Gardistët: Nuk e prekëm serverin

Feb 20, 2012 | 11:08

Nga protesta e 21 janarit

Kamera me rezolucion të lartë, e vendosur në shina, regjistroi demonstratën nga çatia e Kryeministrisë.

21 janari, ekspertiza: Kompjuteri u mbingarkua, u ristartua 3 herë.

Katër efektiva të Gardës së Republikës, punonjës të sektorit të analizës të cilët kanë qenë të pranishëm në dhomën e serverit të kamerave më 21 janar, mohojnë të kenë prekur me dorë pajisjen kompjuterike, ku sipas Prokurorisë janë fshirë filmimet e demonstratës. Që pas ngjarjeve të 21 janarit dhe më pas, Prokuroria ka marrë vesh se në dhomën ku ndodhej serveri dhe ekranet e lidhura me kamerat, në katin e parë të Kryeministrisë, kanë qëndruar 4 gardistë, një femër dhe tre meshkuj, të gjithë të paarmatosur. Ata ishin pjesë e sektorit të analizës në Gardën e Republikës dhe disa orë para demonstratës së 21 janarit kishin kërkuar që personi përgjegjës t’u hapte derën e dhomës ku ndodheshin ekranet e kamerave të vëzhgimit që shikonin përreth Kryeministrisë. Bazuar në planin e masave, tre nga gardistët e sektorit të analizës do ndiqnin pamjet në monitorët e vëzhgimit dhe do t’u flisnin me radio apo me kufje efektivave të armatosur të Gardës, që ndodheshin jashtë Kryeministrisë. Duke ndjekur pamjet në kamera, punonjësit e analizës do të informonin kolegët e tyre të armatosur jashtë Kryeministrisë për lëvizjet e demonstruesve, aktet e dhunës dhe gjithçka tjetër. Sipas hetimeve të Prokurorisë, kështu ka ndodhur. Katër gardistët e sektorit të analizës kanë dëshmuar se shtetasi Armando Kasaj, shef i IT në Kryeministri, ka pasur çelësin e zyrës ku ndodhej serveri dhe ekranet e lidhura me kamerat e sigurisë. Kasaj ka hapur derën dhe tre nga gardistët kanë ndjekur ngjarjet në ekrane duke informuar kolegët e tyre. Gardisti i katërt ka pasur një detyrë specifike. Një kamerë cilësore me rezolucion të madh ishte vendosur në një shinë gjatësore në çatinë e Kryeministrisë. Kjo kamerë ishte pajisur me një sistem që mundësonte lëvizjen e saj nga njëra qoshe e çatisë së godinës në tjetrën, ndërkohë që pajisja e filmimit shikonte gjithnjë në hapësirën mes bulevardit dhe oborrit të Kryeministrisë. Gardisti i katërt ka kryer pikërisht këtë veprim, ka komanduar pultin me anë të të cilit kamera me rezolucion të madh lëvizte në shinë sipër Kryeministrisë, duke monitoruar më mirë gjithë situatën që po ndodhte mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Gardistët që ndodheshin në dhomën e serverit, kanë pohuar se gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre aty ka qenë i pranishëm edhe shtetasi Armando Kasaj, i cili dispononte çelësin e zyrës. Pas përfundimit të demonstratës, rreth orës 19:35, efektivat e Gardës kanë pohuar se kanë marrë një kopje të filmimeve që ishin kryer nga kamerat, të cilat kanë qenë në funksionim atë ditë. Sipas ekspertizës së kryer në serverin e kamerave të Kryeministrisë, ka rezultuar se në kohën kur është kopjuar materiali filmik që u është dhënë efektivave të Gardës, është kryer më pas edhe fshirja e filmimeve. Për shkak se memoria e kompjuterit ishte mbingarkuar, sipas ekspertizës, personi që ka kryer veprimin i ka dhënë komandën “copy” tri herë, për këtë shkak kompjuteri është bllokuar nga mbingarkesa. Për këtë arsye, sipas ekspertizës, kompjuteri është ristartuar tri herë.

Në punë 11 kamera, 2 mbi kokën e Gardës
TIRANE – Sipas dëshmive të dhëna nga gardistët e sektorit të analizës por edhe sipas ekspertizës së kryer në Tiranë dhe më pas në SHBA, ka rezultuar se gjatë protestës së 21 janarit, sistemi i Kryeministrisë ka pasur në punë 11 kamera vëzhgimi. Sipas hetimeve, dy nga këto kamera kanë qenë të vendosura me pamje pikërisht nga vendi ku ishin dislokuar efektivat e Gardës së Republikës, që ishin pajisur me armatim luftarak dhe të cilët dyshohet se kanë hapur zjarr në drejtim të turmës. Pamjet e kapura nga kamerat në fjalë nuk qe e mundur të merreshin nga Prokuroria, për shkak se janë fshirë nga serveri i Kryeministrisë, që bënte depozitimin e imazheve që vinin prej sistemit të kamerave. Fshirja ka ndodhur me anë të riformatimit të pajisjes, veprim që është kryer më 22 janar 2011, në orën 00:51.

Prendi, më 22 shkurt në Apel
Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, do të dalë në Gjykatën e Apelit për masën e sigurisë më 22 shkurt 2012. Prokuroria ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” dhe vendosjen e masës “arrest me burg”, me argumentin se Prendi përbën rrezikshmëri shoqërore. Gjykata e Shkallës së Parë e ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë, ndërsa organi i akuzës e dërgoi çështjen në Apel, ku ka paralajmëruar se do të paraqesë prova të reja në lidhje me akuzën ndaj Ndrea Prendit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura