
Tifozët gurë ndaj anësorit, Flamurtari “i fal” më pas fitoren Skënderbeut
Çahet në kokë, Ridigert Çokaj përfundon në spital
Arbitri anësor, Ridigert Çokaj, përfundoi në spital, për shkak të çarjes në kokë nga një send i fortë i hedhur nga tifozët gjatë ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, e luajtur në stadiumin e qytetit të Pogradecit. Dhuna pushton sërish stadiumet tona. Dje, pre e shtazërisë ka rënë anësori Ridigert Çokaj, i cili u godit në minutën e 77-të nga një send i fortë, çka e detyroi këtë të fundit që të shkonte në spital për t’u mjekuar. Sakaq, për kryesorin edhe pse rasti ishte më se i rëndë, loja mund të vazhdonte, paçka se lojtarët e Flamurtarit thuajse e lanë ndeshjen duke qëndruar statikë në fushën e lojës. Kjo u dha mundësi korçarëve që të shënonin edhe dy gola të tjerë, pa dyshim më të lehtit që kanë realizuar jo vetëm për këtë sezon, por edhe gjatë gjithë historisë së tyre. Në fakt, ndeshja mes Skënderbeut dhe Flamurtarit për Kupën e Shqipërisë pritej të ishte mjaft e zjarrtë, kjo edhe për shkak të rivalitetit të madh që është shfaqur në dy sezonet e fundit mes këtyre dy skuadrave. Që me fillimin e lojës, miqtë nga Vlora arrijnë të shënojnë me anë të Franc Veliut. Kjo u dha më shumë “frymë” kuqezinjve, të cilët kontrolluan lojën. Sakaq, Skënderbeu vuajti shumë në finalizim, kjo për shkak se Xhafaj ishte i mbuluar në çdo cep të fushës, ndërsa Shkëmbi ndiqej këmba-këmbës nga Toni Pezo. Fraksioni i dytë nis me një zëvendësim në radhët e Skënderbeut. Trajneri Levi ka shtuar një forcë të re sulmuese, Sebino Plakun, i cili zë vendin e një lojtari po të këtij roli, të të riut Kërkciku. Loja e korçarëve spostohet më shumë në gjysmëfushën e vlonjatëve dhe, pas një goditjeje dënimi, vjen edhe goli i barazimit. Ekzekuton Muzaka, por topi pengohet nga barrikada, aty Shkëmbi lëshon një predhë tokazi, duke barazuar shifrat. Ndeshja më pas bëhet më e hapët dhe të dyja skuadrat kërkojnë golin e epërsisë. Duhej të vinte minuta e 76-të, që Skënderbeu të kalonte në avantazh, falë një tjetër perle të kapitenit Shkëmbi, por këtë herë në trajektore të topit para portierit Spaho ishte një tjetër lojtar i Skënderbeut, në pozicion jashtë loje. Por arbitri vazhdoi lojën dhe aty filloi dhuna dhe prishja e krejt ndeshjes.
Skeda
Skënderbeu-Flamurtari 4-1
Shënues: Shkëmbi 63’, 76’, Muzaka 79′, Plaku 80’/ Veliu 2’
Kartonë të verdhë: Arapi, Bratiç, Bici, Biskup/ Spaho, Brahja, Pezo
Gjyqtarë: Migen Masha/ R.Çokaj dhe G.Koka
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bici, Arapi, Orelesi,
Biskup, Shkëmbi, Muzaka, Kërçiku (Plaku 46), Bratiç, D.Xhafaj. Trajner: Stanislav Levi
Flamurtari: Spaho, Abraham, Veliu, Brahja, Sakaj,
Shtubina (Selimi 62’), Pezo, Kuqi, Arbri, Progni, Pejiç.
Trajner: Shkëlqim Muça
Zv.trajneri
Hysi: Muça më fyeu, s’e meritoja ndëshkimin
Zëvendëstrajneri i Skënderbeut, Lorenc Hysi, është kapur dje nga kamerat, teksa me gjeste të ulëta po fyente stafin vlonjat. Ai më pas ka reaguar, duke thënë se ishte sharë rëndë dhe ishte provokuar nga trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça. “Nuk e di pse e mora kartonin e kuq. Kam komunikuar me trajnerin në anglisht dhe më pas ka ardhur trajneri Muça e më ka ofenduar me fjalët më të pista. T’i vijë turp se çfarë ka përfaqësuar deri më sot dhe më vjen turp për një titullar të tillë. Nuk e meriton që të qëndrojë në stol. Pas kësaj, arbitri më kërkoi të dal jashtë, por pres që të ma shpjegojë edhe ai vendimin që mori ndaj meje. Gjykoj se ishte tepër e rëndë për mua personalisht, por edhe për vetë drejtuesit e Flamurtarit”, ka thënë Hysi në përfundim të takimit për mediat.
KDS-ja
Rregullorja, sa rrezikon Skënderbeu
Klubi i Skënderbeut rrezikon një gjobë të majme dhe zhvillim të ndeshjes në fushë asnjanëse dhe pa spektatorë, për së paku 6 ndeshje. Referuar rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit dhe më së shumti Kodit të Drejtësisë Sportive, me atë çka u pa qartazi në fushën e Pogradecit (konsideruar në rastin konkret si stadiumi i Korçës, pas ngricave në këtë qytet), Komisioni i Disiplinës, pasi të ketë shqyrtuar edhe relacionin e arbitrave, do të vendosë për dënimin ndaj klubit korçar. Sipas nenit 67, pika C “…në rastin e hedhjes së sendeve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj zyrtarëve të ndeshjes, sanksionohen me gjobë me një vlerë prej 2 milionë lekësh (të rinj), si dhe me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin përkatës për jo më pak se 6 ndeshje”.
Trajneri
Levi: Manovër e fëlliqur nga Flamurtari
Trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Stanislav Levi, nuk ka dashur t’u japë shumë rëndësi incidenteve sesa gjendjes së skuadrës së tij dhe lojës që zhvilluan korçarët në këtë takim. Megjithatë, ai nuk ka lënë pa kritikuar palën kundërshtare, duke thënë se ishte anormale që në futbollin profesionist të ndodhin të tilla gjëra. “Dua të them me bindje të plotë se e merituam plotësisht këtë fitore. Ne ishim skuadra më e mirë në fushë dhe, pavarësisht se u gjendëm në disavantazh, treguam karakter dhe forcë, duke e përmbysur rezultatin. Gjithçka që ndodhi, ishte një absurditet i madh. M’u duk më shumë si një metodë, si një manovër për të fshehur humbjen dhe dështimin.
Shkëmbi: “Ndeshjen e prishën vetë vlonjatët”
Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ka kritikuar stafin e skuadrës vlonjate për prishjen e ndeshjes së djeshme. Ai ka theksuar se drejtuesit e klubit të Flamurtarit duhet të jenë më të përmbajtur dhe të respektojnë verdiktin e fushës. “Mendoj se sot zhvilluam një ndeshje të bukur dhe cilësore. Bukurinë kësaj ndeshjeje ia prishën vetëm drejtuesit e Flamurtarit me sjelljet dhe ndërhyrjet e tyre nga jashtë. Nuk mund të themi pa e verifikuar, se tifozi që gjuajti anësorin ishte korçar. Ai mund të ketë qenë edhe një tifoz i Flamurtarit, ndaj nuk mund të gjykojmë tani sa jemi të nxehtë. Sa i përket incidentit, unë mendoj se kjo ndodhi ngaqë portieri shkoi tek anësori për të protestuar, por më parë duhet të bëhen verifikimet e duhura”, ka thënë fantazisti.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











