
Dy kufoma janë nxjerrë sot nga ujërat e lumit Vjosë. Policia e Përmetit dhe e Tepelenës, kanë nxjerrë dy persona të ndryshëm në moshë dhe seks gjatë orëve të mesditës së të enjtes. Polumbarët e ardhur nga Tirana pjesë e RENEAS të cilët ndodheshin prej së dielës në Përmet, kanë arritur sot të nxjerrin nga ujërat e lumit, kufomën e 20- vjeçarit, Selman Hoxha i mbytur në orët e drekës së të dielës. Polumbarët kanë gjetur kufomën e 20- vjecarit në një zonë që nuk binte mjaft në sy nga banorët, rreth 1 km më poshtë vendit ku u mbyt i riu nga Fieri. Trupi i 20 vjeçarit, ka qenë në thellësi 7 metra dhe është dashur ndërhyrja e të tre polumbarëve që t’a nxirrnin atë në sipërfaqe.
Viktima është transportuar drejt morgut të spitalit të Përmetit, në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun që çoi në mbytjen e 20 vjeçarit fierak, Selman Hoxha.
Ndërkaq një tjetër kufomë është nxjerrë nga rrjedha e lumit Vjosë por kësaj radhe në Tepelenë. Forcat policore, kanë arritur të nxjerrin nga rrjedha e ujit mesditën e të enjtes, trupin e një gruaje 55 vjeçare e zhveshur dhe me gjatësi 165 cm. Burimet policore kanë saktësuar se trupi është gjetur poshtë fshatit, Dams dhe viktima nuk kishte shenja dhune në trup.
Veç kësaj, sipas ekspertit mjeko-ligjor, ajo mund të ketë qenë e mbytur një javë më parë dhe për këtë është kërkuar ndihma e komunitetit të zonës, për ta identifikuar. Trupi i gruas fatkeqe, është transportuar për në morgun e spitalit në pritje të identifikimit.
Piro Nase
© Panorama.al











