Gërdeci, gjyq paralel Delijorgjit e Pinarit

Jun 27, 2011 | 11:53

TIRANE – Katër të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, paditen penalisht me akuzën e plagosjes në një proces paralel me gjyqin që po zhvillohet ndaj tyre për vrasjen e 26 personave në fabrikën e çmontimit të municioneve. Më 23 qershor 2011, gjykata e Tiranës ka regjistruar në gjykim padinë me numër 1736, ku të pandehur janë shtetasit Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës së Gërdecit, Mihal Delijorgji, ish-bashkëpronar i fabrikës, Sokol Ngjeçi, mbikëqyrës i MEICO në Gërdec dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO. Akuza e ngritur ndaj tyre është plagosje e rëndë nga pakujdesia. Gjyqtari i çështjes në gjykatën e Tiranës është Sokol Tona. Sipas burimeve nga gjykata, në këtë rast pala e akuzës nuk është prokuroria, siç ndodh zakonisht, por një person i plagosur nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Paditësi në këtë rast është shtetasi Roxhers Durda dhe procesi gjyqësor është hapur në Gjykatën e Tiranës, pikërisht pasi Gjykata e Lartë vendosi transferimin e dosjes në Shkallën e Parë për kompetencë gjykimi. Në padinë e tij ndaj katër të akuzuarve për ngjarjen e Gërdecit, Roxhers Durda, i përfaqësuar nga babai i tij, thekson se në datën 15.03.2008, rreth orës 12.00, në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, në një fabrikë që çmontonte municione luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 persona, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë. Ndërmjet këtyre personave të plagosur është edhe i dëmtuari Roxhers Durda. Në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr.305, datë 02.04.2008, në trupin e të dëmtuarit akuzues Roxhers Durda janë konstatuar dëmtime të rënda, për të cilat i dëmtuari ka nevojë për më shumë se nëntë ditë pushim. Sipas të dëmtuarve akuzues, këto dëmtime hyjnë në kategorinë e plagosjeve të rënda dhe janë të shkaktuara nga veprimet e pakujdesshme të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit, Dritan Minxollit dhe Sokol Ngjeçit. Në cilësinë e të dëmtuarit akuzues, Roxhers Durda ka ngritur padi ndaj katër të akuzuarve, duke kërkuar gjykimin e të dyshuarve me akuzën e plagosjes nga pakujdesia.

© Panorama.al

Te lidhura