Në një fjalim të gjatë para deputetëve shqiptarë në Parlamentin Europian, Fyle foli për situatën pas zgjedhjeve lokale. “Përgatitja dhe votimi gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit ishin përgjithësisht të qeta, pavarësisht se me disa mangësi, procesi u vlerësua nga të gjithë vëzhguesit përgjithësisht pozitiv. Numërimi i votave, edhe pse i vonuar dhe i ndërprerë në disa raste, gjithashtu ishte i konsideruar në përgjithësi si funksionues dhe transparent”, tha Fyle, i cili shtoi se pati disa probleme në Tiranë, për të cilat ai dha 4 parashtrime. “Ka interpretime të ndryshme në lidhje me fletët e votimit të ashtuquajturat ‘kuti të gabuara'”, tha Fyle. Ai iu referua edhe një letre të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, drejtuar kryeministrit Sali Berisha për dialog politik. “Jagland shpreh shqetësimin e tij për situatën pas zgjedhjeve të Bashkisë së Tiranës. Ai thekson se ndarja politike është bërë aq e rëndë, sa që mund të kërcënojë funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë dhe progresin e mëtejshëm ekonomik. Ai fton partitë politike për të hyrë në një dialog të vërtetë për të kapërcyer bllokimin politik dhe informon për qëllimin e tij për t’i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si duhen shmangur situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk mund të komentoj, por mbështes mesazhin e tij. Retorika konfrontuese vetëm do të rrisë tensionet në vend. Procesi zgjedhor duhet të finalizohet me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus për të ardhmen. Është e qartë se një reformë gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor është e nevojshme dhe duhet të kryhet nga shumica në pushtet së bashku me opozitën dhe shoqërinë civile”, deklaroi komisioneri Fyle mbi këtë letër. Ai tha më tej se fryma e bashkëpunimit mund të arrihet vetëm nëse partitë politike dhe politikanët gjejnë një mënyrë për të biseduar së bashku dhe për të marrë vendimet e nevojshme në interes të vendit dhe të qytetarëve tuaj. “Njëkohësisht ne kemi prova të qarta gjatë viteve të fundit se vendi dhe politikanët e tij janë në gjendje për të arritur përparim të rëndësishëm. Zbatimin e përgjithshëm progresiv të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe liberalizimi i vizave janë sukseset që tregojnë aftësinë e Shqipërisë në mënyrë të vendosur drejt përparimit në rrugën europiane, kusht që ka vullnet politik”, tha Fyle. Më tej ai shprehu keqardhjen për mungesën e kryetares së Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi, në këtë takim. “Më lejoni të shpreh publikisht para jush të gjithë vlerësimin tim të thellë për punën e bërë nga ministrja Bregu (e cila është e pranishëm këtu sot) dhe nga kryetarja e Komisionit të Integrimit në BE, zonja Meksi (e cila për fat të keq nuk mundi të vijë sot)”, tha Fyle.
Statusi kandidat
Komisioneri Fyle foli edhe për statusin kandidat të vendit, për të cilin Komisioni Europian do të flasë në muajin tetor. “Por unë dua të besoj se puna e bërë nuk ka shkuar dëm, pasi ndiejmë nevojën të kthehemi në punë për implementimin e axhendës së reformave nëse duam që Shqipëria të bëjë progres në rrugën e saj të integrimit europian. Disa bënë përmirësime sa i përket procedurave parlamentare të punës. Megjithatë, bllokimi dhe mungesa e dialogut vazhdon të pengojë funksionimin efektiv të Kuvendit; ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 3/5 janë ende të bllokuara, emërime të rëndësishme të tilla si ajo e Avokatit të Popullit dhe gjyqtarët e Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese janë ende në pritje. Edhe një herë ftoj opozitën të marrë pjesë plotësisht në aktivitetet e Parlamentit dhe për të përdorur këtë forum institucional, për të arritur objektivat e saj politike. Sundimi i ligjit mbetet një sfidë për Shqipërinë”, tha Fyle, i cili u ndal edhe në çështje konkrete. “Në luftën kundër korrupsionit, masat ligjore dhe institucionale janë marrë. Do të jetë e rëndësishme për të siguruar zbatimin e plotë të tyre. Në luftën kundër krimit të organizuar ka disa shenja inkurajuese në zbatimin e ligjit antimafia. Është e rëndësishme që të vazhdojnë të punojnë me energji dhe të krijojnë një rekord solid në këtë fushë. Çështja e pronës mbetet e pazgjidhur. Shqipëria ka nevojë për të përshpejtuar përpjekjet në konsolidimin e të drejtave të pronësisë, në mënyrë që të krijojë një kornizë solide ligjore për investitorët vendas dhe të huaj”, deklaroi ai. Në lidhje me situatën ekonomike ai tha se është pozitive.Komisioneri i Zgje-rimit i BE-së, Stefan Fyle, flet për herë të parë në lidhje me situatën e krijuar në Shqipëri pas zgje-dhjeve lokale.
4 pikat e komisionerit Fyle
1. Ka interpretime të ndryshme në lidhje me fletët e votimit të ashtuquajturat “kuti të gabuara”. Raporti i OSBE-ODIHR i datës 20 maj thotë: “Kodi Zgjedhor nuk e rregullon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të votimit që janë gjetur në kuti votimi të ndryshme, nga ajo që korrespondon me llojin e zgjedhjeve për këtë votim. Nuk jep as ndonjë procedurë për pajtimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e tjera”.
2. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës bëri publike një letër që ai i ka dërguar kryeministrit Berisha. Ai fton partitë politike për të hyrë në një dialog të vërtetë për të kapërcyer bllokimin politik dhe informon për qëllimin e tij për t’i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si duhen shmangur situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme.
3. Retorika konfrontuese vetëm do të rrisë tensionet në vend. Procesi zgjedhor duhet të finalizohet me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus për të ardhmen. Është e qartë se një reformë gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor është e nevojshme dhe duhet të kryhet nga shumica në pushtet së bashku me opozitën dhe shoqërinë civile.
4. Kjo mund të arrihet vetëm nëse partitë politike – dhe ju, politikanët që përfaqësonin popullin e Shqipërisë – të gjeni një mënyrë për të biseduar së bashku dhe për të marrë vendimet e nevojshme në interes të vendit dhe të qytetarëve tuaj.
Sekretari i KiE, letër Berishës: Do ta pyes “Venecian” për Tiranën
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me votat e hedhura në kutitë gabim. Ndonëse nuk ka një kërkesë nga pala shqiptare për këtë çështje, Jagland i ka dërguar një letër kryeministrit Berisha në datën 10 qershor, ku i shprehet se do t’i kërkojë një opinion Komisionit të Venecias për këtë çështje, në mënyrë që të shmangë situata të ngjashme për zgjedhjet e ardhme. “Do të doja t’ju të informoja se përkundrejt vendimit të Kolegjit Zgjedhor, kam si qëllim të pyes Komisionin e Venecias për një opinion se si të shmanget një situatë e ngjashme në zgjedhjet e ardhshme”, shkruan Jagland në letrën e tij drejtuar kryeministrit Sali Berisha. Ai shprehet i shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar në Tiranë pas zgjedhjeve lokale. “I nderuar z Kryeministër. Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim në lidhje me situatën e fundit për zgjedhjet lokale, në veçanti për kontraversin e ndodhur për zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, thotë në fillim të letrës së tij Jagland. Ai shprehet se këto zgjedhje lokale janë me rëndësi për të ardhmen e vendit dhe për funksionimin e institucioneve të Shqipërisë. Sipas tij, këto shpresa u rritën kur u vu re dita e votimit nga qytetarët, por situata e krijuar me zgjedhjet në Tiranë, mund të kërcënojë të ardhmen e vendit dhe për këtë ndihet i shqetësuar. Më tej ai apelon për nisjen e menjëhershëm të një dialogu politik për të dyja palët, për të ndalur bllokimet politike të institucioneve në respekt të ligjit dhe të principeve të demokracisë që respekton çdo vend anëtar i Këshillit të Europës. Edhe komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Stefan Fyle, përshëndeti këtë letër.
Komisioni i Venecias
Komisioni i Venecias është një institucion brenda Këshillit të Europës, i përbërë nga juristët më të mirë të 56 vendeve anëtare të këtij këshilli. Ai është i specializuar në dhënien e eskpertizave ligjore për çdo çështje dhe në Shqipëri ka asistuar në Kushtetutën e vitit 2008 e në disa kode elektorale. Vendimet e tij nuk janë urdhëruese, por vetëm këshilluese nga ana e praktikës më të mirë ligjore.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











