Giffords, kongresmenia e qëlluar shfaqet në publik

Jun 13, 2011 | 10:13

Pas incidentit që për pak i mori jetën, ajo tashmë është tërësish jashtë rrezikut, madje edhe e buzëqeshur që fati u tregua i mëshirshëm me të. Dje u publikuan fotografitë e para të anëtares së Kongresit Amerikan, Gabrielle Giffords, e cila u qëllua në kokë në Tuson të Arizonës rreth pesë muaj më parë. Fotot u publikuan në faqen e zonjës Giffords në “Facebook”. Fotografitë e tregojnë kongresisten të qeshur, me flokë të shkurtra, ku duket lëkura pak e zbardhur, por jo shenja të qarta plagësh. Dy javë pas incidentit, ajo u dërgua në një klinikë rehabilitimi në Hjuston, ku vazhdon të kurohet. Në incidentin e 8 janarit, një person qëlloi me armë zjarri ndaj turmës, duke lënë gjashtë të vrarë dhe 13 të plagosur, mes tyre edhe zonjën Giffords. Që nga incidenti, Giffords u pa vetëm një herë dhe për pak çaste në publik, më 27 prill, kur hipi në një avion për në Florida për të parë nisjen drejt hapësirës të bashkëshortit të saj astronaut, Mark Kelly.

© Panorama.al

Te lidhura