Gara (e humbur) 030

Sep 9, 2023 | 9:22
SHPËRNDAJE

NGA VETON SURROI VetonSurroi

Ka filluar gara: Ballkani Perëndimor dhe BE-ja duhet të bëhen gati që më 2030 BE-ja t’i gjejë si anëtare vendet e Ballkanit Perëndimor Kështu deklaroi në fund të gushtit Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian, në fjalimin e vet të Forumit Strategjik të Bledit, dhe kjo deklaratë mbajti interesim një apo dy ditë. Në të lexuar tekstin e fjalimit të tij, mund të thuhet se titulli ishte më i madh se ç’kishte përmbajtje. Dhe kështu ndodh, sepse është vështirë të bësh ndonjë titull që ka të bëjë me integrim evropian në të e të duket se tërheq vëmendje më të madhe; tashmë ekziston një topitje në opinionin publik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mësuar me shprehjen e njëjtë , “perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Michel, ç’është e vërteta, shkoi një apo dy hapa më larg, dhe i quajti vendet e Ballkanit Perëndimor “anëtare të ardhshme”, për të treguar një lloj sigurie në përcaktim. Madje, për të mbështetur këtë përcaktueshmëri, shpalli se buxheti i ardhshëm i BE-së do të akomodojë financimin e nevojshëm për procesin integrues. E, përtej këtyre konkretësive mbetën edhe disa ide që duhet të përshpejtojnë interaksionin mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si mbledhje të për- bashkëta, si ato të politikës së jashtme e të sigurisë, e kështu me radhë.

Ndoshta porosia më e fortë e Michel-it ish- te drejtuar kah BE-ja, që të jetë vetë gati për anëtarë të rinj, sepse kjo dilte të ishte njëra anë e fortë e problemit: edhe po të ishin të gatshme shtetet e Ballkanit Perëndimor, a do të ishte e gatshme BE-ja?

Pyetja tjetër që rrjedh natyrshëm është se a janë të gatshme vendet e Ballkanit Perën- dimor, apo kur do të jenë të gatshme për integrim?

Këtu ia vlen të kandidohet një pyetje tjetër: a ka “vizioni Michel” (apo “premtimi i Bledit”, siç u quajt) politika përkatëse (gjegjësisht të reja) për Ballkanin Perëndimor?

Formula Michel, e reformave në vendimmarrje në BE (prej konsensusit te vota e shumicës së cilësuar) apo të ndryshimeve të tjera, është brenda konceptit të “fuqisë së butë” të BE-së, ku shtetet reformohen dhe adaptohen për integrim. Por, problemet me të cilat bal- lafaqohet BE-ja me disa prej “anëtarëve të ardhshëm” është e “sigurisë së fortë”, të vetë ekzistencës së shteteve. Në fjalimin e Michel-it, vendeve të Ballkanit Perëndimor u ofrohet mundësia të jenë anëtare të BE-së më 2030 së bashku me Ukrainën e Moldavinë. Ndërkohë, katër prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë ende duke përcaktuar shtetësinë e vet e Ukraina është në luftë të armatosur për çlirim nga agresioni rus. Ftesa për 2030 nuk është se u bëhet ca shteteve që kanë nevojë për reforma, por shteteve që pothuajse njëkohësisht me reformat janë në përpjekje për përcaktimin bazik të shtetësisë së vet.

Matësi i politikave të BE-së ndaj sfidës së sotme të “sigurisë së fortë” të Ballkanit Perëndimor nuk shkon kah indikatorët pozitivë.

Prej se ka filluar procesi integrues evropian i Bosnjë-Hercegovinës ky shtet nuk është bërë më funksional. Javën e kaluar, prijësi i serbëve të BH-së, Dodik, u vu në krye të protestës në katër vija delimitimi mes Republikës Serbe dhe pjesës tjetër të BH-së. Në traditën e përgjakshme të këtij shteti, ky është paralajmërim se njëherë protestohet në vija imagjinare ndarëse etnike, pastaj aty nxirren pushkët.

Prej se ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, Serbia nuk e ka zgjidhur problemin e vet parësor, atë të përcaktimit të territorit të shtetësisë së vet. Politikat e BE-së nuk e kanë shtytur apo detyruar që të mos aspirojë sundimin e një shteti tjetër, Kosovës, apo pjesëve të atij shteti. Fakti që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar MSA të veçanta, me subjektivitetin e tyre të qartë juridik ndërkombëtar, nuk e ka bërë Serbinë që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Për më tepër, as i ka bërë pesë shtetet mosnjohëse të BE-së ta bëjnë këtë punë.

Dhe, ndonëse ka qenë në krye të shteteve në reforma evropiane, Malit të Zi kjo në fund nuk i ka ndihmuar që të mos zhytet në një luftë të brendshme identitare, që ka potencialin e rrezikimit të karakterit të shtetësisë së këtij vendi, përfshirë edhe ushtrimit e sovranitetit në tërë territorin e vet.

Në leximin e BE-së së Michelit këto shtete duhet të ndihmohen që të reformohen e të bëhen të gatshme për integrim deri më 2030. Në leximin e Rusisë së Putinit, këto shtete janë pararojë e konfrontimit me Perëndimin, me investim të vogël e profit të madh.

Në leximin e BE-së, tabela “Sarajeva serbe, mirëserdhët në Republikën Serbe” është një anomali e mbetur prej vendosjes së Marrëveshjes së Daytonit. Në leximin e Rusisë, kjo është vijë fërkimi mes Rusisë dhe Perëndimit, një vijë që duhet të mbetet aty.

Në leximin e BE-së, Kosova është një shtet* që aspiron të jetë shtet. Në leximin e Rusisë, është një shtet* që aspiron të jetë shtet, dhe rrjedhimisht një derë që nuk do lejuar t’i mbyllet ndikimit të saj dhe goditjeve pjesës së butë të stomakut të NATO-s e BE-së.

Në leximin e BE-së, Mali i Zi është një shtet i vogël anëtar i NATO-s që me reforma më së lehti mund të shndërrohet në vend të BE-së. Në leximin e Rusisë, është një shtet i vogël që me sulm identitar (religjioz e etnik) më së lehti mund të shndërrohet në bazë ruse në ujërat e ngrohta.

Në leximin e BE-së, i tërë ky regjion duhet
të dëshmojë se si Evropa ka forcë për të qenë e bashkuar në BE, prej Portugalit deri në Ukrainë më 2030. Në leximin e Rusisë, i tërë ky regjion duhet të dëshmojë se si politikat e BE-së janë të pamjaftueshme për vendosjen e një rregulli perëndimor, bazuar në vlerat e demokracisë liberale.
Gara 2030 e filluar nga Michel është shenjë e mirë. Është gjithnjë mirë të vendoset një lloj caku orientues dhe pastaj të numërohet prapa e të kërkohen mjete e veprime se si të arrihet caku.

Por, vendosja e cakut dhe e masave të deritanishme nuk mjaftojnë. Në këtë situatë, nga këndvështrimi i vetëm i gjendjes së sotme, gara 2030 është që tani e humbur. Një pjesë e madhe e Ballkanit Perëndimor ende jeton në konflikte të papërfunduara dhe, ja ironia, sa më i largët të jetë realiteti i inte- grimit në BE, aq më të thelluara do të jenë konfliktet. Sot në Ballkanin Perëndimor në skenën politike po hyjnë të rinjtë e lindur e të rritur në konflikt, të cilët janë aty si një garanci dhe kontinuitet fizik i konflikteve.

Fjalimit të Michel-it, si dhe politikave të BE-së prej kohësh u mungon një koncept që fillon me një fjali.

Ndoshta pjesë e fjalimit të Ch.Michel do të duhej të kishte qenë se “pas nënshkrimit mes vete të marrëveshjes për paqe e bashkëpunim si kusht pa të cilin nuk bën, gjashtë shtetet e Ballkanit do të kenë mundësi që në saje të reformave vetjake të bëhen anëtare të BE-së që në 2030”.

Marrë nga Koha Ditore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura