Fyle: Zgjedhja e Presidentit të jetë proces me negociata

May 4, 2012 | 13:34
Fyle e Berisha dje ne konference per shtyp

Komisioneri i KE kërkoi dje që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.

Berisha: Domosdoshmërisht me negociata, por do fillojnë në afatin kushtetues, në javën e tretë të majit.

Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm dhe në atë karrige duhet dikush që të përfaqësojë unitetin e popullit. Kjo ishte këshilla e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë vizitës 6-orëshe në Tiranë. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian u takua me krerët më të lartë të shtetit dhe mbajti një fjalim në Parlament, ku në qendër të tij ishte fakti se viti 2012 është një mundësi e mirë për Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, Fyle tha se është i rëndësishëm fakti që çështja e Presidentit të mos jetë një problem për vendin. “Sigurisht, kjo është e rëndësishme, pasi na bën neve që të sigurojmë që zgjedhjet presidenciale në vend të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemeve, në rast se të gjitha këto punë nuk përfundohen. Së dyti, në fakt, angazhimi i Kryeministrit, por edhe i qeverisë që të sigurojmë që zgjedhja e Presidentit do të jetë një proces i negociueshëm. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri që të jap këshilla, madje edhe leksione për t’ju treguar si duhet bërë kjo gjë, por kam ardhur këtu për të parë përpara”, tha Fyle. “Nga ana tjetër, unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të më ikë pa ju thënë se ajo që është e rëndësishme është që zgjedhja e Presidentit do të thotë se në atë zyrë të vijë dikush, i cili pasqyron qartë frymën e Kushtetutës, por edhe faktin se ai person do të jetë dikush që do të përfaqësojë, siç e thotë edhe Kushtetuta, unitetin e popullit shqiptar”, u shpreh më tej komisioneri.
Berisha
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha foli në hyrje të fjalës së tij për një proces që duhet të kalojë “domosdoshmërisht me negociata”. Ai tha se pavarësisht faktit që kanë dalë disa kandidatë, procesi do të nisë atëherë kur e përcakton Kushtetuta, në javën e katërt të muajit maj. “Natyrisht, diskutuam edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Unë e sigurova komisionerin se e konsideroj këtë një proces domosdoshmërisht që duhet të kalojë me negociata, një proces që duhet të respektojë plotësisht frymën e germën e Kushtetutës. Një proces për të cilin ne do të angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë, siç e dini, ka dhe janë shumë të mirëpritur, por procesi real fillon në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit, sepse kështu e kërkon rregulli”, u shpreh Berisha. I pyetur nëse do të pranojë ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste për t’u ulur në një tryezë bisedimesh për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri tha se “lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që ju të gjithë duhet vlerësoni faktin se nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do të kandidoj për postin e Presidentit të Republikës. Por, në fakt, asnjë prej jush nuk e ka shënuar këtë fakt”. Megjithëse u shpreh pozitiv për ftesën e rivalit të tij politik, Kryeministri la të kuptohet se nuk do ta takojë Ramën deri në momentin që do të nisë zyrtarisht gara në Parlament, siç e parashikon Kushtetuta. “Së dyti, çdo ftese unë i përgjigjem pozitivisht dhe e vlerësoj ftesën e zotit Rama. Por theksoj se Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë, zoti Rama e të gjithë, për hir të respektit të postit të Presidentit, duhet ta respektojmë këtë. Së treti, unë jam gjithnjë për negociata dhe, siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë gjithnjë të vlefshme kur ato parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti, kanë mundësi të japin një kontribut thelbësor në përgatitjen e tyre”.

Topi me Fylen: President me integritet
Gjatë takimit në Presidencë, kreu i shtetit Bamir Topi dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u ndalën edhe te çështja e Presidentit të ri të vendit. “Në bashkëbisedimin e tyre, Presidenti Topi dhe komisioneri Fyle u ndalën edhe në procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së Presidentit, proces i cili duhet të jetë sa më transparent dhe konsensual, pasi shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një figurë presidenciale me integritet të lartë profesional e moral e njerëzor, që të gëzojë simpati të gjerë në popull, të jetë mbi partitë politike dhe të shërbejë vërtet si simbol i bashkimit kombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Sipas komisionerit Fyle, gjatë këtij viti partitë duhet të sigurojnë vazhdimin e dialogut konstruktiv.

Fyle, Edi Ramës: Vlerësoj rolin e PS
Në takimin me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, renditi një sërë çështjesh që mbeten për t’u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në Gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median. Kryetari i PS rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Komisioneri Fyle e përgëzoi kryetarin e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.

Topalli: Pas bojkotit të PS miratuam kodet
Kryetarja Jozefina Topalli e njohu komisionerin Fyle me përparimin që Parlamenti, përmes bashkëpunimit mes opozitës dhe maxhorancës, ka shënuar në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të KE-së, si miratimi i kodeve që kërkonin 3/5 e votave, finalizimi i ligjit për Gjykatën Administrative, puna për reformën zgjedhore etj.  “Pas periudhës së vështirë të dy viteve bojkot dhe bllokim nga opozita, sot kemi një klimë të re bashkëpunimi në respekt me marrëveshjen e nëntorit. Jemi të vendosur për të realizuar çdo reformë, me qëllim realizimin e objektivit tonë kombëtar, integrimin në Bashkimin Europian”, u shpreh kryetarja e Kuvendit gjatë këtij takimi. Nga ana e tij, komisioneri vlerësoi progresin e bërë në realizimin e 12 kritereve.

Takimi
Në axhendën e komisionerit Fyle në Tiranë ishte edhe takimi me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Sipas njoftimit për shtyp të këtij institucioni, Fyle ka vlerësuar mënyrën se si Totozani është përzgjedhur në këtë pozicion dhe është shprehur se kjo mënyrë përzgjedhjeje mund të shërbejë si një shembull i mirë për të gjithë rajonin. “Një element tjetër të cilin do të doja të vlerësoja është qasja që ju keni lidhur me funksionin dhe kompetencat që keni. Ka shumë njerëz që nuk janë në gjendje të kuptojnë punën e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, ndërkohë që ju jeni duke përdorur në maksimum mundësitë që ju njeh ligji”, tha Fyle.

Fjalimi i komisionerit të KE për Zgjerimin në Kuvend
Fyle: Duhen rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, gjatë vizitës së parë në Parlamentin e Shqipërisë deklaroi dje para ligjvënësve se puna për marrjen e statusit të vendit kandidat kërkon një angazhim më të madh të klasës politike. Fyle ka inkurajuar maxhorancën dhe opozitën që të vijojë puna në katër drejtime kryesore. Zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen sipas standardeve të BE-së, përfundimi në kohë i reformës zgjedhore, luftë ndaj korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. “Nuk ka kohë për të humbur dhe Shqipëria duhet të fokusohet në dhënien e rezultateve konkrete, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi dje komisioneri Fyle. Sipas tij, një punë konkrete duhet bërë dhe në kufizimin e imunitetit dhe zbardhjen përfundimtare të ngjarjes së 21 janarit. Për Fylen, 100-vjetori i shtetit shqiptar mund të shënojë arritjen e aspiratës së integrimit nëse palët do të vijojnë reformat. “Viti 2012 shënjon 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por mund të jetë edhe viti kur Shqipëria të bëjë një hap të rëndësishëm drejt integrimit të saj europian – në përputhje me dëshirat e shumicës së popullit shqiptar. Ju lutem bëjeni realitet këtë mundësi. Në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të rajonit tuaj dhe në të mirë të vetë BE-së. Ju lutem konsiderojeni këtë deklaratë si rikonfirmim të angazhimit tim personal dhe të pasionuar ndaj qytetarëve të Shqipërisë”, theksoi Fyle.

Fyle: Reforma parlamentare e zgjedhore para Presidentit
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin, komisioneri Fyle mori garanci nga Berisha dhe Rama për të mbyllur përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit reformën parlamentare dhe atë zgjedhore. “Po ashtu, ne diskutuam për një çështje tjetër të rëndësishme, që është zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, e në fakt më duhet të them se jam i kënaqur që ne kemi arritur në një mirëkuptim të përbashkët për dy çështje kryesore lidhur me këtë pikë. Së pari, dëshiroj të them se kjo ka të bëjë me vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë, nga njëra anë, por, në të njëjtën kohë edhe një vendosmëri dhe angazhim që unë e mora edhe gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama, për të përfunduar punën që duhet bërë përsa i përket reformës zgjedhore, nga njëra anë, por edhe reformës parlamentare për Rregulloren e procedurave të Parlamentit, në mënyrë që kjo të përfundohet përpara së të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit”, tha Fyle.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura