Një burrë ka gjetur makinën e tij të vitit 1967, “Austin Healey 3000” rreth 42 vjet pasi ia kishin vjedhur. Bob Rasëll, 66 vjeç, ishte diplomuar në universitetin “Temple” në Filadelfia dhe e ka përdorur makinën klasike të garave, në ngjyrë kremi, gjatë kohës që ishte në universitet. Aty, prej famës së makinës ka njohur edhe gruan e tij, Sinthia. Makina, për të cilën në atë kohë Rasëll kishte paguar 3000 dollarë, mund të vlejë rreth 50 000 dollarë sot. Rasëll, një menaxher shitjesh në pension nga Teksas, ka kaluar shumë vite i fiksuar në internet duke kërkuar për makinën e tij. Por, edhe pse vetë filloi të mos besonte më në gjetjen e saj, pas një dekade kërkimi online, ai e zbuloi më në fund në “eBay”. Pas shumë peripecish ligjore, arriti ta marrë sërish makinën e tij.











