Gedafi kërkon bisedime me rebelët, refuzohet

Aug 29, 2011 | 11:51

Muamar Gedafi, i cili po kërkohet mbi tokë e nën tokë nga rebelët dhe anëtarë të shërbimeve sekrete perëndimore, është raportuar se nuk ëshë larguar nga Libia. Një zëdhënës i kolonelit libian tha se Gedafi kërkon bisedime me rebelët për të krijuar transferimin  kompetencave të pushtetit. Por ky hap, i kërkuar më shumë se një muaj më parë nga kryengritësit e opozitës, u refuzua me forcë në këtë moment, kur ata kanë marrë më shumë se 95 për qind të territorit. Një zëdhënës i kolonelit, i cili supozohet të jetë  Musa Ibrahim, ka telefonuar në agjencinë “Associated Press” për të nisur negociatat, të cilat do të drejtoheshin nga djali i tij, Saadi. Zëdhënësi konfirmoi se Gedafi ndodhet në Libi, pa pranuar të thotë vendin e saktë ku strehohet ai. Përgjigjja e rebelëve ka qenë e prerë. “Nuk pranojmë negociata me Gedafin”, thanë zëra nga ekzekutivi i tyre. Ndërkohë, po zhvillohen një palë negociata në Sirte me krerët e fiseve, për t’u lejuar atyre të dorëzojnë qytetin në duart e kryengritësve opozitarë që të evitohen  gjakderdhjet. Këshilli Nacional i Tranzicionit po i trembet fatit të të burgosurve nga besnikët e Gedafit, ata kanë arritur të lirojnë 10 mijë prej tyre nga burgjet e Tripolit, por mungojnë edhe 50 mijë emra të tjerë. Alarmi u rrit edhe më shumë kur në një zonë pranë aeroportit, ku sipas agjencisë “Ansa” u gjetën të pajetë trupat e mbi 170 personave, të cilët ishin vrarë ose djegur nga trupat e Gedafit.

© Panorama.al

Te lidhura