Gardiani vret motren, kunatin e veten. Masakër në Shëngjin, motra e autorit: Krimin e bëri kunata ime

Jul 15, 2012 | 12:21

AUTORI I MASAKRES SE TREFISHTE BRENDA FAMILJES, SANDER NDOJI

Polici vret motrën, kunatin dhe veten

Krim i trefishtë brenda familjes, pas sherrit mes kunatave për një apartament dhomë e kuzhinë

Plagoset me dy plumba nipi 12-vjeçar, në gjendje të rëndë për jetën

Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shëngjin, duke shkaktuar bilanc tragjik viktimash. Tre persona kanë vdekur, ndërsa një fëmijë është në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas Policisë së Lezhës, Sandër Ndoj, 49 vjeç, ka qëlluar për vdekje motrën e tij Dana Ndoj, 39 vjeçe, bashkëshortin e saj italian, Luigi Benincassa, 53 vjeç, si dhe ka plagosur fëmijën e tyre, 9 vjeç. Më pas, Sandër Ndoj është vetëvrarë me armën e krimit. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin e të motrës së Sandrit, shtëpia që u bë shkak i këtij makabriteti. Prej një dekade, motër e vëlla ishin në konflikt mbi trashëgiminë e kësaj banese që ndodhet në qendër të Shëngjinit, dhomë e kuzhinë, derisa u mori edhe jetën. Me vdekjen e prindërve, apartamenti i kishte kaluar zyrtarisht Danës me anë të amanet-testamentit, duke lënë të pakënaqur vëllain e saj, Sandrin. Por më së shumti, bashkëshorten e tij Mimoza, e cila prej 10 vitesh i ka kërkuar kunatës kalimin e apartamentit të emër të bashkëshortit. Nga dy vëllezërit dhe gjashtë motrat e familjes Ndoj, Sandri me gruan e tij, Mimoza, ishin të vetmit që pretendonin shtëpinë e Danës, pasi të tjerët kishin rënë dakord që në fillim me vullnetin e prindërve për trashëgiminë. Sipas tyre, sa kohë ishin gjallë, prindërit nuk kishin shkuar asnjëherë mirë me nusen e shtëpisë. Duke qenë se Dana ishte më e vogla e familjes dhe kishte pasur një martesë të dështuar, atëherë prindërit kishin vendosur që t’ia linin asaj apartamentin. Kur ajo u martua sërish me italianin Luigi Benincassa, atëherë shpërtheu konflikti, që u mbyll me tri viktima dhe një fëmijë të plagosur.

Bashkëshortët Luigi dhe Dana, të vrarë dje nga vëllai i saj, Sandër Ndoji

Ka qenë ora 06:30 e mëngjesit kur Sandër Ndoj ka dalë nga shtëpia për të ikur drejt Shën Kollit, ku punonte si efektiv policie në burg. Sipas familjarëve dhe fqinjëve dëshmitarë, sapo ka parë të motrën në oborr, ai është kthyer nga rruga teksa shkonte për te makina. Vëlla e motër kanë nisur të debatojnë, por dëshmitarët nuk kanë arritur të kuptojnë se për çfarë. Vetëm pas pak çastesh nga replika, fqinjët kanë parë Sandrin duke i drejtuar pistoletën të motrës, Danës, e cila ka vrapuar që të fshihet brenda shtëpisë. Ai ka qëlluar drejt saj duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që në derë janë shfaqur bashkëshorti Luigi Benincasa dhe djali 9-vjeçar. Sapo i ka parë, Sandri ka shtënë edhe drejt tyre disa herë, derisa i pa të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Pasi i ka vështruar për pak sekonda duke vënë duart mbi kokë, ai ka ikur me nxitim nga pas pallatit. Ndërkohë, fqinjët kanë shkuar drejt trupave të gjakosur për të dhënë ndihmën e parë dhe teksa po lajmëronin policinë, kanë dëgjuar një tjetër të shtënë. Në një shtëpi-dhomë private, vetëm 10 metra pas pallatit të së motrës, që Sandër Ndoj e kishte ndërtuar për ta dhënë me qira gjatë verës për pushuesit, ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë. Vrasjet dhe vetëvrasja janë bërë me të njëjtën armë; atë të shërbimit të Sandër Ndoj. Ai ishte baba i dy fëmijëve, vajzës 17-vjeçare dhe djalit 12-vjeçar.

Flet Pranvera, motra e Sandër dhe Dana Ndojit.

Motra e viktimave: Vrasësja e vërtetë është kunata ime.

Pranvera, motra e Sandër dhe Dana Ndojit

Dje, të gjithë tregonin të njëjtën histori parakrimi në Shëngjinin turistik, por Pranvera bën diferencën në rrëfim. Sepse ajo është njëra nga gjashtë motrat e familjes Ndoj, ku nga mëngjesi i së shtunës ato kanë mbetur pesë dhe vetëm një vëlla. Sandri, më i vogli prej dy vëllezërve, vrau Danën, më të voglën e motrave dhe të krejt familjes, Luigi-n, bashkëshortin e saj, si dhe plagosi fëmijën e tyre, nipin e tij 9-vjeçar. Krimi monstruoz erdhi si pasojë e konfliktit vëlla e motër për një apartament të vjetër, dhomë e kuzhinë, aty ku dje u hapën dyert e mortit. Familjarë, miq, të afërm dhe banorë të Shëngjinit hynin e dilnin për vizitat ngushëlluese, përveç Mimoza Ndojit, nuses së shtëpisë, bashkëshortes së Sandrit. “Nuk kemi më punë ‘me atë’, kunata na e çoi vëllain në këtë masakër. Më vjen rëndë dhe nuk dua të flas prej dy fëmijëve të Sandrit, por ajo është vrasësja e vërtetë. Ajo e shkaktoi këtë tragjedi”, thotë Pranvera për gazetën “Panorama”, ndërsa ndërpritet herë pas here nga të afërmit, që e këshillojnë të mos flasë. Për pak çaste ua dëgjon këshillën dhe hesht, por kur e ngacmon sërish për kunatën, rrëfimi i del vetvetiu…
Pse nuk është në mort Mimoza, bashkëshortja e Sandrit, kunata juaj?
Nuk ka pse të jetë dhe bën mirë që të mos jetë.
Ku ndodhet ajo?
Unë e di se është në polici, por nuk e di nëse ka dalë. Bën mirë që të rrijë gjatë atje, se aty e ka vendin.
Pse e ka “atje vendin”?
Nuk kemi më punë “me atë”, kunata na e çoi vëllain në këtë masakër. Më vjen rëndë dhe nuk dua të flas prej dy fëmijëve të Sandrit, por ajo është vrasësja e vërtetë. Ajo e shkaktoi këtë tragjedi.
Ishte vëllai juaj që qëlloi mbi motrën…
Vëllai im ka shkrehur armën, e vërtetë. Ai ka përdorur dorën, ndërsa kunata ka përdorur trurin. E ka shtyrë Sandrin të vrasë, ndaj ajo është po aq fajtore sa ai. Madje edhe më shumë. E ka yshtur gjithë natën me fjalë, që kushedi se çfarë i ka thënë, çfarë i ka sajuar dhe e ka mashtruar, derisa Sandri arriti dhe vrau Danën, Luigi-n dhe plagosi N.B. (inicialet e fëmijës 9 vjeç). Ajo do t’i ketë sajuar ndonjë histori monstruoze, derisa ai bëri krimin monstruoz.
Po pse do t’i sajonte kunata juaj të tilla histori?

Dana Ndoji, e vrarë dje nga vëllai i saj, Sandër Ndoji

Debat i vjetër, por mbrëmë (të premten në mbrëmje) Dana dhe kunata janë zënë keq për punën e shtëpisë. Para se të vdiste babai, ai e la me gojë dhe me shkrim që apartamentin do ta trashëgonte Dana. Si nëna, ashtu edhe babai, nuk kanë shkuar asnjëherë mirë me nusen e Sandrit. Duke e ditur të sigurt që nëse do t’ia linte asaj shtëpinë, dera prindërore do të mbyllej për ne 6 motrat dhe vëllain tjetër, atëherë babai vendosi që apartamentin t’ia jepte Danës. Për më tepër që Dana ishte më e vogla, e vetme në atë kohë dhe i duhej një strehë e sigurt për veten, pasi u kuptua qartë që nuk mund të mbështetej te “bujaria” e kunatës për ta mbajtur në familje. Kështu, rreth 12 vjet më parë, apartamenti u bë i Danës. Dy vite më pas, asaj i doli fati me Luigi-n. Pavarësisht se ai ishte italian, i pëlqente Shqipëria dhe duke qenë se u dashurua me Danën, vendosi të jetonte dhe punonte këtu. Duke qenë se puna e tij ishte në Shëngjin, ata u vendosën në shtëpinë e Danës. Kunata u bë shumë xheloze dhe nuk largohej nga apartamenti, edhe pse nuk kishte hapësirë, pasi Dana u bë me djalë. Që atëherë, pra prej 10 vitesh, ajo ka vazhduar të hapë sherr dhe të krijojë konflikte me Danën. Herë duke ia kërkuar shtëpinë e herë duke e kërcënuar që t’ia japë me zor.
Po vëllai juaj, Sandri, çfarë qëndrimi ka mbajtur lidhur me kërcënimet e bashkëshortes?
Ai nuk e ka mbështetur të shoqen dhe vazhdimisht i thoshte që të hiqte dorë. Dana i mbajti në shtëpi, e zgjeruan dhe e rregulluan me ca shtesa, por kunata e donte komplet, madje me dokumentacion zyrtar. Sandri nuk kishte se çfarë t’i bënte asaj dhe ishte lodhur gjithë këto vite.
Aq i lodhur, sa edhe të divorcohej?
Nuk e di për divorc, por di që nuk shkonin aspak mirë. Megjithatë, me dy fëmijë në mes, asgjë nuk është e lehtë.
Po me Danën, çfarë raportesh kishin ata si vëlla e motër?
Ata kanë vite që ndajnë apartamentin dhe Dana ka mbajtur gruan e tij në shtëpi vetëm nga marrëdhënia shumë e mirë me Sandrin. Sa për dijeni, para një muaji, Sandri ishte sëmurë dhe villte gjak. Ishte Dana ajo që i rrinte afër, i gatuante dhe i qante zemra për të. Nuk ziheshin ata të dy si vëlla e motër, por kunata nuk i la rehat asnjëherë. Gjithnjë futej në mes me sherre dhe nga viti në vit bëhej keq, vetëm pse nuk po arrinte dot që të ndante Sandrin nga Dana. Që ata të mos flisnin me njëri-tjetrin.
Nëse Sandri nuk shkonte mirë me të shoqen dhe kishte raporte të këndshme me motrën, atëherë si ka mundësi që vrau atë dhe familjen e saj dhe jo bashkëshorten?
Kjo është më e çuditshmja edhe për mua. Për ne të gjithë si familje. Nuk e dimë se çfarë mund t’i ketë thënë ajo. E ka çmendur komplet, siç duket… Fakti që vrau veten, e vërteton këtë.
E gjithë tragjedia ndodhi për një apartament dhomë e kuzhinë, me një shtesë të vogël. Pas kësaj masakre, a do t’ia jepni këtë shtëpi kunatës?
Ajo nuk ka pse të duket më këndej. Nuk po e kërcënoj, por të mos na e ndezë gjakun duke na ardhur këtu. Nuk na bëhet vonë për apartamentin, por ajo nuk ka shans që ta marrë. Mjaft jetë mori nga kjo shtëpi, por i shkoi gjaku dëm. As apartament dhe as shtesat nuk i merr dot.
Po dy fëmijët që ajo ka me vëllain tuaj?
Nuk kemi gjë me fëmijët, ata janë të vëllait. Madje do të kisha thënë shumë gjëra, po të mos ishin ata në këtë mes. Po ruajmë mendjen, qetësinë dhe etikën vetëm prej atyre.
Ata kanë qenë dëshmitarë të debatit të një nate më parë, në mes nënës, Mimoza dhe hallës së tyre, Dana. A ju kanë treguar konkretisht se çfarë kanë dëgjuar?
Atë çfarë jua tregova më sipër, për shtëpinë. Nuk i kemi ngacmuar, pasi ata janë tërhequr mënjanë dhe nuk janë në gjendje të flasin. Janë shumë të tronditur.
Djali i Danës dhe Luigi-t, pra nipi juaj, ndodhet në Spitalin Ushtarak. Jeni informuar se si është gjendja e tij dhe kush po kujdeset për atë?
Siç na kanë thënë mjekët, ndodhet në gjendje të rëndë dhe ka dy plumba në gjoks. Pranë tij është njëra motër dhe ca të afërm të tjerë. Shpresojmë që të shpëtojë dhe lutemi për jetën e tij. Ai ka parë me sytë e tij t’i vritet nëna dhe babai. U shëroftë dhe harroftë!
Po bashkëshortin e Danës, Luigi-n, do ta varrosni këtu?
Jo, atë e kanë kërkuar të afërmit e tij që ta varrosin në Itali. E drejta e tyre.
Dhe një pyetje të fundit. Thatë që ishit gjashtë motra dhe dy vëllezër. Nga ju, Dana trashëgoi shtëpinë, por e pretendoi edhe Sandri. A ka pasur ndonjë tjetër nga ju që kërkonte një pjesë të shtëpisë si trashëgimi, ose edhe të gjithën?
Jo, asnjë. Të gjithë fëmijët ishim të vetëdijshëm që apartamenti i takonte Danës, pasi ai ishte vullneti i babait. Dhe shtëpia është blerë nga ai. Derisa babai e gjykoi ashtu, ne e respektuam. Edhe Sandri u bind, ashtu si edhe ne. Ishte bashkëshortja e tij që sajonte sherr në familjen tonë, nuk e la rehat Danën dhe tim vëlla, derisa ua mori shpirtin dhe jetën.

Bashkëshortja e Sandrit, Mimoza: Dana më kërkoi të dilja nga shtëpia
Pas masakrës, policia merr dëshminë e kunatës dhe 2 fëmijëve

Shtëpia e konfliktit

Një natë para se të kryhej krimi i rëndë në Shëngjin, Mimoza Ndoj, bashkëshortja e autorit të masakrës, Sandër Ndoj, është konfliktuar me kunatën Dana, e cila mbeti e viktimë e vëllait, së bashku me bashkëshortin dhe djalin. Debati ka qenë i njëjti që ishte zhvilluar në vite – trashëgimia e apartamentit në një pallat të vjetër, në qendër të Shëngjinit. Ky fakt është pohuar nga vetë Mimoza Ndoj, teksa është rrëfyer para policisë dhe ekspertëve të hetimit. Sipas saj, Dana Ndoj, motra e bashkëshortit, Sandrit, i ka kërkuar asaj që të dilte nga shtëpia. Pas vdekjes së prindërve, apartamentit i ishte bërë një shtesë dhe aty ishin sistemuar që të dyja familjet (e Danës dhe e Sandrit), por që zyrtarisht ishte i Danës. Duke qenë se dy kunatat nuk kishin shkuar asnjëherë mirë dhe marrëdhënia e tyre kishte ardhur duke u acaruar, Dana i kishte kërkuar Mimozës që të mos shkelte më në banesën e saj. Nga ana tjetër, Mimoza ka dëshmuar se ajo nuk ka pranuar që të lërë shtëpinë, pasi ajo u përkiste edhe dy fëmijëve të saj, që ishin nipi dhe mbesa e Dana Ndojit. Sipas saj, Dana e kishte zgjeruar shtëpinë duke bërë shtesa, ndaj nuk kishte pse ta nxirrte në rrugë të madhe atë dhe familjen e saj. Por nga ana tjetër, pesë motrat e tjera Ndoj thonë se Dana nuk ka përzënë ndonjëherë Sandrin nga shtëpia apo fëmijët e tij, por vetëm Mimozën. Sipas tyre, vëlla e motër nuk kishin probleme me shtëpinë, pasi Dana i kishte liruar një pjesë, por kunata e donte të gjithën. Sa i përket skenës së krimit, Mimoza Ndoj ka deklaruar në polici se nuk ka parë asgjë, por vetëm ka dëgjuar të shtëna arme. Ajo ka mësuar nga fqinjët për masakrën, ndërsa për orë të tëra ka qëndruar në polici që të japë  dëshminë e saj lidhur me tragjedinë. Gjithashtu në polici janë thirrur edhe dy fëmijët e çiftit Sandri-Mimoza, vajza 17 vjeç dhe djali 12 vjeç, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, pasi ata kanë qenë dëshmitarë të sherrit të një nate më pas në mes nënës së tyre dhe hallës Dana. Megjithatë ata janë kthyer shpejt në shtëpi, por pa u bërë pjesë e vajtimeve të mortit. Që të dy fëmijët janë mbyllur në vetvete dhe kanë shmangur komunikimin me familjarët apo persona të tjerë.

Luigi Benincassa, dhëndër dhe shtetas shqiptar, varroset në Itali
Luigi Benincassa nuk ishte vetëm dhëndër shqiptar, por edhe shtetas shqiptar me pasaportë. Prej 12 vitesh ai jetonte dhe punonte në Shqipëri, ndërsa 10 vite më parë ishte martuar me Dana Ndojin. Luigi punonte si përgjegjës në një stabiliment të përpunimit të peshkut në Shëngjin dhe, së bashku me Danën e djalin e tyre 9 vjeç, jetonin në apartamentin e konfliktit. Pas ngjarjes tragjike të ditës së djeshme, në Policinë e Lezhës kanë mbërritur konsulli italian në Shkodër, si dhe ndihmësit e tij, të cilët kanë kërkuar informacion të hollësishëm për vrasjen. Sa i përket trupit të pajetë të Luigi-t, ai do të tërhiqet nga familjarët e tij në Itali, të cilët kanë kërkuar që të bëhen të gjitha procedurat e nevojshme, në mënyrë që ta marrin dhe ta varrosin në vendlindje. Luigi, bashkëshorti i Danës prej 10 vitesh, ka ndërruar jetë teksa po transportohej me urgjencë drejt spitalit. Mësohet se ai kishte marrë plagë të rënda në kraharor, por nuk është saktësuar nga policia numri i plumbave mbi të.

ELIZABETA ILNICA/ GJERGJ FIGURI

© Panorama.al

Te lidhura