Jeni mësuar ta dëgjonit teksa këndonte këngë korçare dhe greke dhe herë pas here tundte dhe flokët e tij të gjata kaçurrela, duke krijuar kështu imazhin e tij unik dhe në mendjen tonë të pandryshuar. Por, mesa duket, qenkemi gabuar. Nuk e dimë se si ka ndodhur, nga vapa e madhe, apo nga ndonjë dalldisje tjetër, por ju duhet ta harroni pamjen e dikurshme të Genës. Ai tani do të shfaqet me pamjen majtas, me flokë shumë të shkurtër dhe paksa si bjond. Një Zot e di se si do të mund t’i këndojë Gena këngët melankonike me këtë pamje prej të forti, ku tashmë ajo që bie në sy janë një palë sy zhbirues dhe gati si të inatosur, një palë tatuazhe në krah, pra si përfundim, një njeri krejt tjetër. Nëse ne nuk jemi të vetmit që po kritikojmë pamjen e re të Genës, nëse reagime të njëjta ka pasur edhe nga të tjerë, i sugjerojmë atij t’i rrisë urgjentisht flokët dhe ndërkohë të sajohet me ndonjë paruke, se kështu siç është katandidur, nuk po mësohemi dot.











