Gati vendimi 200 faqe i KQZ: Basha fitues me 93 vota

Jun 25, 2011 | 11:58

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të miratuar vendimin që shpall Lulzim Bashën kryetar të Bashkisë së Tiranës.Pasi u përpunuan të gjitha shifrat që dolën nga hapja e 1793 kutive, Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit dhe Drejtoria Juridike pranë KQZ-së përgatitën materialin, i cili i kalon 200 faqet. Nga mbledhja e të dhënave rezulton se Lulzim Basha ka marrë 93 vota më shumë se rivali i tij. Kandidati i mbështetur nga Aleanca për Qytetarin ka marrë 125 042 vota, kandidati i së majtës, Edi Rama, 124 949 vota dhe Hysni Milloshi 1398. “KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, sipas tabelës së aneksit nr. 3 bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga koalicioni ‘Aleanca për qytetarin’”, thuhet në vendim.
Vendimi
Në dokumentin që iu shpërnda mbrëmë anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të partive, fillimisht përshkruhet e gjithë rruga e ndjekur që pas vendimit të Kolegjit, që detyronte hapjen e të gjitha kutive ku kishte vota, të cilat nuk ishin numëruar. “Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së do të hapë kutitë e pahapura më parë nga KQZ për çdo qendër votimi. Votat e hedhura në kutinë e gabuar, të gjetura në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara, zarfin e fletëve të votimit të pavlefshme apo të pafutura në asnjë zarf, në secilën kuti do t’i nënshtrohen procesit të numërimit dhe rivlerësimit dhe përpara se të pasqyrohen në tabelën model 58-11, sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi, grupi i numërimit duhet të deklarojë me zë rezultatin. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit për çdo QV, grupi i numërimit të KQZ-së miraton tabelën model 58-11″, thuhet në vendim. Në të njëjtën kohë, shtohet fakti se PS-ja kërkoi që të vëzhgojë nga afër procesin e transportimit të kutive nga Lundra për në Pallatin e Kongreseve si dhe ruajtjen në ambientet e KQZ-së. “Në kuadër të transparencës së procesit, KQZ pranoi kërkesën e Partisë Socialiste dhe përfaqësues të Partisë Socialistë ndoqën procesin e ruajtjes dhe transportimit të kutive të votimit të Bashkisë Tiranë nga ambientet e KQZ-së në Lundër deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-në në Pallatin e Kongreseve”, vijon më tej argumentimi i KQZ-së.
Argumentet e palëve
Në mbledhjen e sotme në orën 18:00, debati mes PD-së dhe PS-së pritet të fokusohet në mënyrën se si duhet të miratohet vendimi për shpalljen e Lulzim Bashës fitues për Bashkinë e Tiranës. Të dyja partitë do t’i referohen nenit 24 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon rastet kur KQZ-ja duhet të ketë pesë vota për miratimin e vendimit. Sipas Partisë Socialiste, rasti në fjalë ka të bëjë me ndryshimin e tabelës përfundimtare për Bashkinë e Tiranës dhe ky moment duhet të ketë patjetër votë të cilësuar. Nga ana e saj, PD-ja pretendon se rasti i Tiranës është i veçantë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar nga Kolegji Zgjedhor të hapë kutitë për të gjetur votat e gabuara. Duke iu referuar nenit 24 të Kodit Zgjedhor, sipas juristëve të PD-së, nuk ka asnjë pikë ku të thuhet se vendimet e KQZ-së pas urdhërimit të Kolegjit duhet të votohen me 5 vota. Sipas tyre, detyrimi për të pasur pesë vota do ta bënte të pamundur vendimmarrjen në KQZ për një rast të tillë.

Vendimi i KQZ

Kolegji Zgjedhor vendosi urdhërimin e palës së paditur, KQZ, të hapë, rinumërojë dhe rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura (të materialeve zgjedhore) për Bashkinë Tiranë në 368 QV, për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallë tabelën  përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Partia Socialiste e Shqipërisë i kërkoi KQZ-së që nëpërmjet personave të autorizuar prej saj të këqyri procesin e transportit të kutive të votimit nga ambientet e KQZ-së në Lundër deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, në Pallatin e Kongreseve. Gjithashtu, Partia Socialiste e Shqipërisë kërkoi që përveç personave të ngarkuar nga KQZ për ruajtjen e kutive të votimit në ambientet ku mbahen kutitë votimit të ketë të pranishëm dhe persona të autorizuar nga Partia Socialiste për ruajtjen dhe këqyrjen e tyre 24 orë.

Në kuadër të transparencës së procesit, KQZ pranoi kërkesën e Partisë Socialiste dhe përfaqësues të Partisë Socialistë ndoqën procesin e ruajtjes dhe transportit të kutive të votimit të Bashkisë Tiranë nga ambientet e KQZ-së në Lundër, deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-në në Pallatin e Kongreseve.

Pas verifikimit të kodeve, grupi i numërimit procedoi me hapjen e kutisë dhe nxjerrjen e zarfeve me fletët e pavlefshme, zarfet me fletët e kontestuara dhe fletët që janë brenda në kuti dhe nuk janë futur në asnjë prej zarfeve të lartpërmendura. Ne të tria këto grupe me fletë votimi, grupi i numërimit të KQZ-së evidentoi fletët, të cilat nuk i përkitnin asaj kutie, i numëroi, i vlerësoi këto fletë votimi dhe plotësoi tabelën model 58-11 (miratuar me Vendimin e KQZ-së Nr. 1094, datë 18.06.2011).

KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, sipas tabelës së aneksit nr.3 bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga koalicioni “Aleanca për qytetarin”.

93 vota
Në përfundim të hapjes së 1793 kutive në të gjithë Tiranën, Lulzim Basha rezulton fitues me 93 vota më shumë se rivali i tij, Edi Rama. Basha ka marrë gjithsej 125 042 vota, kandidati i së majtës 124 949 vota dhe Hysni Milloshi 1398.

503 vota
Gjatë numërimit të kutive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u gjetën 503 vota për kryetarin e Bashkisë që ishin hedhur në kutinë e gabuar. Kur u hapën 117 kutitë e para, ishin rreth 250 vota të hedhura gabim.

2983 vota
Pas urdhrit të Kolegjit, KQZ-ja numëroi të gjitha votat e hedhura gabim, nga ku rezultoi se në total janë rreth 2983 vota që nuk janë hedhur në kutinë e saktë. Nga këto, më shumë është gabuar në kutinë e kryetarit të minibashkisë.

319 vota
Sipas shifrave të KQZ-së për Këshillin e Bashkisë, u gjetën 319 vota të hedhura gabim. Shumicën e këtyre votave e kanë marrë PD dhe PS. Në të njëjtën kohë, 1527 vota janë hedhur gabim për kryetarin e minibashkisë.

PD: Kryetari i ri, brenda 10 ditëve

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, tha dje se pavarësisht ankimimit të PS-së në Kolegj, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës do të dalë brenda 10 ditësh. Sipas tij, “të gjithë e dimë se kryetari i Bashkisë së Tiranës është zoti Basha. Shifrat janë fiksuar te numri 95. Besoj se kjo shkon përtej një dhjetëditëshi. Duke pasur parasysh ato që dëgjojmë, dhe kjo është në të drejtën e PS, që pritet një ankimim i ri mbas këtij vendimi të KQZ-së. Duke llogaritur kohën sa të dalë ky vendim, sa të bëhet ankimimi, besoj që brenda 10 ditëve gjithçka do të jetë e mbyllur. Në shtator do të shikojmë zotin Basha të ketë marrë përsipër drejtimin e Bashkisë së Tiranës”. Përfaqësuesi demokrat hodhi poshtë pretendimet e opozitës për dyshimet mbi kutitë që u hapën në KQZ. “Integriteti është një vlerësim që kutisë i bëhet në raport me fletët e votimit që ka brenda. është njësoj sikur në një moment makinën e ke lënë në rregull dhe kur afrohesh shikon që xhami i makinës tënde është thyer. Makina nuk është e rregullt. Ka mundësi të jetë vënë dorë mbi të, por kjo nuk do të thotë të nxitosh të thuash se më kanë vjedhur dokumentet e makinës. Atëherë, çfarë bëri Komisioni Qendror dhe çfarë bën ti me makinën? Shkon te makina dhe gjen dokumentet. Pra, vërtet është dëmtuar makina jote, por dokumentet janë atje. Kjo doli dhe në KQZ”.

 

ADI SHKEMBI


© Panorama.al

Te lidhura