Gjaku, duhen 4 herë më shumë dhurues

Jun 14, 2011 | 11:17

Ndonëse numri i dhuruesve është rritur, sërish spitalet janë në krizë për gjak. Kritike bëhet situata gjatë stinës së verës, kur numri i aksidenteve është më i lartë. Dje, me rastin e Ditës ndërkombëtare të dhurimit të gjakut, krerët e Shëndetësisë bënë apel për më shumë ndërgjegjësim. Aktualisht, kemi 6.8 dhurime për 1000 banorë, ndërkohë që nevojiten të paktën 20 dhurime për 1000 banorë që të plotësohen nevojat e vendit. Për të plotësuar nevojat e urgjencave, vendit tonë i duhen 35 mijë dhurime në vit, deri tani numri ka shkuar në 24 mijë. Deri më tani numërohen 5000 dhurues vullnetare, ndërkohë që nuk ka asnjë person tjetër që i shtohet listës së dhuruesve me pagesë. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar që të gjithë institucionet shëndetësore në vend të planifikojnë sipas një grafiku të caktuar dhurimin e gjakut, në mënyrë që të plotësohen nevojat. “I gjithë personeli mjekësor edhe këtë vit do të dhurojë gjak. Gjatë gjithë periudhës së verës, do të punohet me një kalendar të mirëorganizuar, duke qenë se vetë kjo periudhë ka një specifikë të veçantë për vetë fluksin e lartë të turistëve, që do të thotë një ridimesionim ndryshe i urgjencës, por dhe ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara”, tha dje gjatë një konference për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai shtoi se dhurimi vullnetar i dhënies së gjakut duhet të kthehet në një normë për të gjithë shoqërinë.

© Panorama.al

Te lidhura