
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka nisur para pak çastesh seancën e rregullt për Kosovën, i cili duhet të mbahej një ditë më parë, por për shkak të gjendjes së krijuar nga uragani “Irene” në New York, u shty për sot.
Në fjalimin e tij, ushtruesi i detyrës së shefit të misionit të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif, theksoi se Prishtina dhe Beogradi, gjatë incidenteve të fundit në veriun e Kosovës, shpeshherë “kanë dërguar mesazhe të dominimit dhe të ndarjes”, që siç vlerësoi ai, është retorikë e cila e forcon mosbesimin ndërmjet popullatës shumicë dhe serbëve.
Ndërkohë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç tha se situata në rajon pak më shumë se një muaj më parë u bë papritmas më pak e sigurt, më pak e qëndrueshme dhe më pak e parashikueshme.
Sipas Jeremiç ajo çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ishte një plan, siç e quajti ai,ogurzi i qeverisë së Kosovës, për të imponuar me forcë një regjim të paligjshëm dhe të padëshiruar tek banorët e asaj pjesë të krahinës.
Ministri i Jashtëm serb, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që tu dërgojë një mesazh të qartë autorëve të këtyre veprimeve të njëanshme dhe të papranueshme.
Ndërhyrja në veri, është një shkelje e marrëveshjes së Prishtinës me EULEX, tha Jeremiç. Duke cituar një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, Jeremiç tha se duhet rikthyer statuskuoja atje.
Jeremiç kërkoi përgjigje për pyetjet se, “Kush e ka dhën urdhërin për njësinë ROSU. A ka qenë dikush nga Bashkësia Ndërkomëbëre që ka patur dijeni për ndërmarrjen e këtyre sulmeve dhe pse EULEX-i u zhduk gjatë ndërhyrjes së forave ROSU? etj”
Ai bëri thirrje përsëri për zbatimin e një hetimi të plotë e të pavarur lidhur me akuzat për trafikim organesh në Kosovë .
Ban Ki- moon ka ftuar të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Ai po ashtu ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.
© Panorama.al











