“Gërdeci”, Ambasadori i OSBE: Zvarritja e gjyqit dëmton Drejtësinë

Jun 17, 2011 | 9:03

TIRANE – Një ditë pasi në Gjykatën e Tiranës u shty seanca e 152-të në radhë e gjyqit të Gërdecit, për shkak të mungesës së avokatëve, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri ka folur me shqetësim për ecurinë e këtij procesi. Ambasadori Eugen Wolfarth ka thënë se zvarritje të tilla të procesit cënojnë imazhin e sistemit të Drejtësisë. Në një deklaratë të shpërndarë dje për median, ambasadori Wollfarth shprehet se “procesi duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë, dhe në ligjet e vendit. Mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie”, thekson ambasadori i OSBE-së. Ai shton se tre vjet pas tragjedisë së Gërdecit dhe me gjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar seanca çdo dy ditë, procesi duket se është shumë larg finalizimit dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar”, shprehet ambasadori Wollfarth. “Vonesat e vazhdueshme – shton ai – nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cënojnë besimin aq shumë të nevojshëm te sistemi i Drejtësisë dhe më gjerësisht të shteti i së drejtës në Shqipëri, veçanërisht në këtë çështje kaq delikate”, nënvizon ambasadori, duke u bërë thirrje “autoriteteve të Drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjejeje, brenda një periudhe të arsyeshme kohore”. Ditën e sotme, në Gjykatën e Tiranës zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që zvarritjet e vazhdueshme pak kohë më parë u bënë shkak për lirimin nga burgu të personave të akuzuar që mbaheshin nën arrest. Mihal Delijorgji, pronar i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ish-drejtor i Fabrikës, Ylli Piunari, ish-drejtor i MEICO dhe Sokol Ngjeçi u lanë të lirë nga gjykata, pasi afati i mbajtjes në paraburgim mbaroi, ndërkohë që gjyqi ende vazhdonte.

© Panorama.al

Te lidhura