Garë pasagjerësh, bie nga ura autobusi i nxënësve

Feb 24, 2012 | 10:37

Autobusi i aksidentuar dje në Skrapar

SKRAPAR/ Plagosen shtatë fëmijë. Shkonin në shkollën e qytetit.

Aksidentohet autobusi me nxënësit e shkollave, 7 fëmijë plagosen. Për pak sa nuk është shndërruar në tragjedi udhëtimi i djeshëm drejt shkollës për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm që ishin nisur nga fshatrat drejt qytetit të Çorovodës. Në fakt, në këtë ngjarje janë përfshirë dy autobusë që ishin të destinuar për transportin e nxënësve të shkollave nga fshati Vëndresh dhe Therepelit për në shkollën e mesme të përgjithshme të qytetit të Çorovodës. Sipas Policisë, gjatë rrugës, dy autobusët, njëri me 10 nxënës dhe tjetri me 15 të tillë dhe dy mësues, bënin gara me njërin-tjetrin për të parakaluar për marrjen e pasagjerëve që gjendeshin gjatë rrugës, edhe pse ishin të paguar nga seksioni i Arsimit. Në vendin e quajtur Orizaj, 5 kilometra larg qytetit të Çorovodës, autobusi që drejtohej nga shoferi Riza Malo ka tentuar të parakalojë mjetin e drejtuar nga kolegu i tij. Ky moment përkoi pikërisht kur mjetet ndodheshin përballë Urës së Orizajt, e cila është me një kalim. Për pasojë, drejtuesi i autobusit nuk ka mundur të kalojë urën, por ka devijuar me shpejtësi për t’u përplasur me një shkëmb. Nga përplasja e autobusit janë plagosur 7 nxënës dhe dy udhëtarë të rastësishëm. Menjëherë ka shkuar në vendngjarje Policia e Qarkullimit Rrugor, e cila ka transportuar për në spitalin e qytetit të Çorovodës të lënduarit. Tre prej tyre, që kishin marrë plagë më të rënda, janë nisur për në spitalin rajonal të Beratit. Pas ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, është vendosur që njëri prej tyre, 15-vjeçari B.Sh., nga Vërzhesha, të transportohet për në Spitalin

Autobusi i aksidentuar dje në Skrapar

Ushtarak të Tiranës, si pasojë e frakturave në këmbë. Burimet nga Polica bëjnë të ditur se shoferi i autobusit të aksidentit, Riza Malo, është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë ku është marrë në pyetje nga oficerët gjyqësore. Mësohet se nëse autobusi do të dilte në krahun tjetër të rrugës, ai do të përfundonte në shtratin e lumit. Ka qenë fat për udhëtarët që një pemë ka ndalur rrëshqitjen e makinës drejt honit. Pas marrjes së mjekimit në spitalin e Beratit, fëmijët kanë dalë për t’u trajtuar në kushtet e shtëpisë. Vetë nxënësit pohuan për policinë se kjo ndodhte çdo ditë, pasi drejtuesit e autobusëve merrnin dhe udhëtarë të rastit të fshatrave që donin të zbrisnin në qytetin e Çorovodës. Policia ka nisur hetimet për rastin, duke vënë në dijeni dhe Drejtorinë Arsimore të rrethit për ngjarjen, e cila desh u mori jetën udhëtarëve të mitur.

SKRAPAR/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura