G20: Stop rritjes së çmimeve të drithërave

Jun 24, 2011 | 10:12

Një marrëveshje e grupit të 20 vendeve më të zhvilluara në botë, e miratuar të enjten, ka si synim përpjekjet reale për t’i dhënë fund rritjes së çmimeve të drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore në botë. Ministrat e Bujqësisë të 20 vendeve me ekonomitë kryesore janë fokusuar në trajtimin e paqëndrueshmërisë së çmimit të ushqimeve dhe nxitjen e investimeve në prodhimin bujqësor. Marrëveshja, e cila kishte muaj që negociohej, ishte propozuar nga Franca, pasi në tregje spekulohej se ky vend ishte ai që nxiste rritjen e çmimit të produkteve bujqësore. “Ne kemi dhënë shtysë dhe unë shpresoj se do t’i merrni rezultatet në muajt e ardhshëm”, tha ministri francez i Bujqësisë, Bruno Le Maire. Anëtarët e G20 prodhojnë 85 për qind të prodhimit bujqësor në botë. Plani i veprimit thotë se prodhimet bujqësore duhet të rriten me 70 për qind deri në vitin 2050, për të ushqyer mbi 9 miliardë njerëz. Ministrat e G20 kanë inkurajuar edhe ministrat e Financave që të marrin vendime për rregullimin sa më të mirë të tregjeve bujqësore e financiare, duke e lënë atë deri në ato të miratojë masa konkrete. “Ne kemi vendosur të luftojmë kundër rritjes së çmimeve dhe për të vënë disa masa konkrete specifike mbi rregulloren financiare”, theksoi ministri francez për “Reuters”.

© Panorama.al

Te lidhura