
Mjeku amerikan riktheu në jetë Pecin.
Ministria e shpalli të vdekur, por ndryshon qëndrim pas dy orësh.
“Konfirmohet se nëntetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi”. Ky ishte njoftimi i orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme të dhënë nga gjeneral i brigadës, Viktor Berdo, i cili ndryshoi rrjedhën dhe bilancin e ngjarjes që kishte ndodhur në mesditë, në Kandahar të Afganistanit.
Por, lajmi më i mirë në zymtësinë e djeshme erdhi pas mesnate. Rreth orës 12:30, u raportua përfundimi me sukses i operacionit të Pecit. Sipas të dhënave nga Mbrojtja, nëntetari ka arritur të përballojë ndërhyrjen. Mjekët në Spitalin Ushtarak të Kandaharit treguan se organet jetike nuk janë prekur nga plumbat. Ata konfirmojnë se gjendja vazhdon të jetë e vështirë. Sidoqoftë, pas konsultave të vazhdueshme, në fund stafi mjekësor ra dakord që ushtaraku shqiptar të transportohej në Gjermani për një ndërhyrje të specializuar. Forcat e NATO-s do të bëjnë transportimin e ushtarakut shqiptar drejt Gjermanisë.
Njoftimi për sulmin

Rreth orës 17:30 u shpërnda lajmi se gjatë sulmit njëri prej efektivëve shqiptarë kish mbetur i vdekur, ndërsa tjetri ishte plagosur. Por, gjysmë ore më vonë, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes doli në një konferencë për shtyp dhe njoftoi se papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektivë të Policisë lokale (sipas të dhënave paraprake, është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë”. Sipas njoftimit, kapitel Vogli dhe nëntetar Peci mbetën të vdekur. Njoftimi theksonte faktin se sulmi i Policisë lokale kish ndodhur në orën 15:05 me orën lokale (në Shqipëri ora ishte 10:30 e paradites).
Ngushëllimet
Menjëherë pas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë i dërguan një mesazh ngushëllimi ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Ata shprehen mes të tjerash se vlerësojnë kontributin e vendit tonë në Afganistan dhe rolin e forcave tona paqeruajtëse. Pas ambasadorëve ishte kreu i shtetit, që ngushëlloi familjet e dy viktimave. Në orën 18:20 u publikua në media edhe ngushëllimi i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Të tria këto mesazhe ngushëllimi bënin fjalë për dy viktima. Pak minuta më vonë, gazeta “Panorama” kontaktoi me Qendrën Operacionale të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila bëri të ditura disa detaje nga ngjarjet në Kandahar. Zyrtarë të kësaj Qendre konfirmuan se një mjek amerikan po mbante nën kujdes Aleksandër Pecin, i cili tashmë ishte transferuar në një spital të ISAF në Kandahar. Në kontaktin e parë me të plagosurin, mjeku amerikan kish kërkuar gjysmë ore kohë për të parë nëse Peci mund t’ia dilte. Pas 30 minutash, ai e futi në operacion nëntetarin shqiptar, që qëndroi aty për dy orë e gjysmë. Në përfundim të operacionit, mjeku mësohet se kish deklaruar ‘gjendja është e rëndë, por ka shpresë’.
Lajmi i plagosjes
Rreth orës 19:30, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes që kishin shkuar në familjen Peci për të dhënë lajmin e vdekjes së Aleksandrit, u shfaqën sërish aty. Këtë herë, për t’u konfirmuar familjarëve se djali i tyre ishte në gjendje kome, por kishte ende shpresë. Një orë më vonë, gjeneral Berdo doli sërish në një komunikim me mediat, ku tha se “Në orën 17:15 minuta, komandanti i kontingjentit “EAGLE 4” në Kandahar, Afganistan, kolonel Behar Mara njoftoi Qendrën e Bashkuar Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, se N/Tetar Aleksandër Peci kishte ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të komandës “ISAF”, Rol 3 në Kandahar. I njëjti konfirmim ka mbërritur në orën 17:55 minuta nga ana e Komandës Ushtarake të NATO-s, në Shape, Belgjikë. Në orën 18:15 minuta, ne njoftuam median për lajmin e hidhur pasi kishim njoftuar familjarët, ndërsa në 18:30 minuta kjo u konfirmua në konferencën tonë për shtyp. Sipas një njoftimi të dytë nga Komandanti i kontingjentit “EAGLE 4” në Kandahar, Afganistan, kolonel Behar Mara, konfirmohet se N/Tetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi”. Në orën 21:45 erdhi edhe reagimi i Kryeministrit. Fillimisht ai kishte shkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ishte informuar për ngjarjen. “Komandanti i ISAF, gjenerali John Allen, i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për kapiten Voglin, që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së kapiten Voglit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Takimi
Gjatë orëve të darkës, Presidenti Topi zhvilloi një mbledhje në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, ku merrnin pjesë ministri Imami, shefi i Shtabit Xhemal Gjunkshi, gjeneral Viktor Berdo, Drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla dhe ushtarakë të tjerë të lartë. “Presidenti Topi zhvilloi një bisedë telefonike me komandantin e Njësisë Speciale “EAGLE 4” në Kandahar, nënkolonel Behar Marën, duke u interesuar me hollësi rreth gjendjes shëndetësore të paqeruajtësit të plagosur, nënoficerit Aleksandër Peci”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Imami: Peci ka shpresa
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami vizitoi mbrëmë familjet e komandove shqiptarë të vrarë e të plagosur në Afganistan. “Feti Vogli ra në krye të detyrës duke luftuar me trimëri dhe burrëri. Ai do të mbetet në kujtesën e familjes, të Forcave të Armatosura dhe të popullit shqiptar, si një dëshmor që nderoi flamurin dhe kombin e tij”, tha Imami. Ai vizitoi familjarët e nëntetarit Aleksandër Peci, të cilëve u komunikoi personalisht se sipas konfirmimeve të fundit, gjendja shëndetësore e nëntetarit Peci është shpresëdhënëse. “Ai ka marrë tri plagë të rënda, por që nuk kanë prekur organet jetësore. Sipas konfirmimit që vjen nga Spitali Ushtarak në Kandahar, nëntetar Aleksandër Peci mund të transportohet në Spitalin Ushtarak në bazën amerikane në Ramstein, Gjermani”, ka thënë Imami.
Aleksandër Peci, para një viti, pjesë e Specialëve
Nëntetar Aleksandër Peci, 24-vjeçari që po përballet me vdekjen në Afganistan, është nisur në misionin “EAGLE 4” më 16 janar të vitit 2012. Peci ka lindur në fshatin Lekbibaj të Tropojës, dhe me banim në Bathore të Tiranës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën “Profesionist i parë”, në Repartin Ushtarak Nr. 1001. Pas kryerjes me sukses të kursit bazë të Forcave Speciale, një vit më parë ai është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Speciale Ujore në Batalionin e Forcave Speciale. “Nëntetar Aleksandër Peci është një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij, thuhet në jetëshkrimin e tij. Dje në mbrëmje, komandanti i misionit “EAGLE 4” në Kandahar, Behar Mara, ka konfirmuar me një komunikim të dytë se Aleksandër Peci tashmë ndodhet në gjendje kome dhe se ka ende shpresë përmirësimi.
Orët e ankthit në familjen Peci
Historia e komandos Aleksandër Peci, biseda e fundit me babain një natë më parë
Aleksandri “u qa për së gjalli”, u hap për 2 orë morti pa trup

Kontakti i fundit me familjen ka qenë mbrëmë në darkë, nëpërmjet një bise-de me babain në internet. Ndërsa përqafimi është dhënë një muaj më parë, teksa e kanë përcjellë si komando profesionist drejt Afganistanit. Në datën 16 shkurt, Aleksandër Peci iu bashkua kontingjentit “Eagle-4” si specialist i armatimit, derisa mbrëmë fillimisht erdhi informacioni i kobshëm për vrasjen e tij nga një grup efektivash të Policisë afgane, ndërsa më vonë u “zbut” se ishte në gjendje kome. Siç u mësua zyrtarisht, ai ka qenë pjesë e grupit të komandove që po shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar. Jozyrtarisht, por si dëshmitarë që ishim vetë, ju rrëfejmë të gjithë historinë e komandos shqiptar nga Tropoja-Puka-Tirana e deri në Afganistan, dhe se çfarë ndodhi mbrëmë në familjen Peci, ku u hapën dyert e mortit për t’u mbyllur 2 orë e gjysmë më pas…
Nga Tropoja në Pukë dhe Bathore
I lindur në Lekbibaj të Tropojës më 1988-n, Aleksandri është djali i dytë i Jak dhe Mrika Pecit, pas vëllait të madh, Bashkimit, 24 vjeç. Më e vogla e familjes quhet Ina, 18 vjeçe. Kjo e fundit ka lindur në Lufë të Pukës, vendi ku ka jetuar familja Peci pas transferimit nga Lekbibaj për gati 10 vjet. Në vitin 1998, ata ndryshuan sërish banesë. Së bashku me një fqinjin e tyre pukjan, me të cilin janë edhe kumbarë, blenë pak metra tokë në Bathore dhe sërish ngritën shtëpitë ngjitur. Janë ndërtesa modeste në një rrugicë të thellë, njëkatëshe dhe pavarësisht se tashmë po bëhen gati 15 vite që kur u ngulën aty, nuk kanë arritur që t’i mbarojnë plotësisht. Babai, Jaku, punëtor në një firmë ndërtimi, duket se nuk e ka pasur aq të lehtë që me rrogën e tij të mbajë familjen prej 5 anëtarësh dhe njëkohësisht të lartësojë shtëpinë. Vetëm 3-4 vitet e fundit, djali i madh, Bashkimi, i ishte bërë krah punë në firmë babait dhe më pas, ka emigruar në Itali, duke i sjellë herë pas here ndihmë financiare. Ndërsa Aleksandri fillimisht ka mbaruar gjimnazin dhe pas tij menjëherë ka shkuar në ushtri. “Kur Aleksandri u fut në ushtri, ishte koha kur djemtë rekrutoheshin me forcë. Ndërsa ai, si ndër të rrallët, shkoi me shumë dëshirë. E donte ushtrinë dhe u gëzua kur e pranuan për në Afganistan. Unë, që kur u nis, nuk kam fjetur një natë i qetë, por nuk kisha çfarë të bëja. Aleksi u bë burrë dhe vendimet e jetës së tij nuk mund t’i merrja më unë. Ai mezi priste të shkonte dhe më pëlqente apo nuk më pëlqente mua, nuk ndërhyja dot. Nuk është se kam dashur që të shkojë, ia kam thënë mendimin tim. Por kur pashë se ai e kishte ndarë mendjen, nuk më mbeti gjë tjetër veçse t’i uroja të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi”, tregon babai i Aleksandrit, Jaku, për gazetën “Panorama”.
Hapja e mortit
Por, mbrëmë Jak Peci ishte i penduar që, pavarësisht rrethanave, i dha “bekimin” të birit si komando. Teksa morti pa trup u hap në shtëpinë e tij, burri 59-vjeçar u ul në gjunjë duke i kërkuar falje të birit dhe lutje Zotit. “Nuk po e besoj dot akoma që e humba. Më erdhën dy zyrtarë ushtarakë te puna dhe më thanë. Kur erdha në shtëpi, gjeta familjen time që ia kishin ngulur sytë televizorit, por që nuk e kishin marrë vesh akoma. Ishte dhënë vetëm emri i komandos së parë të vrarë në Afganistan. Ishte njoftuar edhe për një tjetër viktimë, por ende nuk ishte identifikuar. Sikur ta kishin parandjerë, gruaja dhe vajza ime po luteshin që mos të ishte Aleksi. Sa po bëhesha gati t’ua thosha, kur e dha lajmin edhe TV. Mos më pyet për dhimbjen, ke sy dhe shih vetë”, përgjigjet babai i Aleksandrit, ndërsa e pyesim rreth marrjes së lajmit dhe se si e përjetoi familja. Gjatë kësaj bisede, ora shënonte 19:00 dhe për atë, ashtu si edhe për të gjithë ne, Aleksandri ishte shpallur i vdekur nga Ministria e Mbrojtjes. Atij nuk i mbetej më gjë tjetër veçse të pranonte fatin e zi, duke folur gjithë “ngjyra” për djalin, Aleksin, siç e thërriste ai. “Ishte i qeshur, i dashur, i sjellshëm. Shumë tip i shkathët. E fejuam në verë. Ishte diçka që ia propozuam ne si familje, por na dëgjoi. Kemi marrë si nuse një vajzë të mirë nga zona e Shkodrës dhe shkonin për bukuri. Por ja, nuk të lë Zoti rehat”, shton Jaku, ndërsa në shtëpinë e tij nga minuta në minutë nuk kishte më vend për të ndenjur në këmbë. Ora shkoi 19:15 dhe gratë po hiqnin mobiliet e tepërta nëpër dhoma, në mënyrë që njerëzit të sistemoheshin brenda sa më shumë. E ëma e Aleksandrit, Mrika, krejt pa zë deri në ato momente, u detyrua të flasë për shkak të së bijës, Ina, duke i kërkuar që të qetësohej. Motra e vogël e Aleksandrit hynte dhe dilte nga shtëpia, ndërronte dhomat dhe thërriste të vëllain. “I kam çuar mesazh në celular, i shkoi, ma dha konfirmimin telefoni. Nuk është e vërtetë se ka vdekur”, bërtiste Ina nëpër shtëpi, pasthirrmat e së cilës fatmirësisht rezultuan të vërteta një orë më vonë. Gjysmë të vërteta në fakt, por me shpresa shumë…
Mbyllja e mortit
Ora 20:30. Dy zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm u shfaqën në portën e familjes Peci, duke dhënë lajmin e papritur se Aleksandri ishte në gjendje kome, me gjasa për t’u rikthyer në jetë. Dikush e besonte, dikush jo, gjithsesi Aleksandër Peci po qahej për së gjalli. Lumturinë e familjes, të afërmve, të fqinjëve, besojmë e imagjinoni, ashtu siç imagjinuat dhimbjen e tyre gjatë rrëfimit tonë për orët e ankthit. Dyert e familjes Peci qëndruan të hapura gjithë kohës në vijim, por kësaj here për gëzim. Fatmirësisht!
Pas mortit
Familja Peci ka qenë dje gjatë gjithë mbrëmjes shumë e çorientuar. Fillimisht mbi lajmin jo të vërtetë të vdekjes së Aleksandrit dhe më pas për ankthin nëse ai do të shpëtojë apo jo. “Morëm një lajm shumë të hidhur, pësuam një tronditje të pazakontë, kur na thanë se ka vdekur. Por dy orë më pas na thonë që ai nuk ka vdekur, shpresojmë që të ketë kismetin të jetojë”, tha xhaxhai i Aleksandrit, Nikollë Peci, pas informacionit shpresëdhënës se nipi është ende gjallë, pavarësisht gjendjes së rëndë. Sipas tij, dje ka qenë dita e 35-të që Aleksi ishte larguar nga shtëpia drejt Afganistanit, por gjatë kësaj kohe janë lidhur shumë shpesh nëpërmjet telefonit dhe internetit. Të njëjtën gjë na pohoi dhe babai i Aleksit, Jak Peci, i cili theksoi se “mbrëmë (19 shkurt) kam folur në skype me djalin”.
“Dasmë me rrogën e Afganistanit”
Që prej 8 muajsh Aleksandër Peci ishte i fejuar me një vajzë nga Shkodra. Pavarësisht faktit se lidhja e tyre ishte bërë me mblesëri, duket se çifti kishte rënë dakord që në shikimin e parë. Siç rrëfejnë të afërmit e familjes Peci, sapo Aleksandri e kishte parë vajzën shkodrane jo vetëm që e kishte pëlqyer, por edhe kishte këmbëngulur për fejesën. Sipas tyre, largimi i tij me këmbëngulje drejt Afganistanit ka pasur të bëjë edhe me faktin që të kishte financat e duhura për të bërë dasmën. “Nga qershori e prisnim që të kthehej, ndërsa nga korriku kishte premtuar se do të bënte dasmën. Nuk donte të priste më shumë, pasi ishte dashuruar me të fejuarën që në momentin e parë që ishin takuar. Ndaj edhe i duheshin lekët e Afganistanit, për të bërë dasmën këtë vit”, thonë ata.
ELISABETA ILNICA & ADI SHKEMBI
![a[1].pECI](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/02/a1.pECI_-300x225.jpg)











