
Tre muaj pas shpalljes së dënimeve, Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e arsyetuar për dosjen “Gërdeci”. Ditën e djeshme është publikuar nga Gjykata vendimi i shpallur më 12 mars 2012, në të cilin arsyetohet ndryshimi i akuzës dhe ulja e masës së dënimeve për të pandehurit. Në një material prej 515 faqesh, Gjykata e Tiranës shpjegon arsyet se pse ra akuza e “vrasjes” për të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli e Sokol Ngjeçi, si dhe vendimet e fajësisë apo të pafajësisë për 29 të pandehurit në proces. Në pretencë Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për Pinarin, Delijorgjin e Minxollin dhe 23 vjet burg për Ngjeçin. Në vendimin përfundimtar, Gjykata vlerësoi si të pabazuar në ligj kualifikimin ligjor të Prokurorisë për këta të pandehur, atë të “vrasjes në rrethana cilësuese në

bashkëpunim”. Për shkak se akuza ndaj tyre u rikualifikua në “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, ata morën dënime më të lehta. Ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, u dënua me 18 vjet burg, biznesmeni Mihal Delijorgji me 10 vjet burg, ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit me 18 vjet burg dhe ish-specialisti i MEICO-s në Gërdec, Sokol Ngjeçi, me 10 vjet burg. Për shkak të volumit tepër të madh dhe kompleksitetit të dosjes, treshja e gjyqtarëve që gjykuan këtë dosje mundën vetëm dje t’i jepnin fund arsyetimit plotë të tij. Nga shpërthimi i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit në Gërdec shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 27 personave, plagosjen e lehtë të 109 personave, dëmtimin e lehtë të 67 personave. Dëmi material i shkaktuar nga ky shpërthim ishte në vlerën 2 243 843 616 lekë.
PSE RA “VRASJA”
Lidhur me pretendimin e Prokurorisë se të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli, Sokol Ngjeçi dhe Shoqëria “Albademil” kanë kryer veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, kundër 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë, parashikuar nga nenit 79, germa “dh”, “ë”- 25 të Kodit Penal, të sjellë në gjykim, Gjykata nuk e gjen të bazuar në ligj këtë kualifikim ligjor me arsyetimin se: Bashkëpunimi është një rrethanë, e cila mund të ekzistojë vetëm tek veprat penale, të cilat kryhen me dashje direkte. Bashkëpunimi nënkupton ekzistencën e një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve të veprës penale për realizimin e saj. Vetë koncepti marrëveshje parashikon vullnetin e bashkëpunëtoreve (subjekteve të veprës penale) për të realizuar veprën penale, parashikon dëshirimin e ardhjes së pasojës nga ana e këtyre subjekteve të veprës penale. Në dashjen indirekte, subjekti i veprës penale nuk e dëshiron pasojën, por me vetëdije e lejon ardhjen e saj. Prandaj as në këtë formë faji dhe as në format e tjera, me përjashtim të dashjes direkte, bashkëpunimi nuk mund të ekzistojë. Që të kemi një vepër penale të kryer me bashkëpunim, nuk mjafton ekzistenca e tij vetëm në veprimet ose mosveprimet e subjekteve të veprës penale, por edhe në synimin e ardhjes së pasojës. Pra, subjektet mund të bashkëpunojnë në realizimin e një veprimtarie të caktuar, por nuk dëshirojnë ardhjen e një pasoje kriminale, edhe pse me vetëdije e lejojnë. Në këtë rast nuk kemi bashkëpunim në kuadrin e një elementi rëndues apo cilësues, sipas rastit, të figurës së veprës penale. Pra, që të kemi bashkëpunim në kuptimin juridiko–penal, është e domosdoshme që subjektet e veprës penale të dëshirojnë dhe të jenë marrë vesh për këtë qëllim për realizimin e pasojës kriminale. Gjykata krijoi bindjen e plote se tërësia e veprimeve të kryera në këtë proces demontimi dhe çmilitarizimi nuk ka pasur si qëllim dhe synim shkaktimin e vdekjes se personave që humbën jetën në këtë tragjedi, si objekt i drejtpërdrejtë i prekur nga kryesi apo kryesit e veprës penale dhe njëkohësisht si qëllim dhe synim i tij. Në thelb, vetë procesi ka qenë një sipërmarrje, e cila nga ana e saj duhet të vepronte sipas parashikimeve të caktuara në ligje dhe akte të tjera nënligjore të dala për këtë qëllim dhe për zbatim të saj. Në këtë veprimtari kanë qenë pjesë të gjithë personat, të cilët me punën e tyre kanë ndihmuar në zbatimin e procesit, duke marrë dhe një shpërblim për punën e kryer.
MANGESITE
Rezultoi e provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor me prova të pakontestueshme se gjatë procesit të çmontimit-çmilitarizimit të municioneve: Nuk është zbatuar vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 14.03.2007 në lidhje me llojin e kalibrave të municioneve, pasi në këtë vendim është parashikuar çmontimi dhe çmilitarizimi vetëm i kalibrave të vegjël (kalibrat deri në 14.5 mm referuar kontratës së parë të lidhur ndërmjet “SAC inc” sh.p.k, dhe MEICO); Mungesa e makinerive të posaçme për të realizuar çmontimin dhe çmilitarizimin e kalibrave të mëdhenj; Mungesa e rregullores së sigurimit teknik; Mosinstruktimi i punonjësve si për sigurinë në punë, ashtu edhe për mbrojtjen kundër zjarrit; Mungesa e mjeteve të mjaftueshme kundër zjarrit; Mospajisja e punëtorëve me veshje të posaçme; Mungesa e kushteve minimale të sigurimit për mbrojtjen nga lëndët shpërthyese (siç ishin baruti dhe TNT-ja); Mosrespektimi i vendit të realizimit të procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve; Mosrespektimi i rregullave për ruajtjen e ambientit, ku realizohej ky proces; Mosrespektimi i rregullave të distancës së vendit nga qendrat e banuara ku realizohet një proces i tillë.
Saldimi, shkak i shpërthimit
Sipas vendimit të Gjykatës, nga tërësia e provave me dëshmitarë dhe të provave të tjera të shqyrtuara dhe administruara në gjykim, e bindin gjykatën se si burim zjarri e shkak shpërthimi është saldimi i kryer mbi karrocë, e cila më pas është përdorur për transportin e barutit dhe në këtë mënyrë është bërë transferimi i nxehtësisë.
Mediu nuk u njoftua për rrezikun
Sipas Gjykatës, rezultoi e provuar se: Në asnjë moment të realizimit të kontratës, tek ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu nuk është paraqitur asnjë shqetësim lidhur me rajonin e përzgjedhur për demontim, si nga kompania, nga strukturat civile te Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, komuniteti apo organet e qeverisjes vendore.
“Pinari i dinte pasojat”
“Ai me vetëdije nuk i ka respektuar dhe ka lejuar mosrespektimin e rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin dhe shërbimin, i ka parashikuar pasojat që mund të vinin, humbja e jetës, apo dëmtimi i shëndetit i personave që punonin aty, nuk i ka dëshiruar këto pasoja dhe me mendjelehtësi ka shpresuar se do t’i shmangë ato”, thuhej në vendim.
Vendimi: Gjykata dha 97 vjet burg për të akuzuarit
Në vendimin e shpallur më 12 mars 2012 në Gjykatën e Tiranës, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado dhe anëtarë gjyqtaret Shefkie Demiraj e Fatmira Hajdari dhanë 9 pafajësi, 97 vjet burg në total dhe gati 40 milionë lekë gjobë për të pandehurit e dosjes. Njëkohësisht u vendosën dënime plotësuese për një pjesë të të pandehurve me heqje të drejtës për të ushtruar detyra apo funksione shtetërore në harqe kohore nga 1 deri në 5 vjet. Vendimi shpëtoi nga “burgimi përjetë” të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, dënim që u kërkua nga Prokuroria për ta.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











