Gjakosja e arbitrit, dënohen të dyja klubet

Feb 4, 2012 | 12:26

Gjyqtari anësor Ridigert Çoku pas goditjes nga tifozat në ndeshjen Skenderbeu- Flamurtari

Skënderbeu, 8 ndeshje në fushë asnjanëse, Flamurtari -3 pikë

Skënderbeu do të jetë i detyruar të luajë tetë ndeshje në fushë asnjanëse, ndërsa Flamurtarit do t’i hiqen tri pikë në renditje për ndeshjet e Kupës. Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga ana e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit për këto dy klube, pas incidenteve në ndeshjen e së martës në Pogradec, ku u gjakos anësori Ridigers Çokaj. Takimi u ndërpre për rreth 15 minuta, për shkak se tifozët hodhën sende të forta në fushë, një prej të cilëve goditi në kokë arbitrin anësor. Ky i fundit doli nga fusha e lojës, mori mjekimin e menjëhershëm nga stafi mjekësor, por nuk qe në gjendje ta vazhdonte më tej gjykimin e ndeshjes, e cila filloi pas ndërprerjes me anësor gjyqtarin e katërt, Artan Taullaraj.
Skënderbeu – Konsideruar klubin korçar si pritës në këtë takim edhe pse zhvillohej në Pogradec për shkak të kushteve të këqija atmosferike në qytetin e Korçës, Disiplina ka ndëshkuar Skënderbeun me 8 ndeshje në fushë asnjanëse. Kjo do të thotë që bardhekuqtë do të luajnë takimet e kupës dhe të kampionatit në një stadium tjetër, i cili duhet të jetë të paktën 50 km larg nga Korça. Kështu, si opsion i pranueshëm mbetet fusha e Elbasanit, duke qenë se stadiumi “Gjorgji Kyçyku” i Pogradecit është më afër se 50 km. Te Skënderbeu është ndëshkuar edhe zëvendëstrajneri, Lorenc Hysi. Arsyeja e dënimit të këtij të fundit lidhet më së shumti me debatet (sipas vëzhguesit të ndeshjes: ofendime) që ai pati me pankinën e Flamurtarit. Për këtë arsye, Hysi nuk do jetë në krah të trajnerit Stanislav Levi për dy ndeshje dhe, para se të zbresë sërish në bankinë, do t’i duhet të paguajë një gjobë prej 1 milion lekësh.
Flamurtari – Ndërkohë kanë mbetur të zhgënjyer te Flamurtari, jo vetëm për faktin se u ndëshkuan, por edhe se Komisioni i Disiplinës nuk mori fare parasysh kërkesën e tyre. Kështu, klubi vlonjat kishte kërkuar rezultatin në tavolinë për këtë takim, pasi vlonjatët gjykonin se incidenti u shkaktua për faj të tifozëve të Skënderbeut. Disiplina nuk e mori parasysh një gjë të tillë, madje shkoi edhe më tej, duke i hequr tri pikë të tjera Flamurtarit nga renditja në ndeshjet e Kupës. Formula e re e këtij sezoni në kupë i ka ndarë skuadrat në dy grupe me nga 4 ekipe, ku kalojnë në gjysmëfinale 2 skuadrat që do renditen të parat në grupet respektive. Në këtë kontekst, Flamurtari duhet të fitojë me patjetër pesë takimet e tjera dhe të shpresojë për t’u kualifikuar për më tej. Veç heqjes së pikëve te vlonjatët, u ndëshkua edhe shefi i klubit, Geri Çipi. Sipas disiplinës, ai ka nxitur lojtarët për braktisje të ndeshjes, ndaj edhe është dënuar me 1 vit pezullim nga të gjitha veprimtaritë futbollistike. Ndëshkimi i djeshëm i FSHF-së, më shumë sesa një “vënie drejtësie”, ka shtuar inatet mes dy klubeve, ndaj ndeshja e radhës mes Skënderbeut dhe Flamurtarit në kampionat apo kupë pritet të jetë tejet e nxehtë.

Geri Çipi: Do ankohemi në UEFA, vendimin e mori Duka
Shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi, ka thënë dje pas vendimit të Disiplinës, se Flamurtari do të ankohet në UEFA për atë që po ndodh. Çipi ka konfirmuar gjithashtu se klubi do të bëjë një kallëzim penal në Prokurori për delegatin e ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, Arsen Hoxha. “Do ta apelojmë vendimin dhe gjithashtu do të reklamojmë në UEFA çdo gjë që ndodhi në Pogradec. Vendimin në dëm të klubit tonë e ka marrë vetë presidenti Duka dhe jo Komisioni i Disiplinës. Kjo vjen për shkak të një sistemi të falimentuar. Unë jam administratori i sh.a “Flamurtari”, nuk jam trajner. Do ta drejtoj klubin nga zyra, ashtu siç drejton Duka nga zyra, pa ardhur asnjëherë në stadium. Ky është një vendim i paramenduar për klubin dhe mua personalisht”, ka thënë Çipi.

Shpëtim Gjika: Bëj kallëzim penal ndaj Arsen Hoxhës
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, paralajmëron kallëzim penal në Prokurori për delegatin e ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, Arsen Hoxha. “Pas këtij vendimi të turpshëm nuk mund ta fajësoj Komisionin e Disiplinës, pasi normalisht ata kanë gjykuar mbi bazën e një platforme të shkruar nga të tjerë njerëz. Pra, anëtarët e këtij Komisioni i kanë besuar verbërisht relacionit të delegatit të ndeshjes. Megjithatë, unë një gjë nuk arrij të kuptoj: si ka mundësi që në këtë gjykim ne si palë nuk jemi thirrur për të dhënë argumentet tona?! Për mua, shkaktari kryesor i kësaj situate mbetet Arsen Hoxha, i cili ka qenë delegat i ndeshjes. Ky njeri është ekzekutori i urdhrit të kreut të FSHF-së. Unë nuk e di sa i kënaqur ka mbetur presidenti Duka pas këtij vendimi, sepse ndoshta mund të ketë dhënë urdhër që mua të më presin edhe mustaqet. Tashmë kjo ka ngelur të bëhet, por ndoshta Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë këtë urdhër”, është shprehur i revoltuar presidenti Gjika.

Agim Zeqo: Absurde, të dënoheshin tifozët, jo ne
Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, e sheh si krejt të padrejtë dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Sipas tij, skuadra korçare si dhe zyrtarët e saj nuk bënë asgjë të keqe për të merituar një ndëshkim të tillë. “Nuk arrij të kuptoj se si mund të dënohet një qytet i tërë për një person të vetëm. Ngihet një i çmenduar dhe godet arbitrin. Prej këtij të çmenduri dënohet klubi dhe tifozët që mbështesin skuadrën. Ndaj, ky vendim nuk më duket i drejtë”, ka thënë Zeqo. Më tej, njëshi i klubit korçar ka dhënë edhe versionin e tij se çfarë do ishte normale që Disiplina të kishte dhënë ndaj Skënderbeut. “Mendoni pak, është njëlloj sikur unë sot të shkoj në Madrid për të ndjekur një ndeshje të Realit dhe nga shkallët e stadiumit të hedh një celular dhe të dëmtoj arbitrin. I bie që Reali të mos luajë më në fushën e vet, apo jo? Po a nuk është absurde? Unë do pranoja që të dënohej tifozeria, pra të luanim në Korçë, por pa tifozë, por jo që të largoheshim fare nga stadiumi ynë prej një idioti”, ka përfunduar Zeqo.

Kupa e Shqipërisë
Grupi A

Sot
Tirana-Kastrioti    14:00
Nesër
Kamza-Bylisi    13:00

Grupi B

Sot
Laçi-Skënderbeu    13:00
Nesër
Flamurtari-Vllaznia    13:00

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura