
Quhet Genadi Sidenko. Është arbitër moldav dhe, sipas informacioneve, së bashku me dy asistentët e tij, Oleg Molshanovi dhe Vitali Gorbatovi, do të arbitrojnë takimin e ditës së mërkurë mes Gjeorgjisë dhe Shqipërisë. Kjo do të jetë ndeshja e parë nëdrkombëtare në rang kombëtaresh, që kjo treshe do të gjykojë, pasi deri më tani Sidenko ka arbitruar më së shumti ndeshje të skuadrave U-17, U-19 dhe U-21. Madje, rezulton se Sidenko ka gjykuar dy herë edhe Shqipërinë U-17 në kualifikimet e 2011-s Norvegji-Shqipëri 2-0 dhe Shqipëri-Irlandë 0-2. Por ajo që bën më shumë përshtypje në karrierën e këtij arbitri, është fakti se vitin e shkuar ai ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të futbollit moldav, por edhe në gjithë Europën. Gjatë ndeshjes Iskra-Stal, pasi i nxori kartonin e kuq lojtarit Julian Bursuc, Sidenko u rrah barbarisht në fushën e lojës nga ky i fundit. Ngjarja bëri bujë, aq sa në javën pasardhëse arbitrat moldavë në shenjë proteste bojkotuan kampionatin, ndërsa prestigjiozja “Daily Mail” e konsideroi këtë ngjarje si një nga “top-10” e vitit të shkuar në futbollin europian. Më pas, lojtari Julian Bursuc u detyrua t’i thoshte lamtumirë futbollit të luajtur. Ndërkohë, mësohet se dje ka mbërritur në Tbilisi Kombëtarja jonë dhe, sipas programit, do të zhvillojë sot një seancë stërvitore në aneksin e stadiumit ku do të luhet takimi.











