Gjashtë muaj burgim me kusht për trajnerin shqiptar

Feb 23, 2012 | 13:18
Ilir Pelinku

Trajneri shqiptar, Ilir Pelinku, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe është gjobitur me 500 euro nga një gjykatë në Maltë, pasi është akuzuar se ka marrë parà për të manipuluar ndeshjen e Ligës së Europës më 2008, mes skuadrës malteze Marsaxlokk dhe asaj kroate Slaven Belupo, njoftoi “Malta Today” të mërkurën. Pelinku që kishte drejtuar skuadrën malteze, ishte njëri nga dy të dënuarit. I dënuari tjetër është ish-gjyqtari i UEFA-s, Xho Atard. Kjo dyshe në vitin 2010 është pezulluar përjetësisht nga Federata e Futbollit e Maltës me akuzën tentim për të trukuar ndeshjen e Ligës së Europës. Prokuroria e Maltës ka vërtetuar se Pelinku dhe Atard kanë kërkuar nga portieri i Marsaxlokkut, Salvu Darmanin, që të lejojë ekipin kroat Slaven Belupo të fitojë lehtësisht 3-0. Darmanin që refuzoi këtë ofertë, e paraqiti rastin së pari te presidenti i klubit e më pas edhe te Federata e Futbollit e Maltës, që nisi hetimin për këtë ndeshje. Marsaxlokk e pati humbur atë ndeshje me rezultatin 4-0. Gjykatësi Antonio Mikalef Trigona ka thënë se ka pasur mjaft dëshmi për të vërtetuar se Pelinku dhe Atardi kishin takuar Darmanin para ndeshjes. Po ashtu, telefonatat kanë qenë dëshmi shtesë për këtë vepër.

© Panorama.al

Te lidhura