G20, më shumë para FMN-së, paketa globale, 2 trilionë USD

Feb 27, 2012 | 12:38

Takimi i G20 dje në Meksikë

Propozim për dyfishimin e ndihmës financiare, më shumë besim në tregje.

Ekonomitë më të fuqishme të botës, G20, kanë punuar gjatë së dielës për të formuluar një marrëveshje mbi një paketë të dytë globale shpëtimi, me vlerë rreth 2 trilionë dollarë. Fondi ka synimin kryesor të parandalojë përhapjen e krizës së eurozonës në vendet e tjera dhe frenimin e çdo rreziku për të dëmtuar përpjekjet e rimëkëmbjes brenda bllokut euro. Zyrtarët gjermanë janë shprehur se vendimi për këtë fond mund të merret nga marsi, për të forcuar fondin  ndihmës së Europës, një lëvizje që anëtarët e tjerë të Grupit të 20 vendeve më të zhvilluara thonë se është esenciale për të qartësuar fondet ekstra në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Propozimi do të ndërtonte burime masive financiare ndërkombëtare deri në fund të muajit prill, në takimin e ardhshëm të G20 dhe të bindë tregjet ndërkombëtare se problemet e thella të eurozonës mund të ndalen. Miratimi i këtij fondi do të shënonte përpjekjen më masive për forcimin financiar që propozohet nga G20, që nga vitin 2009, kur 20 vendet kanë caktuar vetëm 1 trilionë dollarë për të ndihmuar shpëtimin e ekonomisë botërore. Mundja e mosbesimin për forcën e eurozonës në tregje do të thotë jo vetëm forcim i monedhës së përbashkët europiane, por edhe mundësi reale kundër recesionit për të gjitha vendet e rrezikuara brenda grupit. Dhe nëse ekonomia në eurozonë stabilizohet, atëherë në një reaksion zinxhir do të forcoheshin edhe marrëdhëniet ekonomike me të gjitha vendet e tjera brenda dhe përtej kontinentit, duke e hequr të paktën për disa vjet frikën e kthimit të periudhës së depresionit. Disa anëtarë të G20 kanë shprehur shpresën se Gjermania do të ndryshojë mendim dhe do të pranojë rritjen e fundit të shpëtimin edhe brenda eurozonës, por ministri gjerman i Financave, Shaubëll, tha se vendi i mbetet besnik vendimit të parë, se nuk ka nevojë për rritje të mëtejshme të ESM-së. Çështja do të diskutohet në samitin e BE-së në mars.

8 marsi është afati që Greqia ka vendosur për marrëveshjen me investitorët privatë për të nënshkruar shkurtimin e borxhit të vendit dhe lehtësimet për bonot e reja në afat 30-vjeçar

Voton Gjermania
Sot, Parlamenti gjerman voton mbi paketën e dytë të shpëtimit të Greqisë, një votë për të cilën ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, u shpreh optimist se do të merrte mbështetje nga ligjvënësit. Por, ministri i Brendshëm i kabinetit të Merkel, Hans-Peter Fridrish, tha se grekët duhet të largohen nga eurozona. Duke folur për “Der Spiegel”, ai u shpreh se: “Nuk dua të them se duhet t’i përzëmë, por duhen krijuar kushtet për një dalje që nuk do t’i dëmtojë”.

 

© Panorama.al

Te lidhura