa minutash, shtetasi Lirak Bejko ka zbritur nga monumenti. Ndërkohë Gjergj Ndreca qëndronte në distancë nga policia dhe për rreth 20 minuta ka folur në telefon. Më pas ai ka deklaruar se do të kryente grevë urie publike duke kërkuar vendosjen në vend të nderit dhe drejtësisë për të përndjekurit politikë. Ndreca ka kërkuar marrjen fund të ndalimit të të përndjekurve nga policia dhe madje ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Policia është treguar e kujdesshme për të mos ndërhyrë, ndonëse inspektorët e Krimeve kanë vazhduar komunikimin me Gjergj Ndrecën pasi ai mbylli telefonin dhe u kthye e po qëndronte mbi monument. Pas më shumë se një ore negociatash me të, i përndjekuri është bindur vetëm pasi disa miq e shokë të tij së bashku me policinë i kanë bërë thirrje të tërhiqej. Me një flamur kombëtar të hedhur në supe, Gjergj Ndreca ka zbritur nga monumenti i Skënderbeut rreth orës 23:00. Policia e shoqëroi atë në spital dhe më pas në shtëpi. Nga verifikimet e para ka rezultuar se Ndreca ka qenë në gjendje të alkoolizuar gjatë kohës që kërcënoi policinë herë me vetëvrasje dhe herë me grevë urie.
Gjyqi për Ndrecën
Personazhi i ngjarjes së djeshme në qendër të Tiranës, Gjergj Ndreca, është i pandehur në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës për akuzën e goditjes për shkak të detyrës ndaj deputetit Ilir Rusmali dhe avokatit Agim Tirana. Bashkë me Ndrecën, në rastin e goditjes dhe kanosjes ndaj Rusmalit, akuzohet edhe Lirak Bejko, një tjetër i përndjekur. Incidenti me Rusmalin para Kuvendit ndodhi më datë 22 shkurt. I përndjekuri politik Gjergj Ndreca u konfrontua me deputetin ndërsa në ngjarje mori pjesë edhe Lirak Bejko. Të dy personat u arrestuan dhe u dërguan në Komisariatin Nr.1 në Tiranë. Ata deklaruan se kanë qenë duke kryer ceremoninë mortore të një të përndjekuri pranë selisë së Kuvendit në momentin kur Ilir Rusmali ka kaluar aty dhe nuk ka treguar respekt për kufomën. Pak ditë pas goditjes ndaj deputetit, Ndreca u la i lirë, por pa kaluar shumë kohë, goditi avokatin Agim Tirana pranë zyrës së tij.
Reagimet e të përndjekurve
Incidentet e dhunshme me deputetin Ilir Rusmali dhe avokatin Agim Tirana u bënë shkak për hapjen e çështjes penale nga ana e Prokurorisë. Kjo e fundit ka dërguar në gjyq dosjen penale për goditjen e deputetit Rusmali dhe avokatit Agim Tirana. Ndërkohë që po vazhdonte gjyqi për këto dy raste, të përndjekurit patën incidente pranë Kuvendit edhe me ministrin e Financave, Ridvasn Bode, duke e fajësuar, sipas tyre, për moslëvrimin e fondit të dëmshpërblimeve. Gjatë dëshmive në procesin që po zhvillohet në Gjykatë, të përndjekurit nuk kanë shprehur pendesë për dhunën e ushtruar dhe kanë shtuar se gjithçka e kanë bërë kundër shtypjes dhe keqtrajtimit të tyre në vitet e postkomunizmit.
ETLEVA DELIA











