‘Gërdeci’, Kushtetuesja: Do gjykohet Mediu

May 9, 2012 | 16:17

TIRANE- Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit ka pershendetur sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi kërkesen e dy prej të plagosurve nga shpërthimi i Gërdecit R. Durdaj dhe A. Hazizaj per gjykim ndaj ish ministrit te Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ne nje deklarate per mediat, qendra “Res Publica” dhe shoqata e familjavere bejne me dije se me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 5 dt. 01.03.2010 të Gjykatës së Lartë dhe si rrjedhim të kthejë për shqyrtim cështjen penale R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër F. Mediut.

“Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës mënyrën sesi Gjykata e Lartë vendosi të mosfillojë procedimin penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, ku ajo përdori pa të drejtë kompetenca që i takojnë akuzës duke cënuar paanshmërinë e gjykatës, si dhe interesat e ligjshme të të plagosurve”-theksohet ne deklarate.

Sipas saj,  jo vetëm që vendimi ishte në favor të të dëmtuarve të shpërthimit të Gërdecit, por njëkohësisht u sqarua edhe një nga momentet e errëta të një praktike të ndjekur gabim prej vitesh tashmë nga Gjykata e Lartë.

“Nga vendimi del qartë që gjykatës nuk i takon të vendosë për të filluar ose jo procedimin penal, e drejtë kjo që tashmë mund të thuhet zyrtarisht se i përket vetëm të dëmtuarit akuzues dhe vullnetit të tij”- sqarohet me tej.

Shoqata ben me tej me dije se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj e detyron Gjykatën e Lartë të mos pengojë dhe madje të vihet në rolin e ndihmuesit për realizimin e këtij procesi.

“Gjykata Kushtetuese sot ka krijuar premisat për një gjykim më të drejtë duke shmangur një pengesë më shumë nga rruga e drejtësisë”-perfundon deklarata.

 

 

© Panorama.al

Te lidhura