Ish-kreu i KQZ-së, juristi i njohur Çlirim Gjata, komenton procesin ligjor në Kolegjin Zgjedhor. Sipas tij, Kolegji duhet të rrëzojë kërkesën për rivotim të kërkuar nga PS, pasi ky subjekt u tërhoq nga kjo kërkesë. Juristi i njohur shprehet se atribut i Kolegjit në këtë çështje janë vetëm afatet.
Zoti Gjata, si njohës i Kodit Zgjedhor, si e konsideroni seancën e sotme në Kolegjin Zgjedhor?
Me pak fjalë, do të thosha e komplikuar. Dhe nuk e kuptoj përse Kolegji e komplikon çështjen me këto veprime procedurale pa pasur nevojë. Ai mund t’u përgjigjet shumë thjesht vetëm atyre që janë kërkuar në ankimimin e Partisë Socialiste. Çfarë kërkohet, qoftë edhe në seancë, jashtë asaj që është kërkuar në kërkesën ankimore, nuk mund merret parasysh për shkak të ligjit. Ka një parim procedural të pacenueshëm: “Gjykata vendos për gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet”. Kolegji nuk mund ta kapërcejë këtë parim.
Duket se përtej vullnetit të votës që shprehën shqiptarët më 8 maj, fushatës dhe ofertave politike, loja në Kolegjin Zgjedhor është kthyer në një lojë pokeri, ku palët luajnë me blofin. Sa i kanë shfrytëzuar realisht partitë, kryesisht PS, hapësirat ligjore për të ankimuar një proces zgjedhor?
Nuk jam një njohës i lojërave me letra, por mundohem të njoh mirë ligjin dhe në veçanti Kodin Zgjedhor. Ky kod është një ligj procedural dhe do të ishte mirë të titullohej Kodi i Procedurave Zgjedhore. Por kjo i përket së ardhmes. Është e vërtetë se janë shfrytëzuar me tepri nga ana e ankimuesit hapësirat procedurale dhe disa në mënyrë pak abuzive. Ankuesi, Partia Socialiste, ankimoi vendimin e rezultatit të KQZ-së për pavlefshmëri në Kolegj, por njëkohësisht i kërkoi KQZ-së të shpallte zgjedhjet e pavlefshme në Bashkinë Tiranë. KQZ nuk e pranoi kërkesën për pavlefshmëri sepse ishte jashtë afatit. Atëherë u ankimua ky vendim në Kolegj. Pra kemi një ankim për themelin e çështjes, atë të shpalljes së zgjedhjeve të pavlefshme. Pastaj kemi një ankimim procedural që të rrëzohet vendimi i KQZ-së, i cili e konsideronte kërkesën për pavlefshmëri jashtë afatit. Këto dy kërkesa duhej të bashkoheshin sepse nuk mund të gjykohet themeli nëse konsiderohet kërkesa jashtë afatit. Por ankuesi hoqi dorë nga kërkesa për pavlefshmëri dhe kjo çështje me të drejte u pushua. Tani kemi në shqyrtim kërkesën ankimore procedurale, atë të afatit. Por jemi pa themel. Kolegjit nuk i mbetet tjetër veçse ta pushojë çështjen. Nëse ai e pranon padinë dhe e konsideron në afat Partinë Socialiste, çështja pushohet sepse nuk ka më themel, nuk ka më çështje, sepse u hoq dorë nga ajo, nga vetë ankimuesi dhe u pushua nga Kolegji. Dhe e fundit, Kolegjit nuk i mbetet tjetër veçse të rrëzojë kërkesën, sepse me të drejtë ajo nuk është në afat. Një gjë nuk mund ta bëjë as Kolegji dhe askush, sa kohë do të zbatohet ky ligj, që quhet Kod Zgjedhor. Kjo çështje nuk mund t’i kthehet më KQZ-së edhe sikur Partia Socialiste të gjendet brenda fatit. Nuk ka asnjë dispozitë ligjore për këtë. Përkundrazi, Kolegjit nuk i lejohet një gjë e tillë nga ligji. E kundërta do të ishte e paligjshme. Ndaj them se jemi në teorinë e peshkut pa ujë. Duke hequr dorë nga pavlefshmëria, ankuesi mbeti pa gjë për t’u shqyrtuar.
Si e konsideroni rimarrjen e kërkesës për pavlefshmëri sot nga ana e PS-së në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa një ditë më parë ishte tërhequr prej saj?
Këtu tashmë fillon abuzimi procedural. Në shqyrtim është ankimi kundër vendimit të KQZ-së për mosshqyrtimin e çështjes, sepse ishte jashtë afatit. Kolegji duhet të shqyrtojë vetëm faktin nëse çështja është brenda afatit apo jo, pra vendimi i KQZ-së është i drejtë dhe i ligjshëm apo jo. Kaq detyrë ka sot Kolegji. Ankimuesi, Partia Socialiste, hoqi dorë nga gjykimi i pavlefshmërisë vetë dje dhe si e tillë, nuk mund të kërkojë sot të njëjtën gjë. Dje e kishe, hoqe dorë dhe e kërkon përsëri sot. Në gjykatë, të paktën, një gjë nuk të lejohet, të tallesh, sepse ke të bësh me ligjin. Ndaj dje duhet të kishte bashkuar çështjet dhe jo të hiqte dorë me shpresë se do të kthehet në KQZ. Mendoj se sot avokatët e PS e kanë kuptuar gabimin procedural se çështja nuk mund të kthehet më në KQZ, sepse, siç e thashë, nuk ka bazë ligjore që e lejon këtë, përkundrazi, prandaj mundohen që ta rregullojnë brenda këtij procesi gabimin e tyre, duke kërkuar pavlefshmërinë në themel. Dhe sot në proces dolën jashtë objektit të padisë duke argumentuar pavlefshmërinë. Ky po që është abuzim i pastër procedural. E vetmja gjë që mund të shqyrtohet në këtë proces që ka mbetur është afati.
Në këtë moment ku ka arritur beteja ligjore, cilat janë mundësitë e vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës?
Në një gjë do të ndaloja. Në vendimin e ndërmjetëm të sotëm të Kolegjit për marrjen e provave të Partisë Socialiste. Nuk jam i qartë se me çfarë cilësie i mori këto prova, i administroi si prova, i mori thjesht për t’i pasur, apo çfarë? Përderisa nuk ka padi themeli për pavlefshmëri, nuk ka si të shqyrtohen provat. Kolegji nuk duhet të dalë tej asaj që i kanë kërkuar palët. Këtë ia detyron parimi sa më lart citova. Përndryshe, procesi nuk do të jetë i rregullt dhe ligjor, përndryshe nuk do të jetë kushtetues. Kolegji ka si alternativa: ose të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së si ligjor dhe, afërmendsh, është i tillë, e kemi argumentuar më herët këtë; ose të prishë vendimin e KQZ, por ta pushojë çështjen sepse nuk ka më ankim për pavlefshmëri, u hoq dorë një ditë më parë; ose të prishë vendimin e KQZ dhe t’ia kthejë po KQZ-së për shqyrtim, siç e kërkuan në fillim socialistët, por kjo do të ishte shkelja më e madhe ligjore që do të ndodhte në këto zgjedhje dhe uroj që Kolegji të mos bjerë pre e kësaj. Përfundimisht mbeten dy alternativat e para dhe procesi mbyllet.
Në zgjedhjet e mëparshme, kur ju keni drejtuar KQZ-në, ka pasur mospërputhje të tabelave të rezultateve? Është ky një fenomen që ndodh shpesh në zgjedhje dhe si është vepruar?
Në çdo zgjedhje ka pasur mospërputhje shifrash sepse bëjnë pjesë në atë që quhet gabim njerëzor. Pra ka pasur në zgjedhjet e kaluara, pa përjashtim, do të ketë edhe në zgjedhjet e ardhme patjetër dhe do të ndodhë i njëjti fenomen edhe sikur të përsëriten këto zgjedhje. Kështu që askush nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje: nëse përsëriten zgjedhjet, rezultati del përsëri i ngushtë si tani për këdo qoftë dhe jemi përsëri përpara thuajse të njëjtave gabime njerëzore, pra mospërputhje shifrash, atëherë a do të shkojmë përsëri në zgjedhje? Sa do të vazhdojë kjo?
Në Kolegjin Zgjedhor është depozituar edhe një kërkesë e Partisë së Pensionistëve që kërkon pavlefshmëri të procesit dhe pezullim të procesit të shpalljes së rezultatit deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për një kërkesë të depozituar prej tyre. Si e konsideroni një kërkesë të tillë dhe në ç’situatë do ta fuste të gjithë procesin?
Nuk ia vlen të ndalemi në këto tani. Fundi është nesër (sot). Edhe kjo padi duhej të ishte bashkuar. Nuk u bë një gjë e tillë, mendoj se ka mbaruar. Sa për Gjykatën Kushtetuese, nuk besoj se do të hynte në këtë valle. Askush nuk ka dëshirë t’i hapë telashe vetes. Megjithatë, po ju sqaroj se palët kanë të drejtë t’i kërkojnë Gjykatës ta pezullojë çështjen kur vënë re se një ligj apo dispozitë e caktuar vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ky ligj t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur si të tillë. Dhe Gjykata, kur e sheh se qëndron ky pretendim, vepron në këtë mënyrë. Por, në rastin tonë është kërkuar që Kolegji ta pezullojë çështjen derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese për këtë problem, pra jo se ligji është antikushtetues. Kjo nuk qëndron, sepse Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet sa kohë nuk janë shterur të gjitha shkallët e gjykimit. Ndaj është i rrezuar edhe ky pretendim.
Reforma zgjedhore, Rama takon Volfarth
Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Eugen Volfarth dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilluan sot një takim shumë konstruktiv të përqendruar te sezoni i ardhshëm politik dhe hapat që do të merren në të ardhmen. Këta hapa do të ndihmojnë në zbatueshmërinë e axhendës së reformave të duhura dhe të integrimit, duke filluar me rritjen e punës konstruktive parlamentare në të gjitha nivelet. Sipas zyrës së shtypit të OSBE-së, “këta hapa do të përfshijnë një sërë çështjesh në axhendën e reformave, mes të cilave, reformën për Kodin Zgjedhor. Do të ishte ideale që procesi i reformës së Kodit Zgjedhor të bëhej në mënyrë të strukturuar dhe të hapur, duke u nisur nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe të lejonte përfshirjen e ekspertizës së gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











