Gjata: Procedura për 368 kutitë, e njëjtë me hapjen e 117 të parave

Jun 15, 2011 | 10:36

Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, foli dje në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për hapjen e 368 kutive të tjera në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, pavarësisht se vendimi nuk është zbardhur ende, procedura e hapjes së kutive do të jetë e njëjtë me hapjen e 117 kutive të para. Gjata tha se Kolegji certifikoi veprimin e KQZ-së për hapjen e 117 kutive, çka detyron atë që të veprojë në të njëjtën mënyrë si në fillim. “KQZ do të bëjë të njëjtën procedurë që bëri me 111 kutitë. Anëtarët e KQZ, pasi të mbarojnë këtë punë të lodhshme, do të shpallin rezultatin. Vendimi i Kolegjit është i paankimueshëm. Duhet të presim zbardhjen e Vendimit për të parë më të qartë Vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka certifikuar veprimin e KQZ-së. Vendimi i Kolegjit i shërben transparencës dhe standardeve të zgjedhjeve”, tha Gjata. Më tej, ish-kryetari i KQZ shprehu shqetësimin në lidhej me këtë vendim për sa i përket procedurës, pasi, sipas tij, 368 kutitë nuk kanë pasur indice për fletë në kutitë e gabuara. Gjithsesi, sipas tij, Vendimi i Kolegjit e vendos hapjen e tyre për të bërë transparencën e plotë. “Përderisa nuk ka indice dhe të dhëna, nuk besoj të dalë gjë në dritë. Gjithsesi, do të jetë një punë angari për KQZ”, tha Gjata. Sipas tij, duhet të llogariten edhe hapja e 26 kutive të tjera që bëri KQZ, në bazë të kërkesës ankimore të PD për vlerësimin e mjaft prej fletëve të votimit. Më tej, Gjata u shpreh se Kolegji Zgjedhor rrëzoi poshtë kërkesën për mos përputhje të shifrave që kërkoi Partia Socialiste. Ish-kryetari i KQZ tha më tej se Kolegji Zgjedhor doli jashtë kërkesës së bërë nga Partia Socialiste.

Vendimi i plotë i Kolegjit

“Anulimin e Vendimit Nr. 710, datë 23.05.2001 të KQZ-së dhe Vendimin Nr. 711, datë 23.05.2001 të KQZ-së. Urdhërimin e palës së paditur, KQZ, të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë në 368 qendrat e votimit, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Këshillin e Bashkisë së Tiranës, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe në bazën e tyre të shpallë tabelat përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkesës”, shpalli vendimi relatorja e çështjes, gjyqtarja Dhurata Haveri.

© Panorama.al

Te lidhura