
Kryeministri takon Presidentin Aliev: Fton kompanitë azere për privatizimin e Albpetrolit.
Berisha në Azerbajxhan: Projekti më fizibël për tregjet europiane.
Projekti i gazit “TAP” është më fizibëli për kalimin e tij në tregjet europiane. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në ditën e parë të vizitës në Azerbajxhan. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Kryeministrin Artur Rasi-zade dhe kryetarin e Parlamentit, Oktay Asadov. Fillimisht Berisha u prit nga Aliyev, ku vendin kryesor të bisedimeve e morën projektet madhore energjetike me interes të përbashkët dhe investimet në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. “Kryeministri Berisha ftoi kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës ‘Socar’ të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri. Kryeministri Berisha theksoi se projekti për gazsjellësin trans-adriatik “TAP”, është projekti me fizibël për transmetimin e gazit azer drejt tregjeve europiane dhe me rëndësi vitale për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Nga ana e tij, Presidenti Aliyev shprehu interes për mundësitë e mëdha për bashkëpunim dhe investime dhe sugjeroi që të ngrihet një komision i përbashkët ndërqeveritar që do të shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha iniciativat e këtij bashkëpunimi. Në përfundim të takimit dy zyrtarët e lartë dolën në një komunikim për mediat. Presidenti vendas deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të forta. “Ne kemi diskutuar një spektër të gjerë çështjesh, të bashkëpunimit politik, forcimit të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe për të gjitha këto çështje, ne jemi dakord”, tha Aliyev. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Unë erdha këtu me objektivin kryesor për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet midis dy vendeve. Shqipëria e Azerbajxhani janë dy vende mike. Kam gjetur të njëjtën klimë, vullnet dhe ndjenja në të gjitha takimet e mia të mëparshme dhe veçanërisht në këtë takim shumë miqësor me Presidentin Aliyev. E ftova Presidentin të vizitojë Shqipërinë”. Më pas, Kryeministri Berisha u takua me homologun e tij, Artur Rasi-zade. Pas takimit u nënshkruan edhe marrëveshja për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve, si dhe një memorandumi mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë. Kreu i qeverisë zhvilloi dje gjithashtu një takim me kompaninë shtetërore azere të prodhimit të naftës “SOCAR”, e cila shprehu interesin për të qenë prezente në vendin dhe rajonin tonë. “Berisha e ftoi kompaninë të investojë për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të depozitimit të gazit azer në sinergji me projektin e Trans Adriatik Pipeline, apo për të marrë pjesë në privatizimin e kompanisë shqiptare ‘Albpetrol’, si dhe për të investuar në fushën e energjisë së rinovueshme”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë vizitës së tij në Muzeun e Flamurit, Kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve. Më pas, Kryeministri Berisha dhe delegacioni shoqërues panë nga afër edhe vendin ku po ndërtohej pallati për Eurosong 2012.
Ceremonia
Kryeministri Berisha bëri dje një vizitë në monumentin kushtuar heroit kombëtar të Azerbajxhanit, Hajdar Alijev, ish-President i Republikës së Azerbajxhanit, pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik. “Kryeministri vuri një kurorë me lule për nder të ish-presidentit, në një ceremoni solemne në memorial. Me pas, Kryeministri Berisha vuri një kurorë edhe te monumenti i ‘Zjarrit të Pashuar’, në varrezat e dëshmorëve, si dhe nderoi rreth 150 personat e vrarë brenda një nate nga ushtria sovjetike në vitit 1990, në përpjekje për të shtypur pavarësinë e Azerbajxhanit”, thuhet në njoftimin për shtyp.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











