Pas dy vitesh martesë në dimrin e 2010, Gerta Heta rikthehet në ekran, tashmë me statusin e mamasë. Luna, vajza e saj nga martesa me futbollistin kroat Matko Djarmati, ishte fëmija që pati fatin të ishte dëshmitare në ceremoninë e dasmës së tyre të dytë, që organizuan në Kroaci. Tashmë që jeta e saj ka ndryshuar, le të shohim sesa ka ndryshuar vetë Gerta, ndërsa do të shfaqet në ekran me një program muzikor të tipit dokumentar në “AS”, ku do të shkelë në territore të panjohura muzikore.
Gerta Heta, riktheheni pas disa vitesh në ekran si moderatore e një programi të mirëfilltë muzikor me autorësinë e kompozitorit Genti Lako. Cila do të jetë risia për të tërhequr vëmendjen e publikut?
Nuk do jetë një emision me prezantime të thjeshta videoklipesh, apo gossip për këngëtarët, por do shkojmë më në thellësi, duke u marrë me historikun e zhanreve të ndryshme muzikore, duke e shndërruar këtë cikel emisionesh në një gjysmëdokumentar muzike.
Ky program në “AS” do të transmetohet në të njëjtin orar me “Top Select” në “TCH” dhe “Promozone” në “TV Klan”. Me eksperiencën që ke, si do ta kishe përshkruar këtë rikthim tëndin me zë e figurë?
Më pëlqen të jem modeste e t’ia lë shikuesit ta bëjë vlerësimin për këtë rikthim timin me zë e figurë, ndërsa jam shumë optimiste për bashkëpunimin e ri me “AS”, ku nuk mungon dëshira për të provuar diçka të re, e veçanërisht me Genti Lakon, i cili e ka shumë përzemër këtë emision të titulluar “Music territory”. Unë besoj që gjërat që bëhen me dashuri nxjerrin rezultate optimale.
Një nga rubrikat e këtij programi do të jetë sekreti i realizimit të këngëve në një studio muzikore, nisur edhe nga eksperienca personale e Lakos. Cili ishte qëllimi i kësaj rubrike?
Pasi e kemi konsumuar me Gentin, kemi rënë dakord për këtë rubrikë. Sepse muzika, ashtu si dhe sporti, por edhe kinemaja, zënë një pjesë të mirë të argëtimeve në shoqërinë tonë. Ashtu siç jepen paskuintat pë kinemanë, pra se si realizohet një film, të njëjtin interes duhet të ketë për publikun të dijë edhe si realizohet një këngë nga ana teknike. Nëse do të na ndjekin në emisione të ndryshme, në fund të sezonit, nëse do keni qenë të vëmendshëm, ju mund të provoni të realizoni teknikisht një këngë në shtëpitë tuaja edhe duke qenë amatorë, gjithmonë duke folur për rrymat komerciale, si hip-hop, house etj. Pra, qëllimi është për të shtuar interesin sidomos të të rinjve, të cilët janë të etur për të ditur si realizohet një këngë.
Ndërkohë që statusi juaj tashmë ka ndryshuar, jeni e martuar dhe nënë. E kanë ndryshuar këto të reja në jetën tuaj këndvështrimin për të bërë karrierë në media?
Këndvështrimi im për median dhe karrierën është po i njëjti, megjithatë unë mundohem të diferencoj jetën time personale nga ajo profesionale.
Pas gati dy vjet shkëputjeje dhe sjelljes në jetë të vajzës Luna, e nise këtë vit me punën për një këngë të re, si dhe një projekt të ri radiofonik në “Kiss FM”. Çfarë të nxiti t’i riktheheshit edhe ekranit?
Ishte oferta e Gentit, atij i vajti në mendje ekzistenca ime. Edhe unë, duke e parë pasionin me të cilin ai fliste për këtë emision, duke parë se donte të bënte diçka ndryshe, pranova me shumë kënaqësi.
Për sa i përket pamjes, dimë që keni shtuar 20 kg gjatë shtatzënisë. Si keni rënë në peshë, me dietë, vrap apo palestër?
Nuk e kam arritur idealen, pasi nga këto 20 kg, 4 më kanë ngelur, por duke pasur parasysh që nuk po mbaj as dietë e as nuk po shkoj në palestër, sepse kam dëmtuar meniskun, e bej vetëm ecje tek liqeni kur shëtis vajzën, them se nuk është keq. Tani më duhet të mbaj një dietë të vogël në fakt, por nuk jam e sigurt nëse do e bëj, sepse i urrej dietat e kurrë nuk kam mbajtur ndonjë dietë në jetën time.
Jeta juaj ka ndryshuar kryekëput nga ajo kur ishit pa fëmijë. Si po shkon martesa me bashkëshortin që është i huaj dhe me profesion futbollist?
Mrekullisht mirë. Ndihem e plotësuar nga ky fëmijë e nga im shoq, të cilët janë qendra e boshtit të jetës sime.
Do e kishe lënë Shqipërinë, në qoftë se Matko do ta kërkojë një gjë të tillë?
Nuk besoj se Matko do më vendosë para një vendimi të tillë, pasi ai e di që unë jam e lidhur mirë me këtë vend në karrierë, por kurrë nuk them kurrë. Jetës nuk i dihet, për hir të familjes dhe mirëqenies së saj gjithçka mund të ndodhë.
KLOTILDA HARKA











