
FIER – Bie në pusin e naftës në Marinzë të Fierit, humb jetën 60-vjeçari. Policia bëri të ditur dje se është njoftuar se një person ndodhej i vdekur pasi kishte rënë në gropën e naftës bruto që ndodhej pranë rrugës. Pas hetimit të kryer, familjarët kanë mundur të bëjnë identifikimin e viktimës, Nikollë Mata, banor i Marinzës. Mësohet se trupi i viktimës, i kthyer përmbys, është pikasur në pusin e naftës rreth orës 08:30 nga punonjës të këtij sektori, të cilët ishin nisur për në vendet e tyre të punës. “Kalojmë çdo ditë në këto rrugica të ngushta për të shkuar në punë. Befas pamë se në brendësi të gropës me naftë bruto, me densitet të madh, ishte një njeri i kthyer përmbys me gjysmën e trupit të zhytur. Ishte e pamundur ta nxirrje vetë trupin që aty ku ishte, pasi vetë vendi nuk ta lejon një gjë të tillë”, u shprehën dje punëtorët e sektorit të naftës, të cilët zbuluan trupin e pajetë të 60-vjeçarit. Ata njoftuan policinë e Fierit, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes. Duke parë situatën nga afër, blutë thirrën për ndihmë edhe një vinç për ta nxjerrë viktimën, pasi nxjerrja nga ana e tyre ishte e pamundur. Për minuta me radhë, punonjës të sektorit të naftës, banorë të zonës dhe forca të policisë, kanë punuar për të nxjerrë trupin e pajetë nga gropa e naftës. Pasi ka dalë në sipërfaqe, trupi i viktimës është kontrolluar për dokument identifikimi, por ai nuk kishte asgjë me vete. Banorët kanë dyshuar se identiteti i viktimës ishte një bashkëfshatar i tyre, ndaj ata kanë thirrur menjëherë për të kryer identifikimin dy vëllezërit e Nikollë Matës. Kanë qenë këta të fundit që kanë konfirmuar se viktima ishte vëllai i tyre. Familjarët e tij deponuan për grupin e hetimit se ai kishte qenë një ditë më parë për vizitë te vajza e tij në fshatin Sheqishtë. Ai është kthyer pas dreke për në fshatin e tij, por gjatë rrugës, për t’i rënë për shkurt, ka kaluar në rrugicat e gropave të naftës bruto. Dyshohet se viktima ka humbur ekuilibrin dhe pasi ka rënë në gropë, nuk ka mundur të dalë më prej andej. Por nuk përjashtohet as mundësia që si pasojë e temperaturave të larta ai të ketë pësuar gjendje të fikëti dhe të ketë rënë. Blutë përjashtuan mundësinë e një vrasjeje pasi në trupin e viktimës nuk kishte asnjë shenjë dhune, duke e konsideruar kështu ngjarjen si aksidentale. m.r











