
Hana, vajza e adoptuar e Muamar Gadafit e konsideruar si e vdekur pas bombardimeve të SHBA-së në vitin 1986, në fakt mund të jetë gjallë, ndërsa deri tani ka punuar dhe jetuar në Tripoli.
Disa dokumente të gjetura në bunkerin e Gadafit në Tripoli tregojnë se vajza është rritur duke studiuar mjekësinë, ndërsa ka mësuar edhe anglisht nëpërmjet British Council në Tripoli.
Dokumentat janë gjetur në një dhomë të bunkerit, e cila mendohet se ishte dhoma e Hanës.
Sipas “Irish Times”, shumë prej libianëve kanë dyshuar se ai e ka përdorur vdekjen e vazjës së tij për të përkrahur idenë se ajo ishte një viktimë e agresionit ushtarak perëndimor.
Ndër sendet e zbuluara në dhomën e saj janë; vërtetim e kontrolli në një nga fakultetet e mjekësisë në Libi, e nënshkruar “Hana Muamar Gadafi”, në gjuhën arabe dhe një fotografi me vajzën tjetër të Gadafit, Aisha.
Gjithashtu, një certifikatë e British Council, e lëshuar më datë 19 korrik 2007, e cila tregonte se Hana ka arritur nivelin A të njohurive në anglisht.
Dokumentet janë gjetur nga korrespondenti i “Irish Times”, i cili ka treguar se në momentin e gjetjes së fotografive një nga rebelët ka bërtitur “ Është Hana, Hana vajza e Gadafit”
© Panorama.al











